Varri masiv i Brekocit, ku u gjetën 121 trupa në vitin 1999 pas përfundimit të luftës, gjendet brenda varrezave të qytetit në Gjakovë dhe konsiderohet të jetë një nga varret më të mëdha të kohës së luftës në Kosovë.
Gjakova, rreth 90 kilometra në jugperëndim të Prishtinës, vuajti shumë gjatë luftës. Qyteti pothuajse u rrafshua, ndërsa popullata etnike shqiptare ose u vra ose u dëbua. Qyteti ndodhet afër kufirit shqiptar, gjë që e bëri atë të rëndësishëm në aspektin strategjik si për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ashtu edhe për forcat jugosllave.
Dhuna në Gjakovë ishte e organizuar mirë, sipas Human Rights Watch. Edhe pse disa vrasje ndodhën pothuajse çdo ditë, dhuna dhe shkatërrimi në shkallë të gjerë ndodhën në faza të ndryshme dhe dukej se ishin të koordinuara nga forcat serbe të sigurisë. Raporti i Human Rights Watch thotë se banorë të shquar të qytetit, si avokatë, mjekë dhe aktivistë politikë, dukej se ishin shënjestruar për t’u vrarë.
Sot lokacioni i varrit mbetet i pashënuar dhe, duke qenë se është pjesë e varrezave të qytetit, pas luftës autoritetet e qytetit e përdorën tokën e mbetur për varre të tjera që nuk kanë lidhje me luftën.
Ata që u varrosën në Brekoc u vranë gjatë një operacioni nga forcat serbe të quajtur “Reka” (“Lumi”) në fund të prillit dhe fillim të majit 1999. Ai përfshinte të paktën dhjetë njësi të policisë serbe dhe të Ushtrisë Jugosllave që vranë dhe dëbuan mijëra njerëz në zonën përreth Gjakovës dhe fshatrave Mejë dhe Korenicë.
Sipas vendimeve të dhëna nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, në rastet kundër zyrtarëve ushtarakë dhe policorë serbë, gjatë sulmeve në Mejë dhe Korenicë, Ushtria Jugosllave, policia serbe dhe njësitë paraushtarake vranë të paktën 377 civilë, nga të cilët 36 ishin nën 18 vjeç.
Mijëra u dëbuan në Shqipërinë fqinje dhe 13 persona janë ende të shpallur si të zhdukur.
Sulmi në fshatrat Mejë dhe Korenicë erdhi një muaj pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë, që kishte për qëllim t’i jepte fund fushatës ushtarake të presidentit Sllobodan Millosheviç në Kosovë. Me intensifikimin e sulmeve ajrore të NATO-s, u intensifikuan edhe operacionet e ushtrisë dhe policisë serbe, si dhe vrasjet dhe dëbimet e shqiptarëve të Kosovës.
Forcat jugosllave hynë me tanke në Mejë dhe Korenicë, i detyruan civilët shqiptarë të dilnin nga shtëpitë e tyre, u morën paratë dhe ndanë burrat nga gratë.
Shumica e burrave u vranë, ndërsa gratë dhe fëmijët u dërguan në Shqipëri.
Human Rights Watch vizitoi Mejën më 15 qershor 1999, pas hyrjes së NATO-s në Kosovë, dhe pa mbetjet e dekompozuara të disa burrave, dokumente të djegura dhe sende personale që me sa duket u përkisnin burrave që ishin vrarë atje, si dhe gëzhoja plumbash.
Human Rights Watch gjeti gjithashtu mbetjet e dekompozuara të disa burrave. Kufomat ndodheshin buzë një fushe ngjitur me rrugën që kalon përmes Mejës. Një trup i paprekur dhe gjysma e sipërme e një trupi tjetër ndodheshin në anë të një gryke ngjitur me fushën. Dy trupa të tjerë u gjetën disa metra më tutje, dhe gjysma e poshtme e një trupi tjetër në një fushë pranë luginës. Të gjithë trupat ishin në një gjendje të avancuar dekompozimi. Kockat e disa prej trupave ishin thyer dhe të gjithë dukej se ishin pa kokë. Pranë njërit prej trupave u gjetën pjesë të një kafke.
Më pranë rrugës, Human Rights Watch pa tre grumbuj të mëdhenj kashte dhe pleh organik lope, për të cilat një fshatar pretendoi se mbulonin shumë trupa të tjerë. Fshatari deklaroi gjithashtu se trupat e shumicës së burrave të vrarë në masakër ishin mbledhur nga punonjësit e shërbimit komunal, gjë që më vonë u konfirmua nga GJPNJ-ja.
Disa nga trupat e njerëzve të vrarë në këtë zonë fillimisht u varrosën në varrezat e Brekocit, ndërsa disa u transportuan në Beograd si pjesë e një operacioni mbulimi dhe u varrosën në një kompleks policor në Batajnica afër Beogradit.
Një dëshmitar i mbrojtur tha në gjyqin e GJPNJ-së të ish-presidentit serb Milan Milutinoviç se ai kishte punuar si operator ekskavatorësh dhe kishte marrë pjesë në gërmimin e trupave në tre lokacione të ndryshme në zonën e Gjakovës – Brekoc, ura e Bistrazhinit dhe fshati Guskë, si dhe në një pyll aty pranë.
GJPNJ-ja dënoi gjashtë zyrtarë të lartë serbë si përgjegjës për vrasjet.
Analiza e provave të GJPNJ-së nga BIRN zbuloi se më shumë se 30 njerëz ishin përfshirë ose ishin në dijeni të vrasjeve – një nga masakrat më të mëdha të luftës së Kosovës – dhe nuk bënë asgjë për ta ndaluar atë apo për të ndëshkuar ata që kryen krimet.
Pavarësisht provave që ekzistojnë, asnjëri prej tyre nuk është ndjekur penalisht për masakrat në Mejë dhe Korenicë. Të gjithë ata janë ende të lirë dhe jetojnë në Serbi, Mal të Zi apo Slloveni.