Rruga Hodzici 4

Varri masiv Rruga Hodzici 4 është një nga shtatë varret masive që u gjetën përgjatë rrugës afër fshatit Hodzic dhe qytetit të Zvornikut në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore. 

Ai u zbulua në 1998 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ), hetuesit e së cilës përcaktuan se është një varr masiv dytësor që përmban viktima të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.

Deri më tani, janë identifikuar 71 individë mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në këtë lokacion. 

Varri është i pashënuar dhe shtrihet në një livadh mes shtëpive dhe fermave në fshatin Hodzic. 

Të paktën 45 persona, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në varr vdiqën nga plagët e shkaktuara me armë zjarri, dhe 34 i kishin sytë e lidhura. 

Analiza e GJPNJ-së tregoi Rruga Hodzici 4 është një varr masiv dytësor dhe trupat e gjetur atje mund të lidhen me varrin masiv parësor Lazete 2.

Burrat boshnjakë që ishin kapur pas rënies së Srebrenicës u transportuan më 14 korrik 1995 në shkollën Grbavci në fshatin Orahovac, pastaj u vranë dhe u varrosën në fushat e njohura si Lazete. Analiza kriminalistike e mostrave të dheut/polenit, provat dhe imazhet ajrore të datave të krijimit dhe  trazimit, zbuluan më tej se trupat nga varret Lazete 1 dhe Lazete 2 u gërmuan dhe u rivarrosën në varret dytësore përgjatë Rrugës Hodzici.

 

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus pesë dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.