Varri masiv i Tomasicës u zbulua nga autoritetet boshnjake në shtator 2013, afër një kompleksi të madh minierash, afërsisht 15 deri në 20 kilometra në juglindje të qytetit të Prijedorit. Një sipërfaqe prej 70 metra me 120 metra u gërmua gjatë 79 ditëve. U gjetën mbetjet mortore të 435 personave; 275 ishin trupa të plotë. Ai ishte një nga varret e vetme më të mëdha masive që u gjetën në Bosnjë dhe Hercegovinë. Eshtrat ishin kryesisht ato të viktimave të luftës të cilët u vranë në zona të ndryshme përreth Prijedorit nga viti 1992 deri në 1995.
Vendndodhja e varrit masiv mbetet e pashënuar, edhe pse shtrihet në një zonë të populluar, rreth 15 minuta me makinë nga Prijedori. Afër varrit masiv ndodhen disa shtëpi dhe një fushë futbolli.
Para luftës, zona ishte në pronësi të shtetit dhe përdorej nga kompania minerare Ljubija.
Vendndodhja e saktë e varrit masiv iu tregua Institutit Boshnjak të Personave të Zhdukur nga një ish-ushtar serb i Bosnjës i cili mori pjesë në fshehjen e vrasjeve, por donte të mbetej anonim. Trupat ishin kryesisht të boshnjakëve, shumica e të cilëve u vranë në qytetin e Prijedorit, fshatin Biscani ose në kampet pranë burgjeve Keraterm dhe Omarska, pastaj u ngarkuan në kamionë dhe u hodhën në gropa në vendin në Tomasica, disa prej të cilave arrinin deri në nëntë metra thellësi. Njëzet e nëntë prej trupave të gjetur në Tomasica ishin ata njerëz të vrarë në famëkeqen “Dhoma 3” në kampin Keraterm në 1992.
Varri masiv i Tomasicës është kryesisht një varr masiv primar i cili fillimisht përmbante më shumë se 435 trupa. Gjatë viteve 1990, më shumë se 350 trupa u nxorrën që aty dhe u varrosën përsëri në vende të tjera, duke përfshirë një gropë në Jakarina Kosa, 40 kilometra nga Tomasica, në përpjekjen e dytë për të fshehur krimin.
Para zbulimit kryesor në 2013, pati disa përpjekje të tjera për të gjetur trupa të viktimave të luftës rreth minierës së Tomasicës. Në vitin 2004, u gjetën mbetjet mortore të 24 personave, ndërsa dy vjet më vonë, u zbuluan dhjetë trupa.
Një përpjekje tjetër u bë në korrik 2020 kur autoritetet filluan një zhvarrosje duke vepruar bazuar në informacionet e dhëna nga një serb lokal, por nuk u bënë zbulime të reja.
Prijedori ka qenë zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës të shpallur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dha Milomir Stakiçit, presidentit të kohës së luftës të Shtabit të Krizave të komunës së kontrolluar nga serbët, dënimin më të lartë për krime në Prijedor – 40 vjet burg.