Një varr masiv u zbulua në vitin 2000 në brigjet e lumit Drina në fshatin Slap, katër kilometra nga qyteti i Zepës dhe 50 kilometra nga qyteti i Visegradit.
Një total prej 124 trupash dhe një pjesë trup u zbuluan aty. Këto u zhvarrosën në tetor 2000 nga Komisioni Boshnjak i Personave të Zhdukur dhe vendi u quajt Slap 1. Një varr i dytë, i quajtur Slap 2, u gjet disa kilometra përgjatë rrjedhës së lumit, ku ishin varrosur shtatë trupa të tjerë.
Informacionet në lidhje me vendndodhjen e varrit u dhanë nga një prej burrave lokalë boshnjakë që varrosi trupat, të cilët u morën nga lumi Drina pasi ata filluan të pluskonin përgjatë rrjedhës në drejtim të Visegradit.
Nga mesi i majit 1992 deri në 1995, banorët lokalë në Slap panë qindra trupa që pluskonin nëpër lum në drejtim të Vishegradit. Në mënyrë që të merrnin trupat, ata përdorën varka me rrema për t’i nxjerrë ata në breg të lumit. Një nga burrat vendas, Mevsud Poljo, i tregoi Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, se ai varrosi më shumë se 150 trupa në bregun e lumit.
Para se të varrosnin trupat, vendasit do të kërkonin ndonjë dokument identifikimi dhe do të shkruanin përshkrimin e rrobave të viktimave dhe detaje të tjera. Kur filluan të zbulonin trupat, ata kontaktuan policinë lokale në qytetin Rogatica dhe një ekip mjeko-ligjor do të vinte dhe do të inspektonte trupat. Më vonë, ndërsa lufta përparonte, me linjat elektrike dhe telefonike që nuk funksiononin, nuk qe e mundur të informohej më policia. Trupat që u gjykua se ishin dekompozuar shumë që të mund të merreshin u lanë në lumë.
Autopsitë e kryera nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur konfirmuan se në shumicën e rasteve, shkaku i vdekjes ishin të shtënat me armë. Tetëdhjetë e shtatë për qind e trupave ishin burra boshnjakë dhe një përqindje më e vogël ishin gra. Shumica ishin të moshës midis 30 dhe 60 vjeç, por një viktimë ishte një fëmijë i cili ishte midis shtatë dhe 12 vjeç në kohën e vdekjes. Në një numër rastesh, bashkë me trupa u gjetën ligatura. Shumë prej trupave kishin trauma të forta – dëmtime të shkaktuara nga rrahjet para vdekjes.
Sot Slap 1 është shënuar me një pllakë përkujtimore e cila është vendosur nga komuniteti lokal.
Çdo vit në qershor, familjet e viktimave dhe shoqatat e personave të zhdukur përkujtojnë vrasjet e kohës së luftës të 3,000 njerëzve në zonën e Visegradit me një ceremoni në të cilën ata hedhin trëndafila në lumin Drina.
Nëntëmbëdhjetë njerëz janë dënuar deri më tani për kryerjen e krimeve të luftës në zonën e Visegradit nga GJPNJ-ja, gjykata shtetërore e Bosnjës dhe Gjykata Kantonale e Sarajevës. Nga këta 19 kriminelë lufte, nëntë u dënuan për përdhunim dhe abuzim seksual. Dymbëdhjetë të dyshuar të tjerë janë aktualisht në gjyq në gjykatën shtetërore të Bosnjës dhe pesë të tjerë në Gjykatën e Lartë të Beogradit në Serbi.
Ata që janë dënuar deri më tani kanë marrë gjithsej 246 vjet burg, ndërsa Milan Lukiç, i cili ishte kreu i Shqiponjave të Bardhë ose Avengers, një grup paraushtarak serb i Bosnjës, u dënua me burgim të përjetshëm nga GJPNJ-ja për pjesëmarrje në vrasjet dhe dëbimet e civilëve boshnjakë në Visegrad në vitin 1992 dhe 1993. Prokuroria boshnjake më pas e ka akuzuar Lukiçin për krime kundër pasagjerëve të rrëmbyer nga një tren në stacionin hekurudhor në Strpci në shkurt 1993 dhe më pas vrasjen e tyre.
Sipas Institutit Boshnjak për Personat e Zhdukur, 920 persona u zhdukën nga zona e Visegradit gjatë luftës dhe eshtrat e 445 prej tyre janë gjetur dhe identifikuar deri më tani.