Varri masiv në lagjen Gorice të qytetit boshnjak të Brckos u gjet në vitin 2006 dhe është varri më i madh klandestin në zonë. Varri masiv në Gorice përmbante 277 mbetje njerëzore, sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Deri më tani, 136 individë janë identifikuar nga mbetjet mortore që u zhvarrosën.
Varri masiv në Gorice ndodhet rreth dhjetë kilometra në veri të qytetit, në brigjet e lumit Sava. Ai është në një fushë të braktisur, e shënuar me një pllakë të vendosur nga vendasit, e cila thotë se aty u gjetën mbetje mortore të boshnjakëve dhe kroatëve të vrarë në zonë nga viti 1992 deri në vitin 1995.
Ai është një varr dytësor dhe u hap nga forcat serbe të Bosnjës në mënyrë që të fshihnin trupat e të vrarëve rreth zonës së Brckos në fillim të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe që fillimisht ishin varrosur diku tjetër. Sipas raporteve të mjekësisë ligjore, varri masiv ishte katër metra i thellë.
Nga prilli 1992, forcat serbe të Bosnjës luftuan për të marrë kontrollin mbi Brckon, i cili shtrihet afër kufirit me Kroacinë. Me ndihmën e autoriteteve lokale serbe, trupat serbe të Bosnjës dëbuan banorët kroatë dhe boshnjakë nga shtëpitë e tyre dhe i mbajtën ata në qendra paraburgimi ku shumë u vranë, u torturuan, u rrahën ose u keqtrajtuan.
Robërit u mbajtën në mënyrë të paligjshme dhe u abuzuan në ndërtesën e policisë në Brcko, në spitalin lokal, kampin e burgut Luka, ish-ndërtesat e fabrikës Laser dhe Partizan dhe në kazermat e Ushtrisë Popullore Jugosllave. Krimet u kryen nga pjesëtarë të forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake.
Disa nga ekzekutimet u filmuan nga gazetarë të huaj dhe u dëmuan në mbarë botën. Pas kësaj, filloi operacioni për fshehjen e trupave të pajetë.
Shumë dëshmitarë në gjykatë thanë se trupat e të vrarëve u transportuan nga qendrat e paraburgimit në varre masive duke përdorur kamionë nga fabrika lokale e mishit “Bimes”. Pranë fabrikës, sipas disa dëshmitarëve, ishte një varr masiv parësor i përdorur për të hedhur aty trupat gjatë viteve të para të luftës. Më vonë, ndërsa trupat filluan të grumbulloheshin, ata u nxorën përsëri që aty dhe u rivarrosën në Gorice. Shumë dëshmitarë thanë gjithashtu se një numër trupash u hodhën në lumin Sava.
Dy luftëtarë serbë të Bosnjës, Goran Jelisiç dhe Ranko Cesiç, pretenduan pafajësi për krimet në Brcko në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë.
Jelisiçi, i cili e përshkruante veten si “Adolfi serb”, ishte një roje i nivelit të lartë në kampin e paraburgimit në Luka. Ai u dënua me 40 vjet burg dhe vendimi i gjykatës së Hagës e përshkroi sjelljen e tij si “të neveritshme, shtazarake dhe sadiste”. Cesiç, i cili ishte një oficer policie, u dënua me 18 vjet burg për vrasje dhe përdhunim.
Në gjykatën shtetërore të Bosnjës, ka gjithashtu një çështje në vazhdim kundër Djordje Ristaniç, i cili ishte president i presidencës së kohës së luftës në Brcko dhe akuzohet për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale që synonte persekutimin e civilëve boshnjakë dhe kroatë në zonë nga prilli në dhjetor 1992.
Ristaniç akuzohet gjithashtu për përdhunim dhe abuzim seksual të burrave dhe grave në qendrat e paraburgimit në Brcko dhe për shkatërrimin e xhamive në zonë.