Çikatovë e Vjetër 2

Tre varre masive u gjetën në fshatin Çikatovë e Vjetër pas tërheqjes së trupave jugosllave dhe forcave serbe në vitin 1999. Ekspertët ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore gjetën eshtrat e gjithsej 230 personave. 

Çikatova e Vjetër është në komunën e Gllogocit, pjesë e një rajoni kodrinor të Kosovës qendrore të njohur si Drenica, dhe gjendet rreth 30 kilometra nga kryeqyteti Prishtinë.

Në vitin 1991, Çikatova e Vjetër kishte të regjistruar një popullsi prej 1,300 banorësh, të gjithë shqiptarë etnikë. Fshati ndodhet afër uzinës së ferronikelit Feronikel, e cila me raste gjatë luftës nga fillimi i vitit 1998 e tutje shërbeu si bazë e operacioneve për forcat serbe të sigurisë kundër kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ishin aktivë në zonë.

Në lokacionin e njohur si Çikatovë e Vjetër 2, trupat e 50 personave u gjetën të varrosur në një varr masiv pranë uzinës Feronikeli.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte aktive brenda dhe rreth fshatit gjatë viteve 1998 dhe 1999 dhe, për këtë arsye, forcat serbe shkaktuan një sasi të madhe dëmi në fshat shumë kohë përpara se NATO-ja të fillonte fushatën e saj ajrore në mars 1999 që synonte t’i jepte fund fushatës shtypëse të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç.

Në fund të prillit 1999 dhe në fillim të majit, forcat serbe rrethuan fshatrat e zonës dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët. Burrat u mbajtën në një xhami në Drenas para se të largoheshin që aty.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd, 44 burra u ngarkuan në një kamion ushtarak, i cili më pas u ndal pranë gropave të gërmuara për qëllime minerare për fabrikën Feronikeli në fshatin Çikatovë e Vjetër.

Me urdhër të një oficeri të policisë speciale serbe të njohur si “Komandanti”, pjesëtarët e tjerë të forcave speciale të policisë dhe disa ushtarë rreshtuan shqiptarët etnikë buzë njërës prej gropave dhe në të njëjtën kohë qëlluan mbi ta, duke qëlluar vazhdimisht derisa 43 nga burrat ranë në gropë.

Një burrë që ishte vrarë më parë në kamion, u hodh në grumbullin e kufomave në gropë, sipas vendimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, në gjyqin pasues të gjashtë zyrtarëve të ushtrisë dhe policisë jugosllave dhe serbe. 

Forcat serbe më pas hodhën disa granata dore në gropë. Behar Topilla, i cili ishte ndër të parët që ra në gropë, i shpëtoi masakrës. Pasi erdhi në vete dhe u sigurua që nuk rrezikonte më, Topilla arriti të dilte nga poshtë trupave të pajetë në gropë, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare.

Human Rights Watch vizitoi Çikatovën e Vjetër më 25 qershor 1999 pasi forcat serbe u tërhoqën nga Kosova dhe zbuluan se midis 40 dhe 50 për qind e fshatit ishte dëmtuar rëndë. Shumica e shtëpive ishin djegur nga brenda, gjë që tregon se ato shënjestruar në mënyrë specifike dhe nuk ishin dëmtuar luftimet. Disa ndërtesa ishin shkatërruar gjithashtu nga buldozerë.

Vrasjet në zonë ishin pjesë e gjyqit në GJPNJ të ish-zyrtarit të qeverisë jugosllave Nikola Sainoviç dhe katër udhëheqësve të tjerë politikë dhe ushtarakë, Dragoljub Ojdanoviç, Nebojsa Pavkoviç, Vladimir Lazareviç dhe Sreten Lukiç, të cilët u shpallën fajtorë.

Në vitin 2014, Fondi për të Drejtën Humanitare ngriti një kallëzim penal duke akuzuar ish-komandantin e Brigadës së 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, Dikoviç, se mbante përgjegjësi për krimet e kohës së luftës. Dikoviçi ka këmbëngulur se nuk është fajtor dhe prokuroria serbe nuk e ka paditur ende atë.

Prizren

Varri masiv në varrezat kryesore në Prizren u zbulua nga ekspertë ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore që punonin për Kombet e Bashkuara në vitin 1999, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova. Varri përmbante trupa të civilëve të vrarë në komunën e Prizrenit. 

