Studime e Epërme/ Gornja Sudimlja

Varri masiv ndodhet në komunën e Vushtrrisë, në veri të pjesës qendrore të Kosovës, e cila u bë shënjestër e ofensivës së forcave serbe që nga fillimi në mars 1999 i fushatës ajrore të NATO-s që synonte t’i jepte fund vrasjeve dhe dëbimet e shqiptarëve të Kosovës nga regjimi jugosllav.

Qyteti i Vushtrrisë u granatua ditën që filluan bombardimet e NATO-s dhe mijëra banorë shqiptarë etnikë u dëbuan në javën e parë të fushatës ajrore. Sipas Human Rights Watch, në disa raste, u organizuan autobusë për të dërguar banorët në Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga zona me traktorët e tyre, një kolonë prej rreth 1,000 civilësh shqiptarë etnikë u ndalua më 2 maj 1999 nga forcat serbe në fshatin Studime e Epërme, rreth 35 kilometra në veri të kryeqytetit, Prishtinë.

“Ata na ndaluan dhe na thanë të zbrisnim nga traktorët, të vinim duart pas koke dhe pastaj të uleshim në rrugë. Ushtarët filluan të na shanin dhe ecnin bashkë me ne, duke na qëlluar me shkelma dhe duke rrahur disa prej nesh. Një grua u rrah vetëm sepse fëmija i saj po qante”, tha një dëshmitar për Human Rights Watch.

Dëshmitarë të tjerë të intervistuar nga Human Rights Watch thanë se burrat u ekzekutuan para syve të tyre. Ushtarët dhe paraushtarakët ecnin lart e poshtë kolonës së traktorëve, duke ngacmuar, grabitur dhe ndonjëherë duke ekzekutuar shqiptarët etnikë të arratisur, thanë dëshmitarët.

Disa dëshmitarë raportuan se panë shumë trupa të pajetë përgjatë rrugës për në Vushtrri, por numri i saktë i personave nga kolona që u ekzekutuan nuk dihet. Katër dëshmitarë të veçantë pretenduan se kishin parë 25, 30, 70 dhe “mbi 100” trupa të pajetë.

Ekipet mjeko-ligjore nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, zbuluan 98 trupa në Studimen e Epërme.

Zona ku u lanë fillimisht kufomat mbetet e pashënuar pasi është buzë rrugës në pjesën qendrore të fshatit. Trupat më vonë u rivarrosën në varrezat e fshatit, ku është vendosur një monument për të përkujtuar viktimat si dhe oficerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga zona.

Masakra në Studimen e Epërme ishte pjesë e aktakuzës së gjeneralit të Ushtrisë Jugosllave Vlastimir Djordjeviç, i cili u dënua me 27 vjet burg nga GJPNJ-ja.

Në vitin 2022, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtor edhe ish-policin serb Zoran Vukotiç për përdhunim dhe pjesëmarrje në dëbimet e civilëve shqiptarë etnikë nga qyteti i Vushtrrisë gjatë luftës në maj 1999.

Brekoc/Brekovac

Varri masiv i Brekocit, ku u gjetën 121 trupa në vitin 1999 pas përfundimit të luftës, gjendet brenda varrezave të qytetit në Gjakovë dhe konsiderohet të jetë një nga varret më të mëdha të kohës së luftës në Kosovë.

Gjakova, rreth 90 kilometra në jugperëndim të Prishtinës, vuajti shumë gjatë luftës. Qyteti pothuajse u rrafshua, ndërsa popullata etnike shqiptare ose u vra ose u dëbua. Qyteti ndodhet afër kufirit shqiptar, gjë që e bëri atë të rëndësishëm në aspektin strategjik si për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ashtu edhe për forcat jugosllave.

Dhuna në Gjakovë ishte e organizuar mirë, sipas Human Rights Watch. Edhe pse disa vrasje ndodhën pothuajse çdo ditë, dhuna dhe shkatërrimi në shkallë të gjerë ndodhën në faza të ndryshme dhe dukej se ishin të koordinuara nga forcat serbe të sigurisë. Raporti i Human Rights Watch thotë se banorë të shquar të qytetit, si avokatë, mjekë dhe aktivistë politikë, dukej se ishin shënjestruar për t’u vrarë.

Sot lokacioni i varrit mbetet i pashënuar dhe, duke qenë se është pjesë e varrezave të qytetit, pas luftës autoritetet e qytetit e përdorën tokën e mbetur për varre të tjera që nuk kanë lidhje me luftën.

