Fshati i Suharekës me popullsi kryesisht etnike shqiptare shtrihet në një luginë të rrethuar me kodra ku, gjatë luftës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte vendstrehime. Ndërsa forcat serbe intensifikuan fushatën e tyre kundër UÇK-së, fshati u bë shpesh një objektiv i vrasjeve dhe plaçkitjeve nga serbët.
Sipas Human Rights Watch, shumica e abuzimeve në Suharekë ndodhën në mars dhe prill 1999, kur shumë banorë u dëbuan dhe pati një sërë vrasjesh. Mijëra njerëz ose u larguan për në Shqipëri ose u detyruan të iknin dhe të fshiheshin nëpër pyje. Plaçkitja dhe djegia e pronave civile ishte e përhapur.
Sipas zyrës së Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Suharekë, 430 persona u vranë në komunë gjatë pranverës së vitit 1999.
Eshtrat e 113 personave u gjetën në dy varre masive në verën e vitit 1999 – njëri në qendër të fshatit, ku u zbuluan 54 trupa, dhe i dyti, me 59 trupa, në varrezat e Sirokos, në rrugën për në qytetin e Prizreni. Një numër trupash nga Suhareka u gjetën gjithashtu rreth 340 kilometra larg në një qendër trajnimi policor në Batajnicë në Serbi.
54 trupat e civilëve shqiptarë të Kosovës të gjetur në vetë Suharekë u zbuluan pranë godinës së një ish-kompanie publike pijesh. Varri masiv është në një zonë të populluar, por mbetet i pashënuar.
Varri është disa minuta larg një memoriali të ngritur në vitin 2020 në kujtim të 48 anëtarëve të familjes Berisha që u vranë më 26 mars 1999. Viktimat përfshijnë 14 fëmijë, dy foshnja, një grua shtatzënë dhe një grua 100-vjeçare.
Vrasja e familjes Berisha konsiderohet si një nga masakrat më të rënda të luftës së Kosovës.
Forcat serbe mblodhën anëtarët e familjes, duke vrarë disa të moshuar me mitraloz përpara se të detyronin pjesën tjetër të familjes të hynte në një restorant piceri dhe të hidhnin granata dore mbi ta. Ata që kishin ende shenja jete pas kësaj, u qëlluan në kokë dhe trupat më pas u morën.
Autopsitë treguan se viktimat nuk u vranë në një betejë, por ishin ekzekutuar.
Gjykata serbe e krimeve të luftës dënoi anëtarët e Brigadës 37 të Ushtrisë Jugosllave për vrasjen e familjes Berisha, në gjyqin e parë për krime lufte të mbajtur në Serbi për krime1 në Kosovë.
Vrasjet në Suharekë dhe fshatrat përreth ishin gjithashtu pjesë e gjyqit të katër udhëheqësve politikë dhe ushtarakë jugosllavë dhe serbë – Nikola Sainoviç, Dragoljub Ojdanoviç, Nebojsa Pavkoviç, Vladimir Lazareviç dhe Sreten Lukiç – të cilët u shpallën fajtorë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.