Komuna e Prizrenit, e ndodhur në skajin jugperëndimor të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë, kishte një popullsi etnike relativisht të përzier para fillimit të luftës në vitin 1999. 

Shumë krime u kryen në komunë gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, kur presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç e shtoi represionin e tij ndaj shqiptarëve të Kosovës. 

Lagjja Tusus e Prizrenit ishte një fokus specifik i krimeve gjatë asaj periudhe. Sipas Human Rights Watch, forcat serbe vranë rreth 27 deri në 34 njerëz dhe dogjën mbi 100 shtëpi në një sulm në Tusus më 26 maj 1999.

Sipas dëshmitarëve, autorët e sulmit, incidenti më i dhunshëm në Prizren gjatë konfliktit, ishin një përzierje e forcave speciale të policisë dhe paraushtarakëve serbë.

Pas vrasjeve, një kamion mbërriti për të marrë kufomat e të vdekurve. Sipas një raporti të Human Rights Watch, personat që sollën kamionin përfshinin një shofer shqiptar etnik, katër nëpunës civilë serbë dhe katër romë që kishin për detyrë të merrnin kufomat.

“Kamion i tyre ishte plot me trupa të pajetë”, tha një dëshmitar. “Ai ishte hapur nga mbrapa dhe mund t’i shihje. Ata shkonin shtëpi më shtëpi duke kërkuar trupa. I hidhnin në pjesën e pasme të kamionit si thasë.”

Me përjashtim të lagjes Tusus, spastrimi etnik në qytetin e Prizrenit u krye me më pak dhunë dhe më pak sulme brutale se në shumë pjesë të tjera të Kosovës. Megjithatë, fshatrat përreth nuk u kursyen dhe pati dëbime dhe vrasje të organizuara të shqiptarëve etnikë. 

Të vrarët në qytetin e Prizrenit dhe zonat përreth u varrosën në një numër varresh masive më të vogla ose në varrezat qendrore në varre të pashënuar. 

Armata e Tretë e Ushtrisë Jugosllave, e cila ishte përgjegjëse për Kosovën, kishte një kazermë në Prizren dhe dëshmitarë kanë pohuar se ushtria ishte e përfshirë në shumë operacione në komunë, duke i koordinuar veprimet e saj me policinë. 

Brigada 549 e Motorizuar e Ushtrisë, e komanduar nga Bozidar Deliç, ishte e vendosur në Prizren. Deliç më vonë u hetua nga prokuroria serbe për krime lufte, por nuk u padit kurrë. Pas luftës, Deliç ishte aktiv në politikën serbe dhe shërbeu si deputet para vdekjes së tij në 2022.

Makoc

Varri masiv në Makoc, shtatë kilometra në veri të Prishtinës, u zbulua në korrik 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Banorët etnikë shqiptarë të Makocit, të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe, u kthyen në fshatin e tyre pas mbërritjes në Kosovë të forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-it. Ata panë eshtra të shpërndara dhe trupa të dekompozuar të varrosur në varre të cekëta rreth varrezave kryesore të fshatit.

Vendi ku u gjetën shumica e trupave, pranë rrugës, tani ka një zonë përkujtimore me varret e 115 viktimave nga fshati. Fshati u sulmua disa herë nga forcat jugosllave dhe ndodhi një masakër më 21 prill 1999, ku vdiqën gati 100 njerëz. Ata u vranë në rrugë nga forcat serbe teksa tentonin të largoheshin nga kryeqyteti. Viktima më e re e kësaj masakre ishte një vajzë tetëvjeçare, Fortesa Rusinovci, ndërsa më e vjetra ishte një grua 97-vjeçare, Emine Visoka.

“Quajeni autostrada e ferrit”, raportoi Los Angeles Times nga Makoci më 5 korrik 1999, disa ditë pasi fshatarët u kthyen në shtëpitë e tyre.

“Era e keqe ndihet ngado, vjen nga shtëpi të shumta, të paktën tre varre masive dhe fusha ugare të mbushura me lule të egra”, raportoi gazeta.

