Cerska

Cerska është një varr parësor në Luginën e Cerska në rrugën kryesore nga Konjevic Polje në Nova Kasaba, 27 kilometra në veriperëndim të qytetit të Srebrenicës. Ai u zbulua dhe u zhvarros në korrik 1996 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, ndërsa mblidhte prova në lidhje me gjenocidin e Srebrenicës duke dokumentuar lëndimet, duke identifikuar kohët dhe shkaqet e vdekjes së viktimave dhe dëshmitë e dëshmitarëve. Procesi i identifikimit u udhëhoq nga Komisioni Federal për Personat e Zhdukur (i njohur më vonë si Instituti për Personat e Zhdukur).

Varri ishte i paprekur dhe përmbante 150 mbetje mortore të viktimave meshkuj të moshave të vlerësuara që varionin nga 14 deri në 50 vjeçnë kohën e vdekjes. Një dëshmitar i vrasjeve tha se më 13 korrik 1995, tre autobusë plot me të burgosur meshkuj u panë teksa kalonin përgjatë rrugës në drejtim të luginës së Cerskas, të ndjekur nga automjet i blinduar personeli. Pak kohë më pas, u dëgjuan të shumë të shtëna dhe në luginë më pas u pa të shkonte një fadromë.

Varri masiv i Cerskas u identifikua në korrik 1995 duke përdorur pamje ajrore të një argjinature në anën jugperëndimore të rrugës. Pamjet ajrore tregonin se nuk kishte shenja trazimi të tokës në vend para 7 korrikut 1995, por pamjet e marra më 27 korrik tregojnë se aty u shfaq një kodër e re, që tregon se në vend ka pasur gërmime.

Vendndodhja e varrit masiv, pranë rrugës dhe disa shtëpive në fshatin Macesi, rreth katër kilometra nga Konjevic Polje, mbetet e pashënuar.

Provat e gjetura në vend treguan se viktimave u ishin lidhur duart pas shpine me tel. Nga vendndodhja e gëzhojave, u duk se ata ishin vendosur buzë rrugës ndërsa ekzekutuesit e tyre qëndronin në anën tjetër të rrugës. Toka nga ana verilindore e rrugës u përdor për të mbuluar trupat ku ata ranë.

Nga 150 viktima, vetëm një nuk u vra nga të shtënat me armë. Duart e 24 viktimave ishin të lidhura dhe pranë mbetjeve mortore u gjetën tela të tjerë të gjatë. Një total prej 147 prej viktimave ishin të veshur me rroba civile. Hetuesit e GJPNJ-së mblodhën afërsisht 189 gëzhoja nga sipërfaqja e tokës në vend dhe 67 të tjera u zbuluan gjatë procesit të zhvarrosjes dhe autopsisë.

Dëshmitari ekspert Dusan Janç në gjyqin Radovan Karaxhiçit shpjegoi se varri në Cerska përmbante jo vetëm viktima nga depoja në Kravica ku u vranë më shumë se 1,300 boshnjakë nga Srebrenica, por gjithashtu viktima nga ndërtesa e shkollës Bratunac dhe trupa njerëzish, të cilët u vranë përgjatë rrugës kryesore që të çonte në Bratunac.

Dëshmia okulare e një dëshmitar të mbrojtur i GJPNJ-së, i koduar me emrin Dëshmitari M, i cili tregoi për autobusët e mbushur me njerëz pasuar nga një ekskavator përgjatë rrugës që të çon nga Lugina Cerska drejt një zone me pyll, afërsisht korrespondon me kohën e komunikimeve të përgjuara nga 13 korriku 1995 në të cilat koloneli Milanoviç, Shefi i Mbrojtjes Kundër Avionëve i Korpusit Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, kërkoi që në Konjevic Polje të dërgoheshin pajisje inxhinierike.

Dhoma gjyqësore e GJPNJ-së në çështjen kundër zv/komandantit dhe Shefit të Shtabit të Korpusit Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Radoslav Krstiç, nuk i mori në konsideratë provat dhe kjo dëshmi mjaftoi vetëm për të implikuar Korpusin Drina në ekzekutimet e Luginës Cerska më 13 korrik.

Krstiç megjithatë u gjet fajtor për gjenocid në vendimin e parë të GJPNJ-së për të vërtetuar se kundër boshnjakëve nga Srebrenica ishte kryer gjenocid. Ai u dënua me 46 vjet burg, edhe pse dënimi u reduktua më pas në 35 vjet burg.

GJPNJ dhe gjykatat vendase në Ballkan kanë dënuar deri më tani një total prej 47 personash me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krime në lidhje me Srebrenicën.

Crni Vrh

Crni Vrh është një varr dytësor masiv që u zbulua në 2003 pranë fshatit Snagovo, 16 kilometra në jugperëndim të qytetit të Zvornikut. Ai ishte një nga varret masive më të mëdhenj që janë zbuluar në Bosnjë dhe Hercegovinë – më shumë se 40 metra i gjatë, pesë metra i gjerë dhe tre metra i thellë. Në këtë varr u zhvarrosën mbetjet mortore të 629 trupave nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Zyra e Prokurorit Boshnjak dhe Instituti Boshnjak i Personave të Zhdukur, ndërkohë që u identifikuan 537.

Eshtrat e viktimave të varrosura në Crni Vrh ishin transferuar nga të paktën dy varre primare diku tjetër, në një përpjekje për të fshehur gjurmët e vrasjeve të tyre. Viktimat u zbulua se ishin burra, gra dhe fëmijë nga fshatrat në zonën e Zvornikut të cilët u vranë në 1992. Trupat mendohet se ishin zhvendosur nga vendet e tyre të para të prehjes në vitin 1995 ose në fillim të vitit 1996. Disa nga viktimat u gjetën në çanta trupash të Ushtrisë Popullore Jugosllave, njësoj si trupat e gjetur në Ramin Grob.

Varri në Crni Vrh mbetet i pashënuar, pranë një rruge malore, i rrethuar nga pyje dhe mbeturina të shpërndara. Deponia lokale e mbeturinave ndodhet disa qindra metra larg varrit masiv. Pak metra më larg nga Crni Vrh, ka shumë varre masive dytësore, siç janë ata përgjatë rrugës Hodzici që lidhen me ekzekutimet në Srebrenicë.

Midis mbetjeve mortore të gjetura në vend ishin ato të familjes Ribiç, të cilët ishin me origjinë rome. Sipas Institutit Boshnjak për Personat e Zhdukur, nëntë anëtarë të familjes Ribiç u vranë, përfshirë fëmijët, më i riu prej të cilëve ishte dy vjeç. Vrasësit u identifikuan si anëtarë të një njësie paraushtarake nga Serbia të quajtur Çetnikët e Simës, të udhëhequr nga Sima Bogdanoviç. Gjykata e Apelit e Beogradit liroi nga akuzat gjashtë anëtarë të njësisë Çetnikët e Simës për vrasjen e 27 civilëve romë. Por tre prej tyre – Zoran Aliç, Zoran Djurdjeviç dhe Tomislav GavriÇ – u dënuan për trajtim çnjerëzor, shkelje të integritetit fizik, poshtërim seksual dhe përdhunim. Simo Bogdanoviç vdiq gjatë gjyqit.

Disa nga viktimat e identifikuara në Crni Vrh u vranë në Shtëpinë e Kulturës Celopek, afër Zvornikut, e cila u përdor si një ambient paraburgimi për boshnjakët nga fshati Divic nga maji deri në korrik 1992. Qendra e paraburgimit drejtohej nga njësia paraushtarake Grerëzat e Verdha , Ushtria Serbe e Bosnjës dhe forca e Mbrojtjes Territoriale Zvornik. Njësia paraushtarake Shqiponjat e Bardha shpesh vizitonte institucionin dhe torturonte, abuzonte seksualisht dhe ekzekutonte të ndaluarit.

Në gjyqin e liderit të Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, një dëshmitar i mbrojtur dëshmoi se ai kishte parë dy kamionë të shkonin nga Karakaj afër Zvornikut për në Crni Vrh. Dëshmitari i ndoqi kamionët dhe pa një varr tashmë të përgatitur në të cilin u shkarkuan 30 deri në 50 trupa meshkujsh. Ai gjithashtu pa edhe disa krahë dhe këmbë që po shkarkoheshin në varr.

Një dëshmitar i mbrojtur i koduar B-1775, një nga burrat përgjegjës për transportimin e trupave të viktimave nga zona e Zvornikut në varre masive, dëshmoi në gjyqin e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, se disa trupa nga Ramin Grob u gërmuan nga forcat serbe të Bosnjës në një përpjekje për të mbuluar krimin dhe më pas u transportuan në një varr dytësor në Crni Vrh. Dëshmitari ishte gjithashtu i përfshirë në transportimin e trupave nga Zvorniku në vende të tjera me urdhër të një anëtari të një njësie paraushtarake të quajtur Garda Vullnetare Serbe, e njohur më mirë si Tigrat, e udhëhequr nga Zeljko Raznatoviç, ose ndryshe Arkani.

GJPNJ dënoi Mico Stanisiçin, ministrin e brendshëm të kohës së luftës të Republikës Srpska dhe Stojan Zupljanin, kreun e Qendrës së Shërbimeve të Sigurisë të policisë Banja Luka, për kryerjen e krimeve në 20 komuna boshnjake, përfshirë Zvornik, në vitin 1992 dhe i dënoi ata me 22 vjet burg.

