Në verën e vitit 1992, trupat e 114 civilëve boshnjakë dhe kroatë të Bosnjës u gjetën në dy varre masive në deponinë komunale të Uborakut dhe varrezat e Sutinas në Mostar.
Në qershor të vitit 1992, në varrezat e Sutinës u zbulua varri i parë masiv, që përmbante eshtrat e 26 civilëve nga Mostari. Dy muaj më vonë, në gusht 1992, një tjetër varr masiv u zbulua në deponinë komunale të Uborakut, rreth pesë kilometra nga Sutina. Ai përmbante eshtrat e 88 civilëve të luftës. Shumica prej tyre ishin qëlluar me armë automatike në kokë.
Zhvarrosjet u kryen ndërsa lufta vazhdonte. Inspektori i policisë Drazen Pazin, i cili ishte i përfshirë në procesin e zhvarrosjes në deponinë e Uborakut, tha se kishte vështirësi në gërmimin e trupave për shkak të granatimeve të vazhdueshme nga pozicionet e mbajtura nga Ushtria Popullore Jugosllave.
Më herët në verën e vitit 1992, boshnjakët dhe kroatët u morën nga fshatra të ndryshme në veri të Mostarit dhe nga lagjet Carina dhe Zalik, nga luftëtarët serbë. Të burgosurit u mbajtën në dhomat e zhveshjes në stadiumin e futbollit FK Lokomotiva Mostar në Vrapcici dhe u dërguan për t’u marrë në pyetje në ndërtesat në varrezat e Sutinës, ku mbaheshin edhe në paraburgim.
Të 114 viktimat e varrosura në Uborak dhe Sutina u vranë më 13 qershor 1992. Autorët ishin anëtarë të Ushtrisë Popullore Jugosllave, rezervistë dhe anëtarë të grupeve paraushtarake, të ndihmuar nga serbët vendas, sipas dëshmitarëve të gjyqit.
Tani aty ka një pllakë përkujtimore që nderon viktimat në deponinë e Uborakut.
Askush nuk është dënuar ende për vrasjet e boshnjakëve dhe kroatëve që u varrosën në Uborak dhe Sutinë.
Në kohën e krimit, njësitë e Ushtrisë Popullore Jugosllave komandoheshin nga gjenerali Momcilo Perisiç. Edhe pse u procedua penalisht në Hagë, Uborak nuk ishte përfshirë në aktakuzë. Gjykata e Hagës vendosi në vendimin e saj në gjyqin e liderit të Partisë Radikale Serbe Vojisllav Sheshel se në prill dhe qershor 1992, anëtarët e Mbrojtjes Territoriale të udhëhequr nga serbët, njësitë paraushtarake dhe luftëtarët e njohur si Seseljevci (“Njerëzit e Sheshelit”) torturuan dhe keqtrajtuan të burgosurit në deponinë e Uborakut, varrezat e Sutinës dhe stadiumin FK Lokomotiva Mostar.