“Në çdo shtëpi, refugjatët gjejnë prova që është e pamundur të injorohen. Ka një dhomë ndenjeje ku mbizotëron një grumbull hiri në formën e një trupi, që shënon vendin ku një burrë ishte mbështjellë me batanije, u lag me benzinë dhe u dogj i gjallë. Ka një mur të mbushur me vrima plumbash. Policia serbe thuhet se ka ekzekutuar atje burra që ishin të ulur në gjunjë”, vazhdoi raporti.

Deri më tani, asnjë aktakuzë nuk është ngritur për vrasjet.

Suhodoll i Poshtëm

Dy varret masive që shtrihen në fusha të gjelbra afër varrezave të fshatit në Suhodoll të Poshtëm dhe Suvi Do në komunën e Mitrovicës së Veriut fillimisht u zbuluan në vitin 1999. Ata u zhvarrosën më tej në 2017 dhe 2022. 

Varret, një rrugë larg njëri-tjetrit, përmbanin 131 trupa. Shtatëdhjetë prej tyre u gjetën në lokacionin pikërisht në varrezat e fshatit dhe 61 në fushën e gjelbër poshtë rrugës. Të dy lokacionet janë të pashënuara. 

Viktimat e varrosura aty u vranë nga forcat serbe gjatë pranverës së vitit 1999 gjatë fushatës së tyre të luftës kundër shqiptarëve etnikë në Kosovë.

Vendndodhja e varrit masiv mbetet e pashënuar.

Gërmimet e para preliminare të vendeve u kryen menjëherë pas luftës nga ushtarët francezë që shërbenin në misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Sipas një raporti të qeverisë amerikane, duke cituar informacione nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, dhe raportet e mediave, një ekip mjeko-ligjor më pas zbuloi trupat e 72 shqiptarëve të Kosovës të cilët ishin qëlluar nga një distancë e afërt. 

Në mars të vitit 2022, Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzoi Muhamet Alidemajn për krime lufte, duke e akuzuar atë se ishte pjesë e një grupi të policisë dhe trupave serbe që vranë 130 civilë shqiptarë në fshatin Izbicë afër Skënderajt. 

Sipas aktakuzës, më 18 mars 1999, Alidemaj dhe të tjerë detyruan një fshatare që t’i udhëhiqte në kontrollin e shtëpisë së saj nën kërcënimin e armës, e goditën me shuplakë, i vodhën 1,000 marka gjermane dhe i vunë flakën pronës së saj.

Aktakuza pohoi më tej se Alidemaj dhe të tjerë ndanë dhunshëm gratë dhe fëmijët nën 12 vjeç nga burrat dhe i urdhëruan të largoheshin për në Shqipëri.

Burrat u ndanë në grupe dhe rreth 130 prej tyre u ekzekutuan me automatik. Vetëm 12 arritën të mbijetonin.

Dy muaj pas sulmit, Alidemaj dhe pjesëtarë të tjerë të forcave serbe dyshohet se janë kthyer në fshat, i kanë zhvarrosur trupat me ekskavator dhe i kanë marrë, sipas aktakuzës. Alidemaj i mohoi akuzat ndaj tij dhe u vetëdeklarua i pafajshëm.

Pas luftës, disa nga viktimat e masakrës së Izbicës u gjetën në varret masive në Suhodoll të Poshtëm, ndërsa të tjerat u gjetën në varre të tjera masive në Novolan afër Vushtrrisë dhe në një qendër trajnimi të policisë serbe në Batajnicë, afër Beogradit.

 

Suharekë

Fshati i Suharekës me popullsi kryesisht etnike shqiptare shtrihet në një luginë të rrethuar me kodra ku, gjatë luftës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte vendstrehime. Ndërsa forcat serbe intensifikuan fushatën e tyre kundër UÇK-së, fshati u bë shpesh një objektiv i vrasjeve dhe plaçkitjeve nga serbët.

Sipas Human Rights Watch, shumica e abuzimeve në Suharekë ndodhën në mars dhe prill 1999, kur shumë banorë u dëbuan dhe pati një sërë vrasjesh. Mijëra njerëz ose u larguan për në Shqipëri ose u detyruan të iknin dhe të fshiheshin nëpër pyje. Plaçkitja dhe djegia e pronave civile ishte e përhapur.

Sipas zyrës së Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Suharekë, 430 persona u vranë në komunë gjatë pranverës së vitit 1999.