Gjykata e Lartë Serbe në vitin 1998 dënoi Dusan Vuckoviç, liderin e grupit paraushtarak Grerëzat e Verdha, me dhjetë vjet burg për vrasjen e 16 civilëve boshnjakë dhe plagosjen e 20 të tjerëve në Qendrën Kulturore në Celopek më 28 qershor 1992. Vuckoviç u akuzua përsëri në vitin 2005 , së bashku me gjashtë të dyshuar të tjerë, për kryerjen e krimeve të luftës ndaj civilëve në Zvornik dhe zonën përreth tij nga fillimi i majit deri në mes të korrikut 1992, por procedimet kundër tij u përfunduan pasi ai u gjet i vdekur në burg. Pesë të bashkë-pandehurit e tjerë  dënuan: Darko Jankoviç u dënua me 15 vjet burg, Dragan Slavkoviç me 13 vjet, Ivan Koraç me nëntë vjet, Sinisa Filipoviç me tre vjet dhe Goran Saviç me 18 muaj burg.

Ramin Grob

Ramin Grob (i njohur edhe si Glumina) është një varr masiv primar i vendosur në fshatin Glumina, rreth tetë kilometra në veriperëndim të qytetit të Zvornikut. Varri u gjet në mjediset e një varreze ekzistuese myslimane të quajtur Ramin Grob. Në tetor 1998, Komisioni Boshnjak i Personave të Zhdukur zhvarrosi eshtrat e 274 individëve nga ky varr, ndërkohë që u identifikuan 271.

Sipas Komisionit të Personave të Zhdukur, më shumë se 700 njerëz u raportuan të zhdukur nga Glumina dhe disa fshatra aty pranë në fillim të vitit 1992 dhe dyshohej se ata ishin vrarë dhe varrosur në afërsi. Dëshmitarët raportuan se gjatë një periudhe dy-tre javore në prill 1992, disa kamionë të mëdhenj u panë duke ardhur në varrezën Ramin Grob dhe nga kamionët u shkarkuan shumë çanta të mëdha me ngjyrë të errët. Përshkrimi i tyre i këtyre çantave përputhej me çantat e zbuluara në varrezën Ramin Grob. Çantat mbanin stemat e Ushtrisë Popullore Jugosllave. Nga trupat e zhvarrosur, 208 u gjetën të varrosur brenda në çanta, ndërsa 66 të tjerë jo.

Shkaku i vdekjes i përcaktuar nga patologët mjeko-ligjorë ishin plagët me armë zjarri në 246 nga 274 rastet totale. Të gjithë trupat e gjetur, dy femra dhe 272 meshkuj, ishin të veshur civilë. Moshat e trupave të identifikuar varionin nga 14 në 80 vjeç dhe ata vinin nga Glumina dhe fshatrat përreth Drinjaca, Kostijerovo dhe Musici.

Në vitin 2016, 20 trupa të zhvarrosur nga ky vend u varrosën si viktima anonime, pasi askush nuk qe në gjendje t’i identifikonte ata. Varri Ramin Grob mbetet i pashënuar.

Një dëshmitar i mbrojtur i koduar B-1775, një nga burrat përgjegjës për transportimin e trupave të viktimave nga zona e Zvornikut në varre masive, dëshmoi në gjyqin e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, se disa trupa nga Ramin Grob u gërmuan nga forcat serbe të Bosnjës në një përpjekje për të mbuluar krimin dhe më pas u transportuan në një varr dytësor në Crni Vrh. Dëshmitari ishte gjithashtu i përfshirë në transportimin e trupave nga Zvorniku në vende të tjera me urdhër të një anëtari të një njësie paraushtarake të quajtur Garda Vullnetare Serbe, e njohur më mirë si Tigrat, e udhëhequr nga Zeljko Raznatoviç, ose ndryshe Arkani.

Në gjyqin e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në GJPNJ, një dëshmitar i mbrojtur i koduar B-1455, i cili u mbajt rob me boshnjakë të tjerë në Qendrën Kulturore në Drinjaca, afër Zvornikut, e cila u përdor si një ambient paraburgimi nga Brogada e Zvornikut e Ushtrisë Serbe të Bosnjës në maj 1992, kujtoi se kishte parë anëtarët e Tigrave të Arkanit duke hyrë në dhomë dhe duke rrahur njerëzit për disa orë. Të njëjtën ditë, pasi paraushtarakë të Arkanit u larguan, dëshmitari thirri anëtarët e një njësie tjetër paraushtarake, Shqiponjat e Bardha, duke abuzuar dhe torturuar të ndaluarit dhe më pas duke i larguar që aty në grupe jashtë për t’i ekzekutuar. Dëshmitari mbijetoi, por babai i tij dhe tre vëllezërit e tjerë ishin mes të vrarëve dhe trupat e tyre u zhvarrosën nga varreza Ramin Grob në 1998.

Gjykata e Lartë e Beogradit dënoi dy ish-luftëtarë të forcave të Mbrojtjes Territoriale në Zvornik, Branko Grujiç dhe Branko Popoviç, përkatësisht me gjashtë dhe 15 vjet burg për krime lufte kundër civilëve në komunën e Zvornikut në 1992. Gjykata shtetërore boshnjake aktualisht po gjykon Cvijan Tomaniç për pjesëmarrje në persekutimin dhe vrasjet e civilëve boshnjakë në Zvornik si anëtar i Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës. Gjykata e Qarkut Bijeljina liroi Milan Ignjatoviçin nga akuzat për pjesëmarrje në vrasjet në Qendrën Kulturore në Drinjaca.

