Ramin Grob (i njohur edhe si Glumina) është një varr masiv primar i vendosur në fshatin Glumina, rreth tetë kilometra në veriperëndim të qytetit të Zvornikut. Varri u gjet në mjediset e një varreze ekzistuese myslimane të quajtur Ramin Grob. Në tetor 1998, Komisioni Boshnjak i Personave të Zhdukur zhvarrosi eshtrat e 274 individëve nga ky varr, ndërkohë që u identifikuan 271.
Sipas Komisionit të Personave të Zhdukur, më shumë se 700 njerëz u raportuan të zhdukur nga Glumina dhe disa fshatra aty pranë në fillim të vitit 1992 dhe dyshohej se ata ishin vrarë dhe varrosur në afërsi. Dëshmitarët raportuan se gjatë një periudhe dy-tre javore në prill 1992, disa kamionë të mëdhenj u panë duke ardhur në varrezën Ramin Grob dhe nga kamionët u shkarkuan shumë çanta të mëdha me ngjyrë të errët. Përshkrimi i tyre i këtyre çantave përputhej me çantat e zbuluara në varrezën Ramin Grob. Çantat mbanin stemat e Ushtrisë Popullore Jugosllave. Nga trupat e zhvarrosur, 208 u gjetën të varrosur brenda në çanta, ndërsa 66 të tjerë jo.
Shkaku i vdekjes i përcaktuar nga patologët mjeko-ligjorë ishin plagët me armë zjarri në 246 nga 274 rastet totale. Të gjithë trupat e gjetur, dy femra dhe 272 meshkuj, ishin të veshur civilë. Moshat e trupave të identifikuar varionin nga 14 në 80 vjeç dhe ata vinin nga Glumina dhe fshatrat përreth Drinjaca, Kostijerovo dhe Musici.
Në vitin 2016, 20 trupa të zhvarrosur nga ky vend u varrosën si viktima anonime, pasi askush nuk qe në gjendje t’i identifikonte ata. Varri Ramin Grob mbetet i pashënuar.
Një dëshmitar i mbrojtur i koduar B-1775, një nga burrat përgjegjës për transportimin e trupave të viktimave nga zona e Zvornikut në varre masive, dëshmoi në gjyqin e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, se disa trupa nga Ramin Grob u gërmuan nga forcat serbe të Bosnjës në një përpjekje për të mbuluar krimin dhe më pas u transportuan në një varr dytësor në Crni Vrh. Dëshmitari ishte gjithashtu i përfshirë në transportimin e trupave nga Zvorniku në vende të tjera me urdhër të një anëtari të një njësie paraushtarake të quajtur Garda Vullnetare Serbe, e njohur më mirë si Tigrat, e udhëhequr nga Zeljko Raznatoviç, ose ndryshe Arkani.
Në gjyqin e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në GJPNJ, një dëshmitar i mbrojtur i koduar B-1455, i cili u mbajt rob me boshnjakë të tjerë në Qendrën Kulturore në Drinjaca, afër Zvornikut, e cila u përdor si një ambient paraburgimi nga Brogada e Zvornikut e Ushtrisë Serbe të Bosnjës në maj 1992, kujtoi se kishte parë anëtarët e Tigrave të Arkanit duke hyrë në dhomë dhe duke rrahur njerëzit për disa orë. Të njëjtën ditë, pasi paraushtarakë të Arkanit u larguan, dëshmitari thirri anëtarët e një njësie tjetër paraushtarake, Shqiponjat e Bardha, duke abuzuar dhe torturuar të ndaluarit dhe më pas duke i larguar që aty në grupe jashtë për t’i ekzekutuar. Dëshmitari mbijetoi, por babai i tij dhe tre vëllezërit e tjerë ishin mes të vrarëve dhe trupat e tyre u zhvarrosën nga varreza Ramin Grob në 1998.
Gjykata e Lartë e Beogradit dënoi dy ish-luftëtarë të forcave të Mbrojtjes Territoriale në Zvornik, Branko Grujiç dhe Branko Popoviç, përkatësisht me gjashtë dhe 15 vjet burg për krime lufte kundër civilëve në komunën e Zvornikut në 1992. Gjykata shtetërore boshnjake aktualisht po gjykon Cvijan Tomaniç për pjesëmarrje në persekutimin dhe vrasjet e civilëve boshnjakë në Zvornik si anëtar i Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës. Gjykata e Qarkut Bijeljina liroi Milan Ignjatoviçin nga akuzat për pjesëmarrje në vrasjet në Qendrën Kulturore në Drinjaca.
Vendimet e dhëna nga GJPNJ-ja, gjykata shtetërore e Bosnjës dhe Gjykata e Lartë e Beogradit kanë dënuar liderët politikë të Republikës Srpska, presidentin e qeverisë së përkohshme komunale të Zvornikut dhe 17 ushtarë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, duke përfshirë një komandant, me një total prej 186 vjet e nëntë muaj burg, plus dy dënime me burgim të përjetshëm, për krime lufte në zonën e Zvornikut. Asnjë anëtar i Tigrave të Arkanit nuk është dënuar për krime në Zvornik.