Eshtrat e 113 personave u gjetën në dy varre masive në verën e vitit 1999 – njëri në qendër të fshatit, ku u zbuluan 54 trupa, dhe i dyti, me 59 trupa, në varrezat e Sirokos, në rrugën për në qytetin e Prizreni. Një numër trupash nga Suhareka u gjetën gjithashtu rreth 340 kilometra larg në një qendër trajnimi policor në Batajnicë në Serbi.  

54 trupat e civilëve shqiptarë të Kosovës të gjetur në vetë Suharekë u zbuluan pranë godinës së një ish-kompanie publike pijesh. Varri masiv është në një zonë të populluar, por mbetet i pashënuar.

Varri është disa minuta larg një memoriali të ngritur në vitin 2020 në kujtim të 48 anëtarëve të familjes Berisha që u vranë më 26 mars 1999. Viktimat përfshijnë 14 fëmijë, dy foshnja, një grua shtatzënë dhe një grua 100-vjeçare.

Vrasja e familjes Berisha konsiderohet si një nga masakrat më të rënda të luftës së Kosovës.

Forcat serbe mblodhën anëtarët e familjes, duke vrarë disa të moshuar me mitraloz përpara se të detyronin pjesën tjetër të familjes të hynte në një restorant piceri dhe të hidhnin granata dore mbi ta. Ata që kishin ende shenja jete pas kësaj, u qëlluan në kokë dhe trupat më pas u morën.

Autopsitë treguan se viktimat nuk u vranë në një betejë, por ishin ekzekutuar.

Gjykata serbe e krimeve të luftës dënoi anëtarët e Brigadës 37 të Ushtrisë Jugosllave për vrasjen e familjes Berisha, në gjyqin e parë për krime lufte të mbajtur në Serbi për krime1 në Kosovë.

Vrasjet në Suharekë dhe fshatrat përreth ishin gjithashtu pjesë e gjyqit të katër udhëheqësve politikë dhe ushtarakë jugosllavë dhe serbë – Nikola Sainoviç, Dragoljub Ojdanoviç, Nebojsa Pavkoviç, Vladimir Lazareviç dhe Sreten Lukiç – të cilët u shpallën fajtorë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Rakosh

Një rrugë e paasfaltuar rreth 75 kilometra në perëndim të kryeqytetit Prishtinë të çon në vendin ku u gjetën 97 trupa të shqiptarëve etnikë disa muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë në verën e vitit 1999.

Një raport i agjencisë së lajmeve Agence-France Presse më 13 gusht 1999 thoshte se viktimat e zhvarrosura nga ekspertët e mjekësisë ligjore të Kombeve të Bashkuara afër Rakoshit besohet se kanë qenë të burgosur që janë vrarë në Burgun e Dubravës afër Istogut. Datat e vdekjes së tyre besohet të kenë qenë rreth 20 majit, menjëherë pasi NATO-ja bombardoi burgun, siç u konfirmua më vonë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, GJPNJ.

Sipas një raporti të Human Rights Watch, të gjitha varret në Rakosh ishin të shënuara KPD, që do të thotë Kazneno Popravni Dom (Institucioni Korrektues Penal) në serbisht.

Vendi i varrimit është rreth 15 minuta me makinë nga Burgu i Dubravës, objekti më i madh i paraburgimit në Kosovë, jo shumë larg kufirit me Malin e Zi. Burgu kishte tre ndërtesa që mund të strehonin më shumë se 1,000 të burgosur.

Gjatë fushatës ajrore kundër regjimit të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në pranverën e vitit 1999, bombat e NATO-s e goditën burgun dy herë, më 19 dhe 21 maj, duke vrarë rreth 19 të burgosur. NATO-ja pretendoi se kishte aktivitet ushtarak në afërsi të drejtpërdrejtë.

Gjatë ditëve në vijim, deri në 97 të burgosur, të gjithë shqiptarë etnikë, u vranë gjithashtu nga forcat jugosllave, sipas OJQ-së Human Rights Watch.

Dëshmitarët thanë se një ditë pas sulmit të dytë të NATO-s, qindra të burgosur u mblodhën në fushën sportive të burgut dhe policia serbe dhe rojet e burgut hapën zjarr dhe hodhën granata ndaj tyre.

Në orët në vijim, të burgosurit që ishin fshehur brenda ndërtesës gjithashtu u qëlluan dhe u vranë, sipas dëshmitarëve okularë të cituar nga Human Rights Watch.