Vendimet e dhëna nga GJPNJ-ja, gjykata shtetërore e Bosnjës dhe Gjykata e Lartë e Beogradit kanë dënuar liderët politikë të Republikës Srpska, presidentin e qeverisë së përkohshme komunale të Zvornikut dhe 17 ushtarë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, duke përfshirë një komandant, me një total prej 186 vjet e nëntë muaj burg, plus dy dënime me burgim të përjetshëm, për krime lufte në zonën e Zvornikut. Asnjë anëtar i Tigrave të Arkanit nuk është dënuar për krime në Zvornik.

Hrastova Glavica

Hrastova Glavica është një shpellë nëntokësore e vendosur rreth 15 kilometra nga qyteti Sanski Most në veriperëndim të Bosnjës dhe Hercegovinës. Aty u identifikuan mbetjet mortore të 121 viktimave të një masakre që ndodhi më 5 gusht 1992. Të gjithë, përveç dyve, ishin të burgosur nga kampet Keraterm dhe Omarska afër Prijedorit; dy të tjerët besohet se janë vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Të ndaluarit e vrarë në 1992 u dërguan me autobusë në Hrastova Glavica, ku u vranë dhe u hodhën në një gropë që ishte rreth 20 metra e thellë. Ata ishin torturuar më parë në kampet Keraterm dhe Omarska.

Në 2012, Shoqata Izvor e Grave të Prijedorit dhe Shoqata e Ish të Burgosurve të Kampit nga Sanski Most ngriti një monument kushtuar viktimave në shpellën Hrastova Glavica. Ai përfshin dy pllaka që mbajnë emrat e të vrarëve në vitin 1992 dhe dy viktimave nga Lufta e Dytë Botërore.

Vendndodhja u zbulua për shkak të të mbijetuarit të vetëm të masakrës, Ibrahim Ferhatoviç, i cili u vra më vonë nga forcat serbe të Bosnjës, por para vdekjes së tij ai arriti t’ia tregonte historinë e masakrës dikujt që më vonë dëshmoi si një dëshmitar i mbrojtur në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Komisioni për Personat e Zhdukur i Bosnjës dhe Hercegovinës, së bashku me Mjekët për të Drejtat e Njeriut, gjetën eshtrat e viktimave në shpellën nëntokësore në dhjetor 1998. Sipas raportit mjeko-ligjor, të gjitha viktimat ishin meshkuj midis moshës 17 dhe 60 vjeç dhe shumica kishin shenja traumash dhe plagësh të shkaktuara me armë zjarri. U gjetën shumë veshje, kryesisht civile.

Deri më tani, 37 serbë të Bosnjës janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg për krime të kryera gjatë luftës në zonën e Prijedorit. Midis tyre ishte Milomir Stakiç, presidenti i kohës së luftës i Shtabit të Krizave të komunës së Prijedorit të kontrolluar nga Serbia dhe kreu i Këshillit Komunal për Mbrojtjen Kombëtare në Prijedor, i cili u dënua me 40 vjet burg.

Shkëmbi i Koriçanit

Shkëmbinjtë Koriçani në malin Vlasic në Bosnjën dhe Hercegovinën qendrore ishin një vend vrasjesh dhe një varr klandestin i përdorur nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në 1992. Mbetjet njerëzore të 177 personave, kryesisht boshnjakë dhe kroatë, janë identifikuar në katër zhvarrime të kryera midis vitit 2003 dhe 2017.

Shkëmbinjtë, mbi një humnerë të thellë 300 deri 400 metra, shtrihen në rrugën midis qyteteve Travnik dhe Prijedor në territorin që konsiderohet të ketë qenë një bastion i rëndësishëm i Ushtrisë Serbe të Bosnjës për pjesën më të madhe të luftës.

Që nga lufta, ka pasur disa përpjekje për të shënuar vendndodhjen e varrit masiv nga familjet e viktimave, por pllakat janë hequr gjithmonë më pas. Çdo vit, familjet i përkujtojnë të vdekurit duke hedhur trëndafila në humnerë.

Më 21 gusht 1992, një grup i madh të burgosurish civilë nga kampi i burgimit Trnopolje po transportoheshin nga forcat serbe të Bosnjës në territorin e kontrolluar nga qeveria boshnjake në Travnik. Ndërsa autokolona arriti në malin Vlasic, rreth 200 burra të paarmatosur u nxorën dhe u ekzekutuan. Vetëm 12 prej tyre mbijetuan.

Duke qenë se humnera është shumë e thellë, hetuesit e patën jashtëzakonisht të vështirë për të zhvarrosur trupat dhe u gjetën vetëm mbetje njerëzore të pjesshme të shumë viktimave.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dënoi Darko Mrdjan, një anëtar i të ashtuquajturës skuadër ndërhyrjeje, një njësi speciale policore serbe e Bosnjës në qytetin e Prijedorit, për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në zbritjen nga automjetet, ruajtjen, shoqërimin dhe pushkatimin e njerëzve të paarmatosur në Shkëmbinjtë Koriçani. Mrdja u vetëdeklarua fajtor dhe u kërkoi falje viktimave.