Ata që u varrosën në Brekoc u vranë gjatë një operacioni nga forcat serbe të quajtur “Reka” (“Lumi”) në fund të prillit dhe fillim të majit 1999. Ai përfshinte të paktën dhjetë njësi të policisë serbe dhe të Ushtrisë Jugosllave që vranë dhe dëbuan mijëra njerëz në zonën përreth Gjakovës dhe fshatrave Mejë dhe Korenicë.

Sipas vendimeve të dhëna nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, në rastet kundër zyrtarëve ushtarakë dhe policorë serbë, gjatë sulmeve në Mejë dhe Korenicë, Ushtria Jugosllave, policia serbe dhe njësitë paraushtarake vranë të paktën 377 civilë, nga të cilët 36 ishin nën 18 vjeç.

Mijëra u dëbuan në Shqipërinë fqinje dhe 13 persona janë ende të shpallur si të zhdukur.

Sulmi në fshatrat Mejë dhe Korenicë erdhi një muaj pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë, që kishte për qëllim t’i jepte fund fushatës ushtarake të presidentit Sllobodan Millosheviç në Kosovë. Me intensifikimin e sulmeve ajrore të NATO-s, u intensifikuan edhe operacionet e ushtrisë dhe policisë serbe, si dhe vrasjet dhe dëbimet e shqiptarëve të Kosovës.

Forcat jugosllave hynë me tanke në Mejë dhe Korenicë, i detyruan civilët shqiptarë të dilnin nga shtëpitë e tyre, u morën paratë dhe ndanë burrat nga gratë.

Shumica e burrave u vranë, ndërsa gratë dhe fëmijët u dërguan në Shqipëri.

Human Rights Watch vizitoi Mejën më 15 qershor 1999, pas hyrjes së NATO-s në Kosovë, dhe pa mbetjet e dekompozuara të disa burrave, dokumente të djegura dhe sende personale që me sa duket u përkisnin burrave që ishin vrarë atje, si dhe gëzhoja plumbash.

Human Rights Watch gjeti gjithashtu mbetjet e dekompozuara të disa burrave. Kufomat ndodheshin buzë një fushe ngjitur me rrugën që kalon përmes Mejës. Një trup i paprekur dhe gjysma e sipërme e një trupi tjetër ndodheshin në anë të një gryke ngjitur me fushën. Dy trupa të tjerë u gjetën disa metra më tutje, dhe gjysma e poshtme e një trupi tjetër në një fushë pranë luginës. Të gjithë trupat ishin në një gjendje të avancuar dekompozimi. Kockat e disa prej trupave ishin thyer dhe të gjithë dukej se ishin pa kokë. Pranë njërit prej trupave u gjetën pjesë të një kafke.

Më pranë rrugës, Human Rights Watch pa tre grumbuj të mëdhenj kashte dhe pleh organik lope, për të cilat një fshatar pretendoi se mbulonin shumë trupa të tjerë. Fshatari deklaroi gjithashtu se trupat e shumicës së burrave të vrarë në masakër ishin mbledhur nga punonjësit e shërbimit komunal, gjë që më vonë u konfirmua nga GJPNJ-ja.

Disa nga trupat e njerëzve të vrarë në këtë zonë fillimisht u varrosën në varrezat e Brekocit, ndërsa disa u transportuan në Beograd si pjesë e një operacioni mbulimi dhe u varrosën në një kompleks policor në Batajnica afër Beogradit.

Një dëshmitar i mbrojtur tha në gjyqin e GJPNJ-së të ish-presidentit serb Milan Milutinoviç se ai kishte punuar si operator ekskavatorësh dhe kishte marrë pjesë në gërmimin e trupave në tre lokacione të ndryshme në zonën e Gjakovës – Brekoc, ura e Bistrazhinit dhe fshati Guskë, si dhe në një pyll aty pranë.

GJPNJ-ja dënoi gjashtë zyrtarë të lartë serbë si përgjegjës për vrasjet.

Analiza e provave të GJPNJ-së nga BIRN zbuloi se më shumë se 30 njerëz ishin përfshirë ose ishin në dijeni të vrasjeve – një nga masakrat më të mëdha të luftës së Kosovës – dhe nuk bënë asgjë për ta ndaluar atë apo për të ndëshkuar ata që kryen krimet.