Gazetarët e New York Times vizituan burgun dhe raportuan në nëntor 1999 se kishte ende “grumbuj rrobash të braktisura, të lagura nga shiu prej muajsh, por që ende lëshonin një erë të keqe trupash të vdekur. Dhe në bodrumet e ndërtesave, në dysheme ka ende gjak, nëpër mure ka vrima plumbash dhe në dysheme ka shenja nga shpërthimet e granatave.”

Masakra e Burgut të Dubravës u hetua nga misionet ndërkombëtare në Kosovë pas përfundimit të luftës, por nuk u ngrit aktakuzë pasi autorët besohej se ishin në Serbi.

Në vitin 2010, OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd paraqiti një kallëzim në prokurorinë serbe duke akuzuar 34 persona si përgjegjës për vrasjen e më shumë se 90 të burgosurve shqiptarë etnikë dhe plagosjen e më shumë se 150 të tjerëve.

Në mesin e të akuzuarve nga OJQ-ja ishin ministri i atëhershëm i drejtësisë i Serbisë Dragoljub Jankoviç, zëvendësi i tij Zoran Stevanoviç dhe ndihmësi i ministrit të policisë Obrad Stevanoviç, si dhe zyrtarë të shumtë të përmendur të policisë dhe anëtarë të paidentifikuar të forcës policore të Kosovës, stafit drejtues të burgjeve dhe rojeve. Fondi për të Drejtën Humanitare bëri thirrje për një hetim të dyshimeve se ata kishin planifikuar, organizuar, urdhëruar dhe marrë pjesë në vrasjen e të burgosurve shqiptarë etnikë të paarmatosur, si dhe shkatërrimin e provave të krimit dhe fshehjen e autorëve të drejtpërdrejtë. Burrat që u akuzuan këmbëngulën se nuk ishin fajtorë.

Prokuroria serbe për krimet e luftës njoftoi në prill 2012 se po hetonte vrasjet. Një burim në prokurorinë e Beogradit tha për BIRN se një numër zyrtarësh të lartë shtetërorë dhe policorë u morën në pyetje në Serbi si të dyshuar të mundshëm. Megjithatë, askush nuk është paditur në Serbi deri më tani.

Në nëntor 2023, një serb i cili u identifikua vetëm me inicialet G.M. u padit për përfshirje të dyshuar në masakër.

“I pandehuri akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 109 të burgosurve dhe plagosjen e 108 të burgosurve të tjerë, të gjithë të kombësisë (etnisë) shqiptare, më 22 maj 1999 në ‘Masakrën e Dubravës’”, tha prokuroria.

Autoritetet e Kosovës kanë ngritur një monument në oborrin e Burgut të Dubravës për të përkujtuar të vrarët. Një ngjarje përkujtimore mbahet çdo vit në burg në përvjetorin e vrasjeve.

Korisha

Një memorial në periferi të fshatit Korishë, rreth shtatë kilometra nga qyteti jugor i Prizrenit, përkujton 72 civilët shqiptarë etnikë që u vranë atje më 13 maj 1999. Memoriali dhe varrezat ku janë varrosur trupat e viktimave shtrihet në një fushë të madhe të gjelbër lart në kodra.

Viktimat ishin nga fshatrat Korishë, Bllacë, Budakovë, Mushtisht dhe Grejkoc në komunën e Suharekës dhe po përpiqeshin t’u shpëtonin forcave serbe kur vdiqën.

Shumica e tyre u vranë kur NATO-ja hodhi bomba gjatë natës në një kamp refugjatësh në një zonë të pyllëzuar në rrugën Prizren-Suharekë, afër Korishës. NATO-ja, e cila po kryente një fushatë sulmesh ajrore që synonin të detyronin regjimin e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç t’i jepte fund represionit të dhunshëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, e pranoi bombardimin vdekjeprurës, duke thënë se i vinte keq për çdo “viktimë civile aksidentale”.

Dëshmitarët që i mbijetuan sulmit kanë pohuar se civilët shqiptarë etnikë u përdorën si mburoja njerëzore nga policia serbe në një përpjekje për të parandaluar një sulm të NATO-s.

Një i mbijetuar, Sokol Ahmetaj, i cili në atë kohë ishte 16 vjeç, kujton se një natë më parë, më 12 maj 1999, civilëve që ishin strehuar në malet përreth iu tha se forcat serbe do të bënin një bastisje, kështu që ata vendosën të zbrisnin në fshat në përpjekje për t’u arratisur në Shqipëri.

Kur arritën në një postbllok serb afër Korishës, ata u ndaluan dhe u urdhëruan ta kalonin natën atje, vetëm disa orë para se NATO-ja të fillonte sulmin.

Deutsche Welle transmetoi gjithashtu intervista pas incidentit me të mbijetuar të cilët thanë se policia serbe detyroi rreth 600 shqiptarë të zhvendosur të Kosovës të shërbenin si mburoja njerëzore në Korishë para sulmit.

“Na u tha se diçka e keqe do të na ndodhte, nëse largoheshim nga vendi”, tha një dëshmitar okular i intervistuar nga shërbimi shqiptar i Deutsche Welle. Ai tha se policia serbe la të kuptohej se çfarë do të ndodhte. “Tani do të shihni se si duket sulmi i NATO-s”, citoi ai të ketë thënë një polic.

Burri tha se në fund shkoi të flinte nën një traktor, vetëm për t’u zgjuar më pas nga shpërthimet dhe klithmat e fëmijëve dhe të rriturve.

Askush nuk është paditur për vdekjet në Korishë deri më tani

Krusha e Madhe/Velika Krusa

Krusha e Madhe është një fshat i vogël afër qytetit të Rahovecit, rreth 90 kilometra në jug të kryeqytetit Prishtinë. Në mars 1999, forcat jugosllave vranë 241 civilë shqiptarë etnikë atje.

Viktimat u zbuluan në vitet e pasluftës në tetë varre masive të gërmuara përreth fshatit. Më i madhi përmbante 58 trupa.

Vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, në rastin kundër pesë zyrtarëve të lartë të shtetit, ushtrisë dhe policisë jugosllave dhe serbe tha se më 25 mars 1999 ose rreth kësaj, forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë sulmuan dy fshatrat e Krushës së Vogël dhe të Krushës së Madhe, të cilët janë rreth një kilometër larg njëri-tjetrit. Sipas vendimit, banorët e Krushës së Vogël u strehuan në një zonë pyjore jashtë fshatit ku mund të vëzhgonin forcat jugosllave dhe serbe duke plaçkitur dhe djegur shtëpitë e tyre sistematikisht.

GJPNJ-ja dëgjoi një numër dëshmitarësh që dëshmonin për vrasje, prerje koke, përdhunime dhe tortura në fshat. Forcat serbe hodhën në erë edhe xhaminë e fshatit.

Sipas dëshmive, si dhe raporteve nga OJQ ndërkombëtare, policia serbe u përpoq t’i fshihte vrasjet duke djegur trupa ose duke i larguar ato duke përdorur kamionë dhe automjete të tjera. Fshatarët panë policinë duke hedhur trupa të vdekur në lumin aty pranë. Sipas OSBE-së, kur forcat e Serbisë u tërhoqën nga Kosova në qershor, trupat e NATO-s nxorën një kamion nga lumi dhe eshtrat u gjetën në pjesën e pasme. Disa trupa u gjetën gjithashtu në lumë.

Sipas Robert McNeil, një ekspert britanik i mjekësisë ligjore, i cili mori pjesë në zhvarrosjet në fshat në vitin 1999, ai dhe ekipi i tij panë se fytyrat e viktimave ishin të mbuluara me copa rrobash të grisura dhe trupat e tyre ishin gjymtuar rëndë.

“Hundët dhe veshët e tyre mungonin dhe kishte shenja traume serioze rreth zgavrave të tyre të syve që ishin pothuajse të zbrazëta. Në zgavrat e tyre të syve, aty ku dikur kishin qenë sytë e tyre, kishte mbetur vetëm gjak i zi dhe i mpirë,” tha McNeil për BIRN në një intervistë në vitin 2023.

Në mesin e trupave kishte fëmijë, të cilët ishin ende relativisht të pa dekompozuar, sipas McNeil. “Çdo fytyrë ishte pothuajse e mbuluar me një maskë gjaku të tharë. Ishte e qartë se ata ishin rrahur dhe qëlluar disa herë”, tha ai.

Rreth 60 persona nga fshati janë ende të listuar si të zhdukur.

Çikatovë e Vjetër

Tre varre masive u gjetën në fshatin Çikatova e Vjeter pas tërheqjes së trupave jugosllave dhe forcave serbe në vitin 1999. Ekspertët ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore gjetën eshtrat e gjithsej 230 personave. Eshtrat e 180 prej atyre njerëzve u gjetën në dy varret më të mëdha të fshatit, të vendosura pranë njëri-tjetrit; njëri përmbante 68 trupa dhe tjetri 112.

Çikatova e Vjeter është në komunën e Gllogocit, pjesë e një rajoni kodrinor të Kosovës qendrore të njohur si Drenica, dhe gjendet rreth 30 kilometra nga kryeqyteti Prishtina.

Para vitit 1998, kur konflikti në Kosovë u përshkallëzua, rajoni i Drenicës banohej kryesisht nga shqiptarë të Kosovës. Drenica konsiderohet të jetë vendlindja e forcës guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo ishte gjithashtu skena e disa prej mizorive më të këqija të kohës së luftës të kryera kundër civilëve.

Në vitin 2021, autoritetet e Kosovës përuruan një kompleks përkujtimor buzë rrugës në hyrje të fshatit, ku ka edhe varre të civilëve të vrarë në fshat në vitin 1999. Disa prej trupave të varrosur aty u gjetën menjëherë pas luftës në vende të ndryshme në fshat, por të tjerët u riatdhesuan vetëm në vitin 2015 kur u zbulua një varr masiv me viktima shqiptare të Kosovës të kohës së luftës në zonën e Rashkës të Serbisë. 

Në fund të luftës, kur forcat serbe filluan të tërhiqeshin nga Kosova, ata gjithashtu kryen një operacion mbulimi në shkallë të gjerë për të larguar dhe fshehur trupat e shqiptarëve etnikë nga zona në Kosovë ku numri i të vdekurve ishte më i lartë. Të paktën 1,000 trupa u hoqën dhe më pas u rivarrosën në varre dytësore dhe parësore në Serbi. 

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd, vrasjet dhe mbulimi i mëvonshëm i krimeve ndodhën në zonën e përgjegjësisë së Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, të udhëhequr nga komandanti Ljubisa Dikoviç, i cili më vonë u bë kreu i Ushtrisë Serbe. Dikoviçi ka mohuar çdo lidhje me krimet.

Brigada e 37-të e Motorizuar ishte e stacionuar në Kosovë nga 7 marsi 1999 deri në ardhjen e forcave ndërkombëtare më 11 qershor 1999. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë kësaj periudhe, e vetme ose së bashku me njësi të tjera të Ushtrisë Jugosllave, brigada nën komandën e Dikoviçit ofroi mbështetje planifikuese dhe armatimesh për forcat jugosllave dhe serbe të cilat kryen një sërë vrasjesh masive të civilëve shqiptarë, akte përdhunimi, plaçkitje dhe shkatërrim pronash. Fshati Çikatovë e Vjetër u sulmua në disa raste. 

Herët në mëngjesin e 17 prillit 1999, forcat serbe rrethuan fshatin, duke bombarduar rastësisht shtëpitë dhe ndërtesat e civilëve me artileri, tanke, mortaja dhe armë të tjera, pastaj hynë në fshat rreth orës 06:00 të mëngjesit. Në grupe prej tre deri në pesë vetash, trupat dhe policia bastisën shtëpitë, rrahën, abuzuan, poshtëruan dhe kanosën brutalisht familjet në fshat, duke kërkuar para, stoli dhe sende të tjera me vlerë, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare. Disa njerëz u plagosën rëndë dhe të tjerë u vranë në shtëpitë e tyre, në sy të familjarëve apo fqinjëve të tyre. 

Një tjetër sulm vdekjeprurës ndodhi rreth dhjetë ditë më vonë. Më 30 prill 1999 rreth orës 05:00 të mëngjesit, forcat serbe të armatosura rëndë rrethuan dhe granatuan rastësisht dhjetëra fshatra në komunat e Gllogocit dhe Skënderajt. Banorët shqiptarë nga këto fshatra lanë shtëpitë e tyre në panik, duke kërkuar strehim në pyjet dhe malet aty pranë.