Gjykatat vendase në Bosnjë dhe Hercegovinë gjithashtu ndoqën penalisht disa çështje të lidhura me vrasjet në Koriçani dhe dënuan oficerët e policisë Marinko Ljepoja, Radoslav Knezeviç, Zoran Babiç, Milorad Skrbiç, Dusan Jankoviç, Zeljko Stojniç dhe Sasa Zeceviç.

Prijedori është zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës janë gjetur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë dhe janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg.

Jakarina Kosa

Jakarina Kosa është një varr masiv dytësor në kompleksin minerar të hekurit në Ljubija, 18 kilometra nga qyteti i Prijedorit. Gjithashtu brenda kompleksit të Ljubisë janë miniera e Tomasicës, ku u zbulua një nga varret masive më të mëdha parësore në vend dhe miniera e Omarskës, ku u ngrit një kamp paraburgimi nga autoritetet serbe të Bosnjës në fillim të luftës.

Zhvarrimet në Jakarina Kosa u kryen për herë të parë në 2001,kur u zhvarrosën më shumë se 300 pjesë trupash njerëzish. Në korrik 2015, pati një zhvarrim të dytë dhe u zbuluan më shumë se 600 eshtra. Në total, në varrin Jakarina Kosa janë identifikuar mbetje njerëzore që i përkasin 311 individëve.

Raportet e ekspertëve nga Komiteti Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur bazuar në analizat e ADN-së treguan se mbetje mortore nga të njëjtët individë u gjetën si në Tomasica ashtu edhe në Jakarina Kosa.

Mbetjet mortore nga Tomasica dhe Jakarina Kosa u identifikuan si ato të boshnjakëve dhe kroatëve nga qyteti i Kozaracit, qyteti i Prijedorit dhe fshatrat Biscani, Hambarine, Rizvanovici, Rakovcani, Carakovo dhe Zecovi, si dhe ato njerëzve që u mbajtën në kampet e paraburgimit Omarska dhe Keraterm në zonën e Prijedorit. Trupat e gjetur në Jakarina Kosa kishin veshje civile.

Varri në Jakarina Kosa ndodhet rreth pesë kilometra poshtë një rruge nga ndërtesa kryesore në ish-minierën e Ljubijas. Ai nuk është lehtësisht i arritshëm, pasi rruga është e pashtruar dhe plot gropa dhe varri ndodhet thellë brenda një grope. Ai mbetet i pashënuar.

Varri masiv parësor në Tomasica u gërmua pjesërisht nga Ushtria Serbe e Bosnjës dhe policia lokale në 1993 dhe një numër i madh trupash u morën dhe u rivarrosën në Jakarina Kosa, 37 kilometra larg, si pjesë e një përpjekjeje për të fshehur vrasjet.

Sipas Institutit për Personat e Zhdukur, procesi i transportimit të trupave zgjati dy javë. Vendasit përreth varrit në Jakarina Kosa u urdhëruan të evakuoheshin gjatë kësaj periudhe në mënyrë që ata të mos ishin dëshmitarë të asaj që po ndodhte.

Transporti i trupave nga Tomasica në Jakarina Kosa qe i mirëorganizuar dhe kryhej natën. Pjesë trupash të dekompozuar që u ngarkuan nëpër kamionë lanë gjurmë lëngjesh trupore në rrugë dhe u përdorën cisterna me ujë për të pastruar rrugët dhe kamionët pas përfundimit të transportit të trupave. Mbetjet njerëzore u shkarkuan nga kamionët në gropën në Jakarina Kosa dhe më pas u minuan në mënyrë që gropa të mbyllej dhe të ndalohej qasja e mëtejshme në vend.

Prijedori është zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës janë shpallur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë dhe janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dha Milomir Stakiçit, presidentit të kohës së luftës të Shtabit të Krizave të komunës së kontrolluar nga serbët, dënimin më të lartë për krime në Prijedor – 40 vjet burg.

Stari Kevljani

Stari Kevljani është një varr masiv dytësor në fshatin Kevljani, 20 kilometra nga qyteti i Prijedorit. Varri u zhvarros në gusht 2004 nga Instituti Boshnjak për Personat e Zhdukur dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, GJPNJ. Analizat e ADN-së treguan se aty u varrosën eshtrat e 456 individëve.

Stari Kevljani është një nga varret masive më të mëdha që janë zbuluar në zonën e Prijedorit. Varri ishte 20 metra i gjatë dhe pesë metra i gjerë dhe i thellë. Nga 456 mbetje njerëzore të gjetura atje, u identifikuan 354.

