Varri masiv në Ogradice u zbulua në 2003, rreth 20 kilometra nga qyteti i Vlasenicës në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore. I shtrirë në kodra, në fund të një rruge shpesh të paarritshme dhe në një pyll të thellë, varri masiv mbetet i pashënuar.
Ekipet mjeko-ligjore identifikuan 155 trupa që u gjetën në vendin e varrit, shumica prej tyre viktima boshnjake të krimeve të kryera në zonën e Vlasenicës në vitin 1992 dhe 1993.
Sipas Institutit të Universitetit të Sarajevës për Hulumtimin e Krimeve kundër Njerëzimit dhe Ligjit Ndërkombëtar, një total prej 12 varresh masive janë gjetur në komunën e Vlasenicës të cilët përmbajnë viktima të dhunës nga viti 1992 dhe 1993. Një total prej 436 trupash u zbuluan në këto vende, 232 prej tyre në varrin në Ogradice.
Vrasjet, torturat dhe përdhunimet në Vlasenica ishin objekt i një prej çështjeve të para në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku Dragan Nikoliç, i cili komandonte kampin famëkeq të paraburgimit të Susicës në qytet, ishte i akuzuari i parë në vitin 1994.
Nikoliç u vetëdeklarua fajtor dhe u dënua me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit që përfshinim persekutim në baza politike, racore dhe fetare, vrasje, dhunë seksuale dhe tortura në Susica. Shumë nga viktimat e Susicës u gjetën në varrin masiv në Ogradice.
Sipas vendimit, Nikoliç, i njohur edhe me pseudonimin Jenki, i nënshtroi boshnjakët dhe të arrestuarit e tjerë joserbë ndaj vrasjeve, përdhunimeve dhe torturave dhe mori pjesë në krijimin dhe mbajtjen e një atmosfere terrori në kamp, gjeti vendimi.
Nikoliçi goditi, shqelmoi dhe i rrahu të ndaluarit me armë si për shembull shkopinj druri, shufra hekuri, doreza sëpate, qyta pushke, doreza metali, shkopinj dhe tuba gome të mbushur brenda me plumb. Lëndimet e shkaktuara gjatë rrahjeve ndonjëherë ishin fatale.
Ai gjithashtu, personalisht, hoqi dhe lehtësoi largimin e grave që mbaheshin në hangarin ku ishin internuar, duke ditur se ato po merreshin për t’u përdhunuar ose abuzuar seksualisht. Ai i tha gjykatës së Kombeve të Bashkuara se “i vinte turp” për atë që kishte bërë.
Midis fundit të majit dhe tetorit 1992, rreth 8,000 civilë boshnjakë dhe jo-serbë të tjerë nga Vlasenica dhe fshatrat përreth ishin mbajtur në kampin e Susicës. Ndërtesa ishte tepër e mbipopulluar dhe kushtet e jetesës ishin të mjerueshme.
Të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të Susicës organizojnë çdo vit një marshim përkujtimor nga fshati Turajlici drejt varreve masive në Ogradice dhe Debelo Brdo, marshim i cili përfundon para ish-kampit.