Një memorial në periferi të fshatit Korishë, rreth shtatë kilometra nga qyteti jugor i Prizrenit, përkujton 72 civilët shqiptarë etnikë që u vranë atje më 13 maj 1999. Memoriali dhe varrezat ku janë varrosur trupat e viktimave shtrihet në një fushë të madhe të gjelbër lart në kodra.
Viktimat ishin nga fshatrat Korishë, Bllacë, Budakovë, Mushtisht dhe Grejkoc në komunën e Suharekës dhe po përpiqeshin t’u shpëtonin forcave serbe kur vdiqën.
Shumica e tyre u vranë kur NATO-ja hodhi bomba gjatë natës në një kamp refugjatësh në një zonë të pyllëzuar në rrugën Prizren-Suharekë, afër Korishës. NATO-ja, e cila po kryente një fushatë sulmesh ajrore që synonin të detyronin regjimin e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç t’i jepte fund represionit të dhunshëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, e pranoi bombardimin vdekjeprurës, duke thënë se i vinte keq për çdo “viktimë civile aksidentale”.
Dëshmitarët që i mbijetuan sulmit kanë pohuar se civilët shqiptarë etnikë u përdorën si mburoja njerëzore nga policia serbe në një përpjekje për të parandaluar një sulm të NATO-s.
Një i mbijetuar, Sokol Ahmetaj, i cili në atë kohë ishte 16 vjeç, kujton se një natë më parë, më 12 maj 1999, civilëve që ishin strehuar në malet përreth iu tha se forcat serbe do të bënin një bastisje, kështu që ata vendosën të zbrisnin në fshat në përpjekje për t’u arratisur në Shqipëri.
Kur arritën në një postbllok serb afër Korishës, ata u ndaluan dhe u urdhëruan ta kalonin natën atje, vetëm disa orë para se NATO-ja të fillonte sulmin.
Deutsche Welle transmetoi gjithashtu intervista pas incidentit me të mbijetuar të cilët thanë se policia serbe detyroi rreth 600 shqiptarë të zhvendosur të Kosovës të shërbenin si mburoja njerëzore në Korishë para sulmit.
“Na u tha se diçka e keqe do të na ndodhte, nëse largoheshim nga vendi”, tha një dëshmitar okular i intervistuar nga shërbimi shqiptar i Deutsche Welle. Ai tha se policia serbe la të kuptohej se çfarë do të ndodhte. “Tani do të shihni se si duket sulmi i NATO-s”, citoi ai të ketë thënë një polic.
Burri tha se në fund shkoi të flinte nën një traktor, vetëm për t’u zgjuar më pas nga shpërthimet dhe klithmat e fëmijëve dhe të rriturve.
Askush nuk është paditur për vdekjet në Korishë deri më tani