Jakarina Kosa është një varr masiv dytësor në kompleksin minerar të hekurit në Ljubija, 18 kilometra nga qyteti i Prijedorit. Gjithashtu brenda kompleksit të Ljubisë janë miniera e Tomasicës, ku u zbulua një nga varret masive më të mëdha parësore në vend dhe miniera e Omarskës, ku u ngrit një kamp paraburgimi nga autoritetet serbe të Bosnjës në fillim të luftës.
Zhvarrimet në Jakarina Kosa u kryen për herë të parë në 2001,kur u zhvarrosën më shumë se 300 pjesë trupash njerëzish. Në korrik 2015, pati një zhvarrim të dytë dhe u zbuluan më shumë se 600 eshtra. Në total, në varrin Jakarina Kosa janë identifikuar mbetje njerëzore që i përkasin 311 individëve.
Raportet e ekspertëve nga Komiteti Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur bazuar në analizat e ADN-së treguan se mbetje mortore nga të njëjtët individë u gjetën si në Tomasica ashtu edhe në Jakarina Kosa.
Mbetjet mortore nga Tomasica dhe Jakarina Kosa u identifikuan si ato të boshnjakëve dhe kroatëve nga qyteti i Kozaracit, qyteti i Prijedorit dhe fshatrat Biscani, Hambarine, Rizvanovici, Rakovcani, Carakovo dhe Zecovi, si dhe ato njerëzve që u mbajtën në kampet e paraburgimit Omarska dhe Keraterm në zonën e Prijedorit. Trupat e gjetur në Jakarina Kosa kishin veshje civile.
Varri në Jakarina Kosa ndodhet rreth pesë kilometra poshtë një rruge nga ndërtesa kryesore në ish-minierën e Ljubijas. Ai nuk është lehtësisht i arritshëm, pasi rruga është e pashtruar dhe plot gropa dhe varri ndodhet thellë brenda një grope. Ai mbetet i pashënuar.
Varri masiv parësor në Tomasica u gërmua pjesërisht nga Ushtria Serbe e Bosnjës dhe policia lokale në 1993 dhe një numër i madh trupash u morën dhe u rivarrosën në Jakarina Kosa, 37 kilometra larg, si pjesë e një përpjekjeje për të fshehur vrasjet.
Sipas Institutit për Personat e Zhdukur, procesi i transportimit të trupave zgjati dy javë. Vendasit përreth varrit në Jakarina Kosa u urdhëruan të evakuoheshin gjatë kësaj periudhe në mënyrë që ata të mos ishin dëshmitarë të asaj që po ndodhte.
Transporti i trupave nga Tomasica në Jakarina Kosa qe i mirëorganizuar dhe kryhej natën. Pjesë trupash të dekompozuar që u ngarkuan nëpër kamionë lanë gjurmë lëngjesh trupore në rrugë dhe u përdorën cisterna me ujë për të pastruar rrugët dhe kamionët pas përfundimit të transportit të trupave. Mbetjet njerëzore u shkarkuan nga kamionët në gropën në Jakarina Kosa dhe më pas u minuan në mënyrë që gropa të mbyllej dhe të ndalohej qasja e mëtejshme në vend.
Prijedori është zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës janë shpallur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë dhe janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dha Milomir Stakiçit, presidentit të kohës së luftës të Shtabit të Krizave të komunës së kontrolluar nga serbët, dënimin më të lartë për krime në Prijedor – 40 vjet burg.