Gratë, fëmijët, të moshuarit dhe të tjerët që nuk ishin në gjendje të largoheshin nga fshati Çikatovë e Vjetër u mblodhën në shkollën fillore lokale ose u fshehën në bodrumet e shtëpive të fshatit. Forcat serbe i dëbuan ata nga fshati dhe vazhduan të kërkojnë për ata që kishin ikur në pyje dhe male. Shumë nga ata që u zbuluan u vranë ose u plagosën rëndë, ose aty ku u gjetën ose ndërsa po transportoheshin në një vend tjetër.

Vrasjet në këtë zonë ishin pjesë e gjyqit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, të ish-zyrtarit të qeverisë jugosllave Nikola Sainoviç dhe katër udhëheqësve të tjerë politikë dhe ushtarakë – Dragoljub Ojdanoviç, Nebojsa Pavkoviç, Vladimir Lazareviç dhe Sreten Lukiç, të cilët u gjetën fajtorë.

Në vitin 2014, Fondi për të Drejtën Humanitare paraqiti një kallëzim penal duke akuzuar ish-komandantin e Brigadës së 37-të të Motorizuar, Dikoviç, si përgjegjës për krimet e kohës së luftës. Megjithatë, prokuroria serbe nuk e ka paditur Dikoviçin.

Studime e Epërme/ Gornja Sudimlja

Varri masiv ndodhet në komunën e Vushtrrisë, në veri të pjesës qendrore të Kosovës, e cila u bë shënjestër e ofensivës së forcave serbe që nga fillimi në mars 1999 i fushatës ajrore të NATO-s që synonte t’i jepte fund vrasjeve dhe dëbimet e shqiptarëve të Kosovës nga regjimi jugosllav.

Qyteti i Vushtrrisë u granatua ditën që filluan bombardimet e NATO-s dhe mijëra banorë shqiptarë etnikë u dëbuan në javën e parë të fushatës ajrore. Sipas Human Rights Watch, në disa raste, u organizuan autobusë për të dërguar banorët në Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga zona me traktorët e tyre, një kolonë prej rreth 1,000 civilësh shqiptarë etnikë u ndalua më 2 maj 1999 nga forcat serbe në fshatin Studime e Epërme, rreth 35 kilometra në veri të kryeqytetit, Prishtinë.

“Ata na ndaluan dhe na thanë të zbrisnim nga traktorët, të vinim duart pas koke dhe pastaj të uleshim në rrugë. Ushtarët filluan të na shanin dhe ecnin bashkë me ne, duke na qëlluar me shkelma dhe duke rrahur disa prej nesh. Një grua u rrah vetëm sepse fëmija i saj po qante”, tha një dëshmitar për Human Rights Watch.

Dëshmitarë të tjerë të intervistuar nga Human Rights Watch thanë se burrat u ekzekutuan para syve të tyre. Ushtarët dhe paraushtarakët ecnin lart e poshtë kolonës së traktorëve, duke ngacmuar, grabitur dhe ndonjëherë duke ekzekutuar shqiptarët etnikë të arratisur, thanë dëshmitarët.

Disa dëshmitarë raportuan se panë shumë trupa të pajetë përgjatë rrugës për në Vushtrri, por numri i saktë i personave nga kolona që u ekzekutuan nuk dihet. Katër dëshmitarë të veçantë pretenduan se kishin parë 25, 30, 70 dhe “mbi 100” trupa të pajetë.

Ekipet mjeko-ligjore nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, zbuluan 98 trupa në Studimen e Epërme.

Zona ku u lanë fillimisht kufomat mbetet e pashënuar pasi është buzë rrugës në pjesën qendrore të fshatit. Trupat më vonë u rivarrosën në varrezat e fshatit, ku është vendosur një monument për të përkujtuar viktimat si dhe oficerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga zona.

Masakra në Studimen e Epërme ishte pjesë e aktakuzës së gjeneralit të Ushtrisë Jugosllave Vlastimir Djordjeviç, i cili u dënua me 27 vjet burg nga GJPNJ-ja.

Në vitin 2022, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtor edhe ish-policin serb Zoran Vukotiç për përdhunim dhe pjesëmarrje në dëbimet e civilëve shqiptarë etnikë nga qyteti i Vushtrrisë gjatë luftës në maj 1999.