Crni Vrh është një varr dytësor masiv që u zbulua në 2003 pranë fshatit Snagovo, 16 kilometra në jugperëndim të qytetit të Zvornikut. Ai ishte një nga varret masive më të mëdhenj që janë zbuluar në Bosnjë dhe Hercegovinë – më shumë se 40 metra i gjatë, pesë metra i gjerë dhe tre metra i thellë. Në këtë varr u zhvarrosën mbetjet mortore të 629 trupave nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Zyra e Prokurorit Boshnjak dhe Instituti Boshnjak i Personave të Zhdukur, ndërkohë që u identifikuan 537.
Eshtrat e viktimave të varrosura në Crni Vrh ishin transferuar nga të paktën dy varre primare diku tjetër, në një përpjekje për të fshehur gjurmët e vrasjeve të tyre. Viktimat u zbulua se ishin burra, gra dhe fëmijë nga fshatrat në zonën e Zvornikut të cilët u vranë në 1992. Trupat mendohet se ishin zhvendosur nga vendet e tyre të para të prehjes në vitin 1995 ose në fillim të vitit 1996. Disa nga viktimat u gjetën në çanta trupash të Ushtrisë Popullore Jugosllave, njësoj si trupat e gjetur në Ramin Grob.
Varri në Crni Vrh mbetet i pashënuar, pranë një rruge malore, i rrethuar nga pyje dhe mbeturina të shpërndara. Deponia lokale e mbeturinave ndodhet disa qindra metra larg varrit masiv. Pak metra më larg nga Crni Vrh, ka shumë varre masive dytësore, siç janë ata përgjatë rrugës Hodzici që lidhen me ekzekutimet në Srebrenicë.
Midis mbetjeve mortore të gjetura në vend ishin ato të familjes Ribiç, të cilët ishin me origjinë rome. Sipas Institutit Boshnjak për Personat e Zhdukur, nëntë anëtarë të familjes Ribiç u vranë, përfshirë fëmijët, më i riu prej të cilëve ishte dy vjeç. Vrasësit u identifikuan si anëtarë të një njësie paraushtarake nga Serbia të quajtur Çetnikët e Simës, të udhëhequr nga Sima Bogdanoviç. Gjykata e Apelit e Beogradit liroi nga akuzat gjashtë anëtarë të njësisë Çetnikët e Simës për vrasjen e 27 civilëve romë. Por tre prej tyre – Zoran Aliç, Zoran Djurdjeviç dhe Tomislav GavriÇ – u dënuan për trajtim çnjerëzor, shkelje të integritetit fizik, poshtërim seksual dhe përdhunim. Simo Bogdanoviç vdiq gjatë gjyqit.
Disa nga viktimat e identifikuara në Crni Vrh u vranë në Shtëpinë e Kulturës Celopek, afër Zvornikut, e cila u përdor si një ambient paraburgimi për boshnjakët nga fshati Divic nga maji deri në korrik 1992. Qendra e paraburgimit drejtohej nga njësia paraushtarake Grerëzat e Verdha , Ushtria Serbe e Bosnjës dhe forca e Mbrojtjes Territoriale Zvornik. Njësia paraushtarake Shqiponjat e Bardha shpesh vizitonte institucionin dhe torturonte, abuzonte seksualisht dhe ekzekutonte të ndaluarit.
Në gjyqin e liderit të Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, një dëshmitar i mbrojtur dëshmoi se ai kishte parë dy kamionë të shkonin nga Karakaj afër Zvornikut për në Crni Vrh. Dëshmitari i ndoqi kamionët dhe pa një varr tashmë të përgatitur në të cilin u shkarkuan 30 deri në 50 trupa meshkujsh. Ai gjithashtu pa edhe disa krahë dhe këmbë që po shkarkoheshin në varr.
Një dëshmitar i mbrojtur i koduar B-1775, një nga burrat përgjegjës për transportimin e trupave të viktimave nga zona e Zvornikut në varre masive, dëshmoi në gjyqin e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, se disa trupa nga Ramin Grob u gërmuan nga forcat serbe të Bosnjës në një përpjekje për të mbuluar krimin dhe më pas u transportuan në një varr dytësor në Crni Vrh. Dëshmitari ishte gjithashtu i përfshirë në transportimin e trupave nga Zvorniku në vende të tjera me urdhër të një anëtari të një njësie paraushtarake të quajtur Garda Vullnetare Serbe, e njohur më mirë si Tigrat, e udhëhequr nga Zeljko Raznatoviç, ose ndryshe Arkani.
GJPNJ dënoi Mico Stanisiçin, ministrin e brendshëm të kohës së luftës të Republikës Srpska dhe Stojan Zupljanin, kreun e Qendrës së Shërbimeve të Sigurisë të policisë Banja Luka, për kryerjen e krimeve në 20 komuna boshnjake, përfshirë Zvornik, në vitin 1992 dhe i dënoi ata me 22 vjet burg.
Gjykata e Lartë Serbe në vitin 1998 dënoi Dusan Vuckoviç, liderin e grupit paraushtarak Grerëzat e Verdha, me dhjetë vjet burg për vrasjen e 16 civilëve boshnjakë dhe plagosjen e 20 të tjerëve në Qendrën Kulturore në Celopek më 28 qershor 1992. Vuckoviç u akuzua përsëri në vitin 2005 , së bashku me gjashtë të dyshuar të tjerë, për kryerjen e krimeve të luftës ndaj civilëve në Zvornik dhe zonën përreth tij nga fillimi i majit deri në mes të korrikut 1992, por procedimet kundër tij u përfunduan pasi ai u gjet i vdekur në burg. Pesë të bashkë-pandehurit e tjerë dënuan: Darko Jankoviç u dënua me 15 vjet burg, Dragan Slavkoviç me 13 vjet, Ivan Koraç me nëntë vjet, Sinisa Filipoviç me tre vjet dhe Goran Saviç me 18 muaj burg.