Shkëmbi i Koriçanit

Shkëmbinjtë Koriçani në malin Vlasic në Bosnjën dhe Hercegovinën qendrore ishin një vend vrasjesh dhe një varr klandestin i përdorur nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në 1992. Mbetjet njerëzore të 177 personave, kryesisht boshnjakë dhe kroatë, janë identifikuar në katër zhvarrime të kryera midis vitit 2003 dhe 2017.

Shkëmbinjtë, mbi një humnerë të thellë 300 deri 400 metra, shtrihen në rrugën midis qyteteve Travnik dhe Prijedor në territorin që konsiderohet të ketë qenë një bastion i rëndësishëm i Ushtrisë Serbe të Bosnjës për pjesën më të madhe të luftës.

Që nga lufta, ka pasur disa përpjekje për të shënuar vendndodhjen e varrit masiv nga familjet e viktimave, por pllakat janë hequr gjithmonë më pas. Çdo vit, familjet i përkujtojnë të vdekurit duke hedhur trëndafila në humnerë.

Më 21 gusht 1992, një grup i madh të burgosurish civilë nga kampi i burgimit Trnopolje po transportoheshin nga forcat serbe të Bosnjës në territorin e kontrolluar nga qeveria boshnjake në Travnik. Ndërsa autokolona arriti në malin Vlasic, rreth 200 burra të paarmatosur u nxorën dhe u ekzekutuan. Vetëm 12 prej tyre mbijetuan.

Duke qenë se humnera është shumë e thellë, hetuesit e patën jashtëzakonisht të vështirë për të zhvarrosur trupat dhe u gjetën vetëm mbetje njerëzore të pjesshme të shumë viktimave.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dënoi Darko Mrdjan, një anëtar i të ashtuquajturës skuadër ndërhyrjeje, një njësi speciale policore serbe e Bosnjës në qytetin e Prijedorit, për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në zbritjen nga automjetet, ruajtjen, shoqërimin dhe pushkatimin e njerëzve të paarmatosur në Shkëmbinjtë Koriçani. Mrdja u vetëdeklarua fajtor dhe u kërkoi falje viktimave.

Gjykatat vendase në Bosnjë dhe Hercegovinë gjithashtu ndoqën penalisht disa çështje të lidhura me vrasjet në Koriçani dhe dënuan oficerët e policisë Marinko Ljepoja, Radoslav Knezeviç, Zoran Babiç, Milorad Skrbiç, Dusan Jankoviç, Zeljko Stojniç dhe Sasa Zeceviç.

Prijedori është zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës janë gjetur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë dhe janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg.

Jakarina Kosa

Jakarina Kosa është një varr masiv dytësor në kompleksin minerar të hekurit në Ljubija, 18 kilometra nga qyteti i Prijedorit. Gjithashtu brenda kompleksit të Ljubisë janë miniera e Tomasicës, ku u zbulua një nga varret masive më të mëdha parësore në vend dhe miniera e Omarskës, ku u ngrit një kamp paraburgimi nga autoritetet serbe të Bosnjës në fillim të luftës.

Zhvarrimet në Jakarina Kosa u kryen për herë të parë në 2001,kur u zhvarrosën më shumë se 300 pjesë trupash njerëzish. Në korrik 2015, pati një zhvarrim të dytë dhe u zbuluan më shumë se 600 eshtra. Në total, në varrin Jakarina Kosa janë identifikuar mbetje njerëzore që i përkasin 311 individëve.

Raportet e ekspertëve nga Komiteti Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur bazuar në analizat e ADN-së treguan se mbetje mortore nga të njëjtët individë u gjetën si në Tomasica ashtu edhe në Jakarina Kosa.

Mbetjet mortore nga Tomasica dhe Jakarina Kosa u identifikuan si ato të boshnjakëve dhe kroatëve nga qyteti i Kozaracit, qyteti i Prijedorit dhe fshatrat Biscani, Hambarine, Rizvanovici, Rakovcani, Carakovo dhe Zecovi, si dhe ato njerëzve që u mbajtën në kampet e paraburgimit Omarska dhe Keraterm në zonën e Prijedorit. Trupat e gjetur në Jakarina Kosa kishin veshje civile.

Varri në Jakarina Kosa ndodhet rreth pesë kilometra poshtë një rruge nga ndërtesa kryesore në ish-minierën e Ljubijas. Ai nuk është lehtësisht i arritshëm, pasi rruga është e pashtruar dhe plot gropa dhe varri ndodhet thellë brenda një grope. Ai mbetet i pashënuar.

Varri masiv parësor në Tomasica u gërmua pjesërisht nga Ushtria Serbe e Bosnjës dhe policia lokale në 1993 dhe një numër i madh trupash u morën dhe u rivarrosën në Jakarina Kosa, 37 kilometra larg, si pjesë e një përpjekjeje për të fshehur vrasjet.

Sipas Institutit për Personat e Zhdukur, procesi i transportimit të trupave zgjati dy javë. Vendasit përreth varrit në Jakarina Kosa u urdhëruan të evakuoheshin gjatë kësaj periudhe në mënyrë që ata të mos ishin dëshmitarë të asaj që po ndodhte.

Transporti i trupave nga Tomasica në Jakarina Kosa qe i mirëorganizuar dhe kryhej natën. Pjesë trupash të dekompozuar që u ngarkuan nëpër kamionë lanë gjurmë lëngjesh trupore në rrugë dhe u përdorën cisterna me ujë për të pastruar rrugët dhe kamionët pas përfundimit të transportit të trupave. Mbetjet njerëzore u shkarkuan nga kamionët në gropën në Jakarina Kosa dhe më pas u minuan në mënyrë që gropa të mbyllej dhe të ndalohej qasja e mëtejshme në vend.