Pavarësisht provave që ekzistojnë, asnjëri prej tyre nuk është ndjekur penalisht për masakrat në Mejë dhe Korenicë. Të gjithë ata janë ende të lirë dhe jetojnë në Serbi, Mal të Zi apo Slloveni.

Qirez/Cirez

Në majë të një kodre midis fshatrave të Kosovës Qirez dhe Likoshan, është ngritur një memorial për të përkujtuar civilët shqiptarë etnikë që u vranë në mars 1999 dhe u gjetën pas luftës në një numër varresh masive në zonën përreth. Eshtrat e 96 viktimave janë identifikuar.

Rajoni përreth, i rrethuar nga malet e Drenicës në perëndim, përbëhet nga komunat e Gllogocit dhe Skënderajt. Para vitit 1998 kur filloi konflikti në Kosovë, të dyja komunat kishin pothuajse tërësisht popullsi etnike shqiptare. Fshatrat që rrethojnë dy qytetet janë vendlindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila filloi operacionet e armatosura në Drenicë në vitin 1996. Ato janë gjithashtu skenë e disa prej abuzimeve më të këqija të kryera kundër civilëve në vitin 1999, siç është dokumentuar nga një sërë organizatash për të drejtat e njeriut dhe siç u konfirmua më vonë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, në gjyqin e saj kundër gjashtë zyrtarëve shtetërorë, të ushtrisë dhe policisë jugosllave dhe serbe.

Sipas aktakuzës së GJPNJ-së, duke filluar nga ose rreth 25 marsi 1999, forcat jugosllave dhe serbe granatuan dhe dogjën fshatrat Vojnik, Leçinë, Klladernicë, Turiçec dhe Izbicë. Shumë prej shtëpive, dyqaneve dhe xhamive u shkatërruan, përfshirë xhaminë në qendër të fshatit Qirez.

Në grupe prej dy ose tre, ushtarët shkonin shtëpi më shtëpi nëpër fshatra, duke hyrë me forcë dhe, duke kërcënuar banorët me vdekje, u kërkonin para dhe sende me vlerë, sipas OJQ-së Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd.

Disa gra dhe fëmijë u morën nga pjesëtarët e forcave jugosllave dhe u mbajtën në një hambar në Qirez. Gratë iu nënshtruan sulmeve seksuale dhe u vodhën paratë dhe sendet personale.

Ushtarët i kërcënuan se do t’i vrisnin të gjithë së bashku me fëmijët e tyre, u morën dokumentet e identitetit, paratë dhe stolitë, dhe më pas dy ushtarë i çuan në një hambar dhe i mbyllën brenda. Sipas dëshmive të mbledhura nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ushtarët disa herë morën nga hambari vajza dhe gratë më të reja, disa prej të cilave ishin në faza të avancuara të shtatzënisë (mes katër dhe tetë muajshe shtatzënë), dhe detyruan secilën prej tyre të kryente marrëdhënie dhe gjithashtu i shfrytëzuan dhe abuzuan seksualisht me to në mënyra të tjera.

GJPNJ konfirmoi në vendimin e saj se të paktën tetë nga gratë u vranë pasi u sulmuan seksualisht dhe trupat e tyre u hodhën në tre puse në fshatin Qirez.

Tri ditë më vonë, forcat jugosllave dhe serbe mblodhën rreth 4,500 shqiptarë etnikë nga fshatrat përreth, u morën paratë dhe dokumentet dhe ndanë burrat nga gratë. Gratë kryesisht u dëbuan në Shqipëri, ndërsa grupe të mëdha burrash u vranë. Disa prej trupave u gjetën më vonë në varret masive në fshat, të tjerë në varret masive në Serbi.

Vrasjet në Qirez ishin pjesë e gjyqit në Hagë të ish-presidentit serb Milan Milutinoviç dhe katër liderëve të tjerë politikë dhe ushtarakë – Nikola Sainoviç, Dragoljub Ojdanoviç, Nebojsa Pavkoviç, Vladimir Lazareviç dhe Sreten Lukiç – të cilët u shpallën fajtorë nga GJPNJ-ja.

Fondi për të Drejtën Humanitare paraqiti një kallëzim penal edhe kundër ish-kreut të Ushtrisë Serbe, Ljubisa Dikoviç, i cili gjatë luftës së Kosovës ishte komandant i Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, me pretendimin se njësitë e tij kryen krime në fshatrat e zonës së Drenicës. Dikoviç ka këmbëngulur se ai nuk është fajtor.