Varri masiv në Makoc, shtatë kilometra në veri të Prishtinës, u zbulua në korrik 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Banorët etnikë shqiptarë të Makocit, të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe, u kthyen në fshatin e tyre pas mbërritjes në Kosovë të forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-it. Ata panë eshtra të shpërndara dhe trupa të dekompozuar të varrosur në varre të cekëta rreth varrezave kryesore të fshatit.
Vendi ku u gjetën shumica e trupave, pranë rrugës, tani ka një zonë përkujtimore me varret e 115 viktimave nga fshati. Fshati u sulmua disa herë nga forcat jugosllave dhe ndodhi një masakër më 21 prill 1999, ku vdiqën gati 100 njerëz. Ata u vranë në rrugë nga forcat serbe teksa tentonin të largoheshin nga kryeqyteti. Viktima më e re e kësaj masakre ishte një vajzë tetëvjeçare, Fortesa Rusinovci, ndërsa më e vjetra ishte një grua 97-vjeçare, Emine Visoka.
“Quajeni autostrada e ferrit”, raportoi Los Angeles Times nga Makoci më 5 korrik 1999, disa ditë pasi fshatarët u kthyen në shtëpitë e tyre.
“Era e keqe ndihet ngado, vjen nga shtëpi të shumta, të paktën tre varre masive dhe fusha ugare të mbushura me lule të egra”, raportoi gazeta.
“Në çdo shtëpi, refugjatët gjejnë prova që është e pamundur të injorohen. Ka një dhomë ndenjeje ku mbizotëron një grumbull hiri në formën e një trupi, që shënon vendin ku një burrë ishte mbështjellë me batanije, u lag me benzinë dhe u dogj i gjallë. Ka një mur të mbushur me vrima plumbash. Policia serbe thuhet se ka ekzekutuar atje burra që ishin të ulur në gjunjë”, vazhdoi raporti.
Deri më tani, asnjë aktakuzë nuk është ngritur për vrasjet.