Laniste 2 është një varr masiv kryesor në malin Grmec, 15 kilometra nga qyteti Kljuc në Bosnjën dhe Hercegovinën veriperëndimore. Varri masiv u zbulua nga policia në tetor 1995 menjëherë pas përfundimit të pushtimit të zonës nga Ushtria Serbe e Bosnjës dhe njësitë paraushtarake serbe. Procesi i zhvarrimit filloi në tetor 1996 dhe zbuloi eshtrat e 77 personave, prej të cilëve 70 janë identifikuar.
Varri ndodhej në një livadh me bimësi, i rrethuar nga pyje dhe me disa shtigje. Gjatë zhvarrimit u zbuluan municione, plumba, bidona karburant dhe kavo çeliku mbi tetë metra të gjatë. Policia dhe ekipi i zhvarrimit zbuluan gjithashtu një kartë identiteti me emrin Hasan Zukiç. Vendndodhja e varrit masiv mbetet e pashënuar.
Më 31 maj 1992, Ushtria Serbe e Bosnjës u tha burrave nga fshati Velagici në komunën e Kljucit të shkonin në shkollën e fshatit për të marrë kartat e regjistrimit nga administrata e re e komunës serbe të Bosnjës. Burrat u mbajtën rob në shkollë dhe të nesërmen, të paktën 78 burra u rreshtuan dhe u pushkatuan para shkollës. Trupat më pas u dërguan për varrim në varrin masiv Laniste 2. “Erdhën dy kamionë dhe një fadromë. Ata i ngarkuan kufomat dhe i çuan drejt Lanistes”, tha Marinko Miljeviç, një polic ushtarak serb i Bosnjës.
Miljeviç u akuzua nga prokuroria boshnjake për krime kundër njerëzimit së bashku me Ilija Krcmar, Bosko Uncanin, Svetislav Raciç, Zeljko Bajiç, Dragan Despot dhe dy burra me të njëjtin emër, Nikola Cuk. Çështja kundër Krcmar, Raciç, Bajiç dhe dy burrave të quajtur Cuk u transferua më pas në drejtësinë serbe.
Ish-ushtarët e Ushtrisë Serbe të Bosnjës Marko Adamoviç dhe Bosko Lukiç u dënuan me 22 dhe 14 vjet burg respektivisht për rolin e tyre në dëbimet dhe vrasjet e boshnjakëve në Kljuc në vitin 1992. Ata u shpallën fajtorë për përfshirje në sulmin në fshatin Velagici në në fillim të qershorit 1992, pas së cilës burra në moshë lufte u mbyllën në shkollën aty pranë dhe të paktën 78 prej tyre u ekzekutuan. Shefi ushtarak serb i Bosnjës i kohës së luftës, Ratko Mlladiç, u dënua gjithashtu për krime në zonën e Kljucit, duke përfshirë krimet në Velagici.
Tani ka një varrezë fshati në vendin e ekzekutimit me 121 gurë varri për të vdekurit Velagici, duke përfshirë ato të gjetura në varrin masiv Laniste 2.