Një rrugë e paasfaltuar rreth 75 kilometra në perëndim të kryeqytetit Prishtinë të çon në vendin ku u gjetën 97 trupa të shqiptarëve etnikë disa muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë në verën e vitit 1999.
Një raport i agjencisë së lajmeve Agence-France Presse më 13 gusht 1999 thoshte se viktimat e zhvarrosura nga ekspertët e mjekësisë ligjore të Kombeve të Bashkuara afër Rakoshit besohet se kanë qenë të burgosur që janë vrarë në Burgun e Dubravës afër Istogut. Datat e vdekjes së tyre besohet të kenë qenë rreth 20 majit, menjëherë pasi NATO-ja bombardoi burgun, siç u konfirmua më vonë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, GJPNJ.
Sipas një raporti të Human Rights Watch, të gjitha varret në Rakosh ishin të shënuara KPD, që do të thotë Kazneno Popravni Dom (Institucioni Korrektues Penal) në serbisht.
Vendi i varrimit është rreth 15 minuta me makinë nga Burgu i Dubravës, objekti më i madh i paraburgimit në Kosovë, jo shumë larg kufirit me Malin e Zi. Burgu kishte tre ndërtesa që mund të strehonin më shumë se 1,000 të burgosur.
Gjatë fushatës ajrore kundër regjimit të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në pranverën e vitit 1999, bombat e NATO-s e goditën burgun dy herë, më 19 dhe 21 maj, duke vrarë rreth 19 të burgosur. NATO-ja pretendoi se kishte aktivitet ushtarak në afërsi të drejtpërdrejtë.
Gjatë ditëve në vijim, deri në 97 të burgosur, të gjithë shqiptarë etnikë, u vranë gjithashtu nga forcat jugosllave, sipas OJQ-së Human Rights Watch.
Dëshmitarët thanë se një ditë pas sulmit të dytë të NATO-s, qindra të burgosur u mblodhën në fushën sportive të burgut dhe policia serbe dhe rojet e burgut hapën zjarr dhe hodhën granata ndaj tyre.
Në orët në vijim, të burgosurit që ishin fshehur brenda ndërtesës gjithashtu u qëlluan dhe u vranë, sipas dëshmitarëve okularë të cituar nga Human Rights Watch.
Gazetarët e New York Times vizituan burgun dhe raportuan në nëntor 1999 se kishte ende “grumbuj rrobash të braktisura, të lagura nga shiu prej muajsh, por që ende lëshonin një erë të keqe trupash të vdekur. Dhe në bodrumet e ndërtesave, në dysheme ka ende gjak, nëpër mure ka vrima plumbash dhe në dysheme ka shenja nga shpërthimet e granatave.”
Masakra e Burgut të Dubravës u hetua nga misionet ndërkombëtare në Kosovë pas përfundimit të luftës, por nuk u ngrit aktakuzë pasi autorët besohej se ishin në Serbi.
Në vitin 2010, OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd paraqiti një kallëzim në prokurorinë serbe duke akuzuar 34 persona si përgjegjës për vrasjen e më shumë se 90 të burgosurve shqiptarë etnikë dhe plagosjen e më shumë se 150 të tjerëve.
Në mesin e të akuzuarve nga OJQ-ja ishin ministri i atëhershëm i drejtësisë i Serbisë Dragoljub Jankoviç, zëvendësi i tij Zoran Stevanoviç dhe ndihmësi i ministrit të policisë Obrad Stevanoviç, si dhe zyrtarë të shumtë të përmendur të policisë dhe anëtarë të paidentifikuar të forcës policore të Kosovës, stafit drejtues të burgjeve dhe rojeve. Fondi për të Drejtën Humanitare bëri thirrje për një hetim të dyshimeve se ata kishin planifikuar, organizuar, urdhëruar dhe marrë pjesë në vrasjen e të burgosurve shqiptarë etnikë të paarmatosur, si dhe shkatërrimin e provave të krimit dhe fshehjen e autorëve të drejtpërdrejtë. Burrat që u akuzuan këmbëngulën se nuk ishin fajtorë.
Prokuroria serbe për krimet e luftës njoftoi në prill 2012 se po hetonte vrasjet. Një burim në prokurorinë e Beogradit tha për BIRN se një numër zyrtarësh të lartë shtetërorë dhe policorë u morën në pyetje në Serbi si të dyshuar të mundshëm. Megjithatë, askush nuk është paditur në Serbi deri më tani.
Në nëntor 2023, një serb i cili u identifikua vetëm me inicialet G.M. u padit për përfshirje të dyshuar në masakër.
“I pandehuri akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 109 të burgosurve dhe plagosjen e 108 të burgosurve të tjerë, të gjithë të kombësisë (etnisë) shqiptare, më 22 maj 1999 në ‘Masakrën e Dubravës’”, tha prokuroria.
Autoritetet e Kosovës kanë ngritur një monument në oborrin e Burgut të Dubravës për të përkujtuar të vrarët. Një ngjarje përkujtimore mbahet çdo vit në burg në përvjetorin e vrasjeve.