Ekzistojnë një sërë varresh të viktimave të luftës në fshatin Kevljani, 15 kilometra nga qyteti i Prijedorit në Bosnjën dhe Hercegovinën veriperëndimore. Hetuesit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, gjetën dhe zhvarrosën vendet e varreve nga 25 maji deri në 15 qershor 1999. Një nga varret u zbulua në një livadh pranë një xhamie të shkatërruar dhe një varreze myslimane.
Kevljani është pesë kilometra nga miniera e xeherorit të hekurit Omarska, e cila ishte vendi i një kampi ndalimi të drejtuar nga serbët e Bosnjës. Shumë njerëz që u mbajtën midis majit dhe gushtit 1992 në Omarska dhe në një kamp afër burgut të drejtuar nga serbët e Bosnjës në Keraterm, u raportuan të zhdukur.
Hetuesit vërtetuan se një nga vendet në të cilat ishin varrosur ish të ndaluarit e kampit Omarska që u zhdukën ishte Kevljani. Provat e gjetura në vend, të tilla si gjurmët e lëna nga ekskavatorët, treguan se varret ishin gërmuar përsëri në mënyrë që të rivarrosnin trupat diku tjetër.
Disa prej trupave ishin copëtuar kur u gërmuan, duke lënë pas pjesë eshtrash. Ekipi i zhvarrosjes zbuloi 72 trupa të plotë ose pothuajse të plotë në 15 varre të ndryshme. Analiza që ekspertët i bënë dheut dhe materialeve të ndërtimit konfirmoi një lidhje me kampin Omarska.
Sot vendi i varrit është shënuar me një pllakë përkujtimore para xhamisë, pranë minares së shkatërruar. Teksti në pllakë thotë: “Në këtë vend, u gjet një varr masiv me 146 trupa të viktimave të pafajshme. Dyqind metra më larg është Stari Kevljani, varri më i madh masiv i gjetur në Bosanska Krajina, me 456 viktima nga komuna e Prijedorit.”
Një dëshmitar në gjyqin e ish-liderit ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiç dëshmoi se në kampin Omarska ndodhnin çdo ditë tortura dhe vrasje. Deri në 6,000 njerëz u mbajtën në kamp ndërsa ai ishte i hapur për një periudhë tre mujore në 1992. Ekzekutimet masive filluan në fund të korrikut 1992. Të ndaluarit u detyruan të pastronin zonat ku u vranë njerëzit dhe të ngarkonin trupat e tyre nëpër kamionë që këta të fundit t’i largonin që aty.
Kampi u mbyll më 21 gusht 1992 pasi u vizitua nga gazetarë britanikë të cilët ekspozuan kushtet çnjerëzore dhe krimet e luftës në kamp. Të ndaluarit më pas u transferuan në kampe të tjera në zonë. Sipas Unionit Rajonal të Shoqatave të të Burgosurve nga Rajoni i Banja Lukës, rreth 700 persona të mbajtur në kampin Omarska vdiqën, megjithëse jo të gjithë u vranë brenda vetë kampit.
GJPNJ-ja ka dënuar 11 persona për kryerjen e krimeve në kampet e paraburgimit në zonën e Prijedorit dhe gjykata shtetërore e Bosnjës ka dënuar katër të tjerë. Zeljko Mejakiç, zyrtari i rangut më të lartë në kampin e paraburgimit Omarska, u dënua me 21 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Prijedori është zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës janë shpallur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë dhe janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg. GJPNJ-ja e dënoi Milomir Stakiçin, presidentin e kohës së luftës të shtabit të krizës të komunës së Prijedorit të kontrolluar nga serbët, me 40 vjet burg, dënimi më i lartë për krime në Prijedor.