Shkëmbinjtë Koriçani në malin Vlasic në Bosnjën dhe Hercegovinën qendrore ishin një vend vrasjesh dhe një varr klandestin i përdorur nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në 1992. Mbetjet njerëzore të 177 personave, kryesisht boshnjakë dhe kroatë, janë identifikuar në katër zhvarrime të kryera midis vitit 2003 dhe 2017.
Shkëmbinjtë, mbi një humnerë të thellë 300 deri 400 metra, shtrihen në rrugën midis qyteteve Travnik dhe Prijedor në territorin që konsiderohet të ketë qenë një bastion i rëndësishëm i Ushtrisë Serbe të Bosnjës për pjesën më të madhe të luftës.
Që nga lufta, ka pasur disa përpjekje për të shënuar vendndodhjen e varrit masiv nga familjet e viktimave, por pllakat janë hequr gjithmonë më pas. Çdo vit, familjet i përkujtojnë të vdekurit duke hedhur trëndafila në humnerë.
Më 21 gusht 1992, një grup i madh të burgosurish civilë nga kampi i burgimit Trnopolje po transportoheshin nga forcat serbe të Bosnjës në territorin e kontrolluar nga qeveria boshnjake në Travnik. Ndërsa autokolona arriti në malin Vlasic, rreth 200 burra të paarmatosur u nxorën dhe u ekzekutuan. Vetëm 12 prej tyre mbijetuan.
Duke qenë se humnera është shumë e thellë, hetuesit e patën jashtëzakonisht të vështirë për të zhvarrosur trupat dhe u gjetën vetëm mbetje njerëzore të pjesshme të shumë viktimave.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dënoi Darko Mrdjan, një anëtar i të ashtuquajturës skuadër ndërhyrjeje, një njësi speciale policore serbe e Bosnjës në qytetin e Prijedorit, për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në zbritjen nga automjetet, ruajtjen, shoqërimin dhe pushkatimin e njerëzve të paarmatosur në Shkëmbinjtë Koriçani. Mrdja u vetëdeklarua fajtor dhe u kërkoi falje viktimave.
Gjykatat vendase në Bosnjë dhe Hercegovinë gjithashtu ndoqën penalisht disa çështje të lidhura me vrasjet në Koriçani dhe dënuan oficerët e policisë Marinko Ljepoja, Radoslav Knezeviç, Zoran Babiç, Milorad Skrbiç, Dusan Jankoviç, Zeljko Stojniç dhe Sasa Zeceviç.
Prijedori është zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës janë gjetur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë dhe janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg.