Tre varre masive u gjetën në fshatin Çikatovë e Vjetër pas tërheqjes së trupave jugosllave dhe forcave serbe në vitin 1999. Ekspertët ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore gjetën eshtrat e gjithsej 230 personave.
Çikatova e Vjetër është në komunën e Gllogocit, pjesë e një rajoni kodrinor të Kosovës qendrore të njohur si Drenica, dhe gjendet rreth 30 kilometra nga kryeqyteti, Prishtinq.
Në vitin 1991, Çikatova e Vjetër kishte një popullsi prej 1,300 banorësh, të gjithë shqiptarë etnikë. Fshati ndodhet afër fabrikës së ferronikelit Feronikel, e cila në disa raste gjatë luftës, nga fillimi i vitit 1998 e tutje, shërbeu si bazë e operacioneve për forcat serbe të sigurisë kundër kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ishin aktivë në zonë.
Në lokacionin e njohur si Çikatovë e Vjetër 2, trupat e 50 personave u gjetën të varrosur në një varr masiv pranë uzinës Feronikel.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte aktive brenda dhe rreth fshatit gjatë viteve 1998 dhe 1999, dhe për këtë arsye, forcat serbe shkaktuan një sasi të madhe dëmi në fshat shumë kohë përpara se NATO-ja të fillonte fushatën e saj ajrore në mars 1999 që synonte t’i jepte fund fushatës së represionit të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç.
Në fund të prillit 1999 dhe në fillim të majit, forcat serbe rrethuan fshatrat e zonës dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët. Burrat u mbajtën në një xhami në Drenas para se të largoheshin që aty.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd, 44 burra u ngarkuan në një kamion ushtarak, i cili më pas u ndal pranë gropave të gërmuara për qëllime minerare për fabrikën Feronikel në fshatin Çikatovë e Vjetër.
Me urdhër të një oficeri të policisë speciale serbe të njohur si “Komandanti”, pjesëtarët e tjerë të forcave speciale të policisë dhe disa ushtarë rreshtuan shqiptarët etnikë të kapur në buzë të njërës prej gropave dhe qëlluan pa ndalim ndaj tyre derisa të 43 burrat ranë në gropë.
Një burrë që ishte vrarë më parë në kamion, u hodh në grumbullin e trupave të pajetë në gropë, sipas vendimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, në gjyqin pasues të gjashtë zyrtarëve të ushtrisë dhe policisë jugosllave dhe serbe.
Forcat serbe më pas hodhën disa granata dore në gropë. Behar Topilla, i cili ishte ndër të parët që ra në gropë, i shpëtoi masakrës. Pasi erdhi në vete dhe u sigurua që rreziku kishte kaluar, Topilla arriti të dilte nga fundit i gropës, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare.
Human Rights Watch vizitoi Çikatovën e Vjetër më 25 qershor 1999 pasi forcat serbe u tërhoqën nga Kosova dhe zbuluan se rreth 40 deri në 50 për qind e fshatit ishte dëmtuar rëndë. Shumica e shtëpive ishin djegur nga brenda, gjë që tregon se ato ishin në shënjestër të veçantë dhe se nuk ishin dëmtuar nga luftimet. Disa ndërtesa ishin shkatërruar gjithashtu nga buldozerët.
Vrasjet në zonë ishin pjesë e gjyqit në GJONJ të ish-zyrtarit të qeverisë jugosllave Nikola Sainoviç dhe katër udhëheqësve të tjerë politikë dhe ushtarakë, Dragoljub Ojdanoviç, Nebojsa Pavkoviç, Vladimir Lazareviç dhe Sreten Lukiç, të cilët u shpallën fajtorë.
Në vitin 2014, Fondi për të Drejtën Humanitare bëri një kallëzim penal duke akuzuar ish-komandantin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, Dikoviç, se mbante përgjegjësi për krimet e kohës së luftës. Dikoviç ka këmbëngulur se ai nuk është fajtor dhe prokuroria serbe nuk e ka paditur.