Fshati Kevljani është rreth katër kilometra larg kompleksit të minierës Omarska, ku Ushtria Serbe e Bosnjës kishte një kamp ndalimi gjatë kohës së luftës në vitin 1992. Disa varre të tjerë masivë janë zbuluar në të njëjtin fshat, njëri prej tyre jo shumë larg atij në Stari Kevljani.

Shumë nga ata që u identifikuan nga zhvarrimi në Stari Kevljani ishin burra boshnjakë dhe kroatë të cilët u mbajtën dhe u panë për herë të fundit në kampin Omarska, ose në dy kampe të tjerë në komunën e Prijedorit, Keratermit dhe Trnopoljes. Provat mjeko-ligjore treguan se shkaku i vdekjes në shumicën e rasteve ishin të shtënat me armë dhe se një numër viktimash kishin fraktura në kocka. Një numër i konsiderueshëm individësh që u identifikuan ishin liderë politikë, administrativë dhe fetarë, akademikë dhe figura të njohura publike nga komuna e Prijedorit.

Vendasit në Kevljani e shënuan vendin e varrit me një pllakë përkujtimore në të cilën janë gdhendur fjalët: “Në këtë vend në vitin 2004, u gjet varri masiv më i madh në Bosanska Krajina, Stari Kevljani, me gjithsej 456 viktima të pafajshme nga komuna e Prijedorit.” Varri masiv ndodhet në një lëndinë në fshat, pranë një shtëpie.

Një dëshmitar në gjyqin e liderit ushtarak serb të Bosnjë Ratko Mlladiç dëshmoi se në kampin Omarska kishte çdo ditë vrasje dhe tortura. Deri në 6,000 njerëz u mbajtën në kampin Omarska gjatë kohës që ai ishte i hapur në 1992, për një periudhë prej tre muajsh. Ekzekutimet masive gjithashtu filluan në fund të korrikut 1992. Të ndaluarit detyroheshin të pastronin zonat ku vriteshin njerëzit dhe të ngarkonin trupat e tyre në kamionët që i largonin ata që aty.

Kampi u mbyll më 21 gusht 1992 pasi gazetarë britanikë që vizituan vendin ekspozuan kushtet çnjerëzore dhe krimet e luftës në kamp. Të ndaluarit më pas u transferuan në kampe të tjera në zonë. Sipas Unionit Rajonal të Shoqatave të të Ndaluarve nga Rajoni i Banja Lukës, rreth 700 persona që mbaheshin në kampin Omarska vdiqën, megjithëse jo të gjithë u vranë brenda në kamp.

Gjykata e Hagës ka dënuar 11 persona për kryerjen e krimeve në kampet e paraburgimit në zonën e Prijedorit dhe gjykata shtetërore e Bosnjës ka dënuar katër të tjerë. Zeljko Mejakiç, zyrtari më i lartë në kampin e paraburgimit Omarska, u dënua me 21 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Prijedori është zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës janë shpallur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë dhe janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dha Milomir Stakiçit, presidentit të kohës së luftës të Shtabit të Krizave të komunës së kontrolluar nga serbët, dënimin më të lartë për krime në Prijedor – 40 vjet burg.

Tomasica

Varri masiv i Tomasicës u zbulua nga autoritetet boshnjake në shtator 2013, afër një kompleksi të madh minierash, afërsisht 15 deri në 20 kilometra në juglindje të qytetit të Prijedorit. Një sipërfaqe prej 70 metra me 120 metra u gërmua gjatë 79 ditëve. U gjetën mbetjet mortore të 435 personave; 275 ishin trupa të plotë. Ai ishte një nga varret e vetme më të mëdha masive që u gjetën në Bosnjë dhe Hercegovinë. Eshtrat ishin kryesisht ato të viktimave të luftës të cilët u vranë në zona të ndryshme përreth Prijedorit nga viti 1992 deri në 1995.

Vendndodhja e varrit masiv mbetet e pashënuar, edhe pse shtrihet në një zonë të populluar, rreth 15 minuta me makinë nga Prijedori. Afër varrit masiv ndodhen disa shtëpi dhe një fushë futbolli.

Para luftës, zona ishte në pronësi të shtetit dhe përdorej nga kompania minerare Ljubija.

Vendndodhja e saktë e varrit masiv iu tregua Institutit Boshnjak të Personave të Zhdukur nga një ish-ushtar serb i Bosnjës i cili mori pjesë në fshehjen e vrasjeve, por donte të mbetej anonim. Trupat ishin kryesisht të boshnjakëve, shumica e të cilëve u vranë në qytetin e Prijedorit, fshatin Biscani ose në kampet pranë burgjeve Keraterm dhe Omarska, pastaj u ngarkuan në kamionë dhe u hodhën në gropa në vendin në Tomasica, disa prej të cilave arrinin deri në nëntë metra thellësi. Njëzet e nëntë prej trupave të gjetur në Tomasica ishin ata njerëz të vrarë në famëkeqen “Dhoma 3” në kampin Keraterm në 1992.

Varri masiv i Tomasicës është kryesisht një varr masiv primar i cili fillimisht përmbante më shumë se 435 trupa. Gjatë viteve 1990, më shumë se 350 trupa u nxorrën që aty dhe u varrosën përsëri në vende të tjera, duke përfshirë një gropë në Jakarina Kosa, 40 kilometra nga Tomasica, në përpjekjen e dytë për të fshehur krimin.

Para zbulimit kryesor në 2013, pati disa përpjekje të tjera për të gjetur trupa të viktimave të luftës rreth minierës së Tomasicës. Në vitin 2004, u gjetën mbetjet mortore të 24 personave, ndërsa dy vjet më vonë, u zbuluan dhjetë trupa.

Një përpjekje tjetër u bë në korrik 2020 kur autoritetet filluan një zhvarrosje duke vepruar bazuar në informacionet e dhëna nga një serb lokal, por nuk u bënë zbulime të reja.

Prijedori ka qenë zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës të shpallur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dha Milomir Stakiçit, presidentit të kohës së luftës të Shtabit të Krizave të komunës së kontrolluar nga serbët, dënimin më të lartë për krime në Prijedor – 40 vjet burg.

Rruga Hodzici 2

Rruga Hodzici 2 (e njohur edhe si Snagovo 3) është një varr masiv dytësor, afër fshatit Snagovo, rreth 17 kilometra në veriperëndim të qytetit të Zvornikut. Varri u gjet fillimisht nga trupat nga Forca e Stabilizimit e NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, SFOR, në 1998, ndërsa devijonte një rrugë pas një rrëshqitje toke. Ka shtatë varre masivë të njohur në zonë, të gjithë varre dytësore.  Ai u quajt Rruga Hodzici sepse fshati Hodzici është aty afër. Aty janë zhvarrosur një total prej 160 mbetjesh njerëzore.

Ky varr masiv dytësor, i cili u quajt Snagovo 3 nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur, u hetua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, GJPNJ, në 1998 dhe përgjegjësia për zhvarrosjen iu kalua qeverisë boshnjake në 2001.

Analizat e ADN-së të kryera nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur treguan lidhje midis këtij varri dytësor dhe varreve primare të trazuar Lazete 2 (i njohur gjithashtu si Orahovac 2). Sipas raportit mjeko-ligjor të GJPNJ-së mbi zhvarrosjet e Srebrenicës, kjo do të thotë që eshtrat e një individi u gjetën në të paktën dy varre të ndryshëm. Hetimi gjithashtu tregoi lidhjet e ADN-së midis këtij vendi dhe Rrugës Hodzici 1 (i njohur edhe si Snagovo 4) dhe Rrugës Hodzici 3. Kjo tregon se mbetjet mortore u gërmuan në varrin masiv primar Lazete 2 dhe u transferuan në Rrugën Hodzici, rreth 10 kilometra larg.

Analiza mjeko-ligjore të mostrave të tokës/polenit, provat dhe imazhet ajrore të datave të krijimit/trazimit, zbuluan më tej se trupat nga varret masive primare Lazete 1 dhe Lazete 2 u gërmuan dhe u rivarrosën në varret dytësore në Snagovo.

Varri i Rrugës Hodzici mbetet i pashënuar, në një livadh pranë një rruge malore rurale, i rrethuar nga pyje.

Vendimet e GJPNJ-së zbuluan se burrat boshnjakë të kapur në Srebrenicë u transportuan më 14 korrik 1995 në një shkollë në fshatin Orahovac. Pasditen e asaj dite, personeli i Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës nën mbikëqyrjen e Drago Nikoliç, një oficer sigurie me Brigadën e Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, dhe Milorad Trbiç, Ndihmës Komandant për Sigurinë me Brigadën e Zvornikut, më pas i transportuan robërit në një fushë aty afër , ku personeli, përfshirë anëtarët e Batalionit të 4-të të Brigadës së Zvornikut, i ekzekutoi ata me armë automatike.

Në vendimet në lidhje me këtë çështje, dhoma gjyqësore e GJPNJ-së gjeti Radislav Krstiçin, zv/komandant dhe shef i shtabit i Korpusit Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, fajtor për gjenocid ndaj boshnjakëve nga Srebrenica – vendimi i saj i parë që përcakton se masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid. Krstiç u dënua me 46 vjet burg, edhe pse dënimi më pas iu reduktua në 35 vjet burg.

GJPNJ-ja gjeti gjithashtu që Ljubisa Bearas, shefit të sigurimit i Shtabit Kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, iu kërkua të organizonte, koordinonte dhe lehtësonte ndalimin, transportimin, ekzekutimin përmbledhës dhe varrosjen e viktimave boshnjake të vrara në Orahovac. Beara u ndihmua nga, ndër të tjera, komandanti Vujadin Popoviç, Shefi i Sigurimit i Korpusit të Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, si dhe Nikoliç dhe Trbiç.

