Stari Kevljani është një varr masiv dytësor në fshatin Kevljani, 20 kilometra nga qyteti i Prijedorit. Varri u zhvarros në gusht 2004 nga Instituti Boshnjak për Personat e Zhdukur dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, GJPNJ. Analizat e ADN-së treguan se aty u varrosën eshtrat e 456 individëve.
Stari Kevljani është një nga varret masive më të mëdha që janë zbuluar në zonën e Prijedorit. Varri ishte 20 metra i gjatë dhe pesë metra i gjerë dhe i thellë. Nga 456 mbetje njerëzore të gjetura atje, u identifikuan 354.
Fshati Kevljani është rreth katër kilometra larg kompleksit të minierës Omarska, ku Ushtria Serbe e Bosnjës kishte një kamp ndalimi gjatë kohës së luftës në vitin 1992. Disa varre të tjerë masivë janë zbuluar në të njëjtin fshat, njëri prej tyre jo shumë larg atij në Stari Kevljani.
Shumë nga ata që u identifikuan nga zhvarrimi në Stari Kevljani ishin burra boshnjakë dhe kroatë të cilët u mbajtën dhe u panë për herë të fundit në kampin Omarska, ose në dy kampe të tjerë në komunën e Prijedorit, Keratermit dhe Trnopoljes. Provat mjeko-ligjore treguan se shkaku i vdekjes në shumicën e rasteve ishin të shtënat me armë dhe se një numër viktimash kishin fraktura në kocka. Një numër i konsiderueshëm individësh që u identifikuan ishin liderë politikë, administrativë dhe fetarë, akademikë dhe figura të njohura publike nga komuna e Prijedorit.
Vendasit në Kevljani e shënuan vendin e varrit me një pllakë përkujtimore në të cilën janë gdhendur fjalët: “Në këtë vend në vitin 2004, u gjet varri masiv më i madh në Bosanska Krajina, Stari Kevljani, me gjithsej 456 viktima të pafajshme nga komuna e Prijedorit.” Varri masiv ndodhet në një lëndinë në fshat, pranë një shtëpie.
Një dëshmitar në gjyqin e liderit ushtarak serb të Bosnjë Ratko Mlladiç dëshmoi se në kampin Omarska kishte çdo ditë vrasje dhe tortura. Deri në 6,000 njerëz u mbajtën në kampin Omarska gjatë kohës që ai ishte i hapur në 1992, për një periudhë prej tre muajsh. Ekzekutimet masive gjithashtu filluan në fund të korrikut 1992. Të ndaluarit detyroheshin të pastronin zonat ku vriteshin njerëzit dhe të ngarkonin trupat e tyre në kamionët që i largonin ata që aty.
Kampi u mbyll më 21 gusht 1992 pasi gazetarë britanikë që vizituan vendin ekspozuan kushtet çnjerëzore dhe krimet e luftës në kamp. Të ndaluarit më pas u transferuan në kampe të tjera në zonë. Sipas Unionit Rajonal të Shoqatave të të Ndaluarve nga Rajoni i Banja Lukës, rreth 700 persona që mbaheshin në kampin Omarska vdiqën, megjithëse jo të gjithë u vranë brenda në kamp.
Gjykata e Hagës ka dënuar 11 persona për kryerjen e krimeve në kampet e paraburgimit në zonën e Prijedorit dhe gjykata shtetërore e Bosnjës ka dënuar katër të tjerë. Zeljko Mejakiç, zyrtari më i lartë në kampin e paraburgimit Omarska, u dënua me 21 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Prijedori është zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës janë shpallur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë dhe janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dha Milomir Stakiçit, presidentit të kohës së luftës të Shtabit të Krizave të komunës së kontrolluar nga serbët, dënimin më të lartë për krime në Prijedor – 40 vjet burg.