Dy varret masive që shtrihen në fusha të gjelbra afër varrezave të fshatit në Suhodoll të Poshtëm dhe Suvi Do në komunën e Mitrovicës së Veriut fillimisht u zbuluan në vitin 1999. Ata u zhvarrosën më tej në 2017 dhe 2022.
Varret, një rrugë larg njëri-tjetrit, përmbanin 131 trupa. Shtatëdhjetë prej tyre u gjetën në lokacionin pikërisht në varrezat e fshatit dhe 61 në fushën e gjelbër poshtë rrugës. Të dy lokacionet janë të pashënuara.
Viktimat e varrosura aty u vranë nga forcat serbe gjatë pranverës së vitit 1999 gjatë fushatës së tyre të luftës kundër shqiptarëve etnikë në Kosovë.
Vendndodhja e varrit masiv mbetet e pashënuar.
Gërmimet e para preliminare të vendeve u kryen menjëherë pas luftës nga ushtarët francezë që shërbenin në misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Sipas një raporti të qeverisë amerikane, duke cituar informacione nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, dhe raportet e mediave, një ekip mjeko-ligjor më pas zbuloi trupat e 72 shqiptarëve të Kosovës të cilët ishin qëlluar nga një distancë e afërt.
Në mars të vitit 2022, Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzoi Muhamet Alidemajn për krime lufte, duke e akuzuar atë se ishte pjesë e një grupi të policisë dhe trupave serbe që vranë 130 civilë shqiptarë në fshatin Izbicë afër Skënderajt.
Sipas aktakuzës, më 18 mars 1999, Alidemaj dhe të tjerë detyruan një fshatare që t’i udhëhiqte në kontrollin e shtëpisë së saj nën kërcënimin e armës, e goditën me shuplakë, i vodhën 1,000 marka gjermane dhe i vunë flakën pronës së saj.
Aktakuza pohoi më tej se Alidemaj dhe të tjerë ndanë dhunshëm gratë dhe fëmijët nën 12 vjeç nga burrat dhe i urdhëruan të largoheshin për në Shqipëri.
Burrat u ndanë në grupe dhe rreth 130 prej tyre u ekzekutuan me automatik. Vetëm 12 arritën të mbijetonin.
Dy muaj pas sulmit, Alidemaj dhe pjesëtarë të tjerë të forcave serbe dyshohet se janë kthyer në fshat, i kanë zhvarrosur trupat me ekskavator dhe i kanë marrë, sipas aktakuzës. Alidemaj i mohoi akuzat ndaj tij dhe u vetëdeklarua i pafajshëm.
Pas luftës, disa nga viktimat e masakrës së Izbicës u gjetën në varret masive në Suhodoll të Poshtëm, ndërsa të tjerat u gjetën në varre të tjera masive në Novolan afër Vushtrrisë dhe në një qendër trajnimi të policisë serbe në Batajnicë, afër Beogradit.