Beara, Popoviç, Nikoliç dhe Trbiç u gjet se kishin mbikëqyrur dhe ndihmuar ekzekutimet në Orahovac dhe GJPNJ-ja i dënoi ata për gjenocid. Vidoje Blagojeviç, komandant i Brigadës së Bratunacit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me 15 vjet burg për asistim dhe ndihmë në vrasjen dhe persekutimin e boshnjakëve në zonën e Srebrenicës, si dhe asistim dhe mbështetje të vrasjes së boshnjakëve në Bratunac. Dragan Jokiç, shefi inxhinierik i Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me nëntë vjet burg për vrasjet e boshnjakëve në Orahovac, në Fermën Ushtarake Branjevo në Pilica dhe në Kozluk, dhe për sigurimin e burimeve inxhinierike dhe personelit të nevojshëm për gërmimin e varreve masive për viktimat e ekzekutuara.

Sipas Institutit Federal për Personat e Zhdukur në Bosnjë dhe Hercegovinë, eshtrat e 818 boshnjakëve nga Srebrenica u zbuluan në shtatë varre dytësore në zonën e Snagovos.

Ravnice

Ravnice është një varr masiv primar, i vendosur 20 kilometra në veriperëndim të qytetit të Srebrenicës. Ai është gjashtë kilometra nga një magazinë bujqësore në Kravica ku më shumë se 1,300 boshnjakë nga Srebrenica u ekzekutuan nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995. Sipas Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, nuk kishte asnjë shenjë që tregoni se varri ishte trazuar ose që trupat ishin zhvendosur me qëllim.

Në gusht 2000, ekipi i zhvarrosjes i GJPNJ-së fillimisht zbuloi 34 trupa në vendin e quajtur Ravnice 1. Pjesa tjetër e procesit të zhvarrosjes vazhdoi nga korriku dhe gushti 2001, ku u zhvarrosën 172 trupa të tjerë. Kjo pjesë e zhvarrosjes u krye nga Komisioni Boshnjak për Personat e Zhdukur, ndërsa GJPNJ-ja monitoroi procesin. Zhvarrosja e dytë në të njëjtin vend u emërtua Ravnice 2. Megjithatë, Ravnice 1 dhe 2 konsiderohen si një varr masiv, nga të cilët u zhvarrosën një total prej 258 mbetjesh mortore.

Shumica e mbetjeve mortore u zbuluan në sipërfaqen e tokës së pjerrët në vend dhe trupat ishin kthyer në skelete pasi ishin ekspozuar për më shumë se pesë vjet në kushte të ndryshme atmosferike dhe kafshëve. Disa trupa ishin të mbuluar me dhe, ndërsa të tjerë jo dhe ishin rrokullisur nëpër shpat derisa kishin ndaluar nëpër pemë dhe gardhe.

Gjatë zhvarrosjes së Ravnice 1 dhe 2, materiale të tilla si beton, suva dhe materiale të tjera ndërtimi u gjetën brenda varrit. Këto u konsideruan të padallueshme nga materialet e gjetura në vendin e ekzekutimit në magazinën në Kravica dhe varret masive Glogova 1 dhe Glogova 2, si dhe varret masive dytësore në Zeleni Jadar 5 dhe 6. Me interes të veçantë ishte një copë polistireni e ngjyrosur e gjetur në Ravnice 2. Kjo pjesë shkume deti ishte identike me tabelën me shkronja që ndodhej në anën veriore të magazinës në Кravica, mbi derën e hyrjes.

Moshat e viktimave në Ravnice potencialisht varionin nga tetë deri në 90 vjeç në kohën e vdekjes së tyre. Të gjithë ishin qëlluar me armë, shpesh shumë herë. Kishte prova se ishin qëlluar të paktën 700 plumba.

Të gjitha trupat ishin meshkuj dhe kishin veshje civile. Katërmbëdhjetë prej tyre ishin 17 vjeç ose më të rinj.

Varri në Ravnice mbetet i pashënuar në një shpat të pjerrët, ngjitur me rrugën në pyll. Që atëherë, magazina në Kravica ka ndryshuar pak, megjithëse hyrja në të nuk lejohet pasi tani është në pronësi private.

Nga 12 deri më 13 korrik 1995, rreth 5,000 burra boshnjakë nga Srebrenica u kapën nga Ushtria Serbe e Bosnjës. Më 13 korrik, më shumë se 1,300 boshnjakë u transportuan në magazinën në Kravica, ku u ekzekutuan me pushkë automatike dhe bomba dore. Midis 14 dhe 16 korrikut, aty mbërritën automjete të rënda dhe i çuan viktimat në dy varre masive në fshatrat Glogova dhe Ravnice.

Nedeljko Milidragoviç, Aleksa Golijanin, Milivoje Batinica, Aleksandar Daceviç, Bora Miletiç, Jovan Petroviç, Dragomir Paroviç dhe Vidosav Vasiç akuzohen për organizimin dhe pjesëmarrjen në pushkatimin e më shumë se 1,300 civilëve në magazinë. Prokuroria serbe i akuzoi ata në 2015 dhe gjyqi u hap në shkurt 2017, por procedimet janë shoqëruar nga vonesa të shumta.

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.