Prijedori është zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës janë shpallur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë dhe janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dha Milomir Stakiçit, presidentit të kohës së luftës të Shtabit të Krizave të komunës së kontrolluar nga serbët, dënimin më të lartë për krime në Prijedor – 40 vjet burg.

Stari Kevljani

Stari Kevljani është një varr masiv dytësor në fshatin Kevljani, 20 kilometra nga qyteti i Prijedorit. Varri u zhvarros në gusht 2004 nga Instituti Boshnjak për Personat e Zhdukur dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, GJPNJ. Analizat e ADN-së treguan se aty u varrosën eshtrat e 456 individëve.

Stari Kevljani është një nga varret masive më të mëdha që janë zbuluar në zonën e Prijedorit. Varri ishte 20 metra i gjatë dhe pesë metra i gjerë dhe i thellë. Nga 456 mbetje njerëzore të gjetura atje, u identifikuan 354.

Fshati Kevljani është rreth katër kilometra larg kompleksit të minierës Omarska, ku Ushtria Serbe e Bosnjës kishte një kamp ndalimi gjatë kohës së luftës në vitin 1992. Disa varre të tjerë masivë janë zbuluar në të njëjtin fshat, njëri prej tyre jo shumë larg atij në Stari Kevljani.

Shumë nga ata që u identifikuan nga zhvarrimi në Stari Kevljani ishin burra boshnjakë dhe kroatë të cilët u mbajtën dhe u panë për herë të fundit në kampin Omarska, ose në dy kampe të tjerë në komunën e Prijedorit, Keratermit dhe Trnopoljes. Provat mjeko-ligjore treguan se shkaku i vdekjes në shumicën e rasteve ishin të shtënat me armë dhe se një numër viktimash kishin fraktura në kocka. Një numër i konsiderueshëm individësh që u identifikuan ishin liderë politikë, administrativë dhe fetarë, akademikë dhe figura të njohura publike nga komuna e Prijedorit.

Vendasit në Kevljani e shënuan vendin e varrit me një pllakë përkujtimore në të cilën janë gdhendur fjalët: “Në këtë vend në vitin 2004, u gjet varri masiv më i madh në Bosanska Krajina, Stari Kevljani, me gjithsej 456 viktima të pafajshme nga komuna e Prijedorit.” Varri masiv ndodhet në një lëndinë në fshat, pranë një shtëpie.

Një dëshmitar në gjyqin e liderit ushtarak serb të Bosnjë Ratko Mlladiç dëshmoi se në kampin Omarska kishte çdo ditë vrasje dhe tortura. Deri në 6,000 njerëz u mbajtën në kampin Omarska gjatë kohës që ai ishte i hapur në 1992, për një periudhë prej tre muajsh. Ekzekutimet masive gjithashtu filluan në fund të korrikut 1992. Të ndaluarit detyroheshin të pastronin zonat ku vriteshin njerëzit dhe të ngarkonin trupat e tyre në kamionët që i largonin ata që aty.

Kampi u mbyll më 21 gusht 1992 pasi gazetarë britanikë që vizituan vendin ekspozuan kushtet çnjerëzore dhe krimet e luftës në kamp. Të ndaluarit më pas u transferuan në kampe të tjera në zonë. Sipas Unionit Rajonal të Shoqatave të të Ndaluarve nga Rajoni i Banja Lukës, rreth 700 persona që mbaheshin në kampin Omarska vdiqën, megjithëse jo të gjithë u vranë brenda në kamp.

Gjykata e Hagës ka dënuar 11 persona për kryerjen e krimeve në kampet e paraburgimit në zonën e Prijedorit dhe gjykata shtetërore e Bosnjës ka dënuar katër të tjerë. Zeljko Mejakiç, zyrtari më i lartë në kampin e paraburgimit Omarska, u dënua me 21 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Prijedori është zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës janë shpallur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë dhe janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dha Milomir Stakiçit, presidentit të kohës së luftës të Shtabit të Krizave të komunës së kontrolluar nga serbët, dënimin më të lartë për krime në Prijedor – 40 vjet burg.

Tomasica

Varri masiv i Tomasicës u zbulua nga autoritetet boshnjake në shtator 2013, afër një kompleksi të madh minierash, afërsisht 15 deri në 20 kilometra në juglindje të qytetit të Prijedorit. Një sipërfaqe prej 70 metra me 120 metra u gërmua gjatë 79 ditëve. U gjetën mbetjet mortore të 435 personave; 275 ishin trupa të plotë. Ai ishte një nga varret e vetme më të mëdha masive që u gjetën në Bosnjë dhe Hercegovinë. Eshtrat ishin kryesisht ato të viktimave të luftës të cilët u vranë në zona të ndryshme përreth Prijedorit nga viti 1992 deri në 1995.

Vendndodhja e varrit masiv mbetet e pashënuar, edhe pse shtrihet në një zonë të populluar, rreth 15 minuta me makinë nga Prijedori. Afër varrit masiv ndodhen disa shtëpi dhe një fushë futbolli.

Para luftës, zona ishte në pronësi të shtetit dhe përdorej nga kompania minerare Ljubija.

Vendndodhja e saktë e varrit masiv iu tregua Institutit Boshnjak të Personave të Zhdukur nga një ish-ushtar serb i Bosnjës i cili mori pjesë në fshehjen e vrasjeve, por donte të mbetej anonim. Trupat ishin kryesisht të boshnjakëve, shumica e të cilëve u vranë në qytetin e Prijedorit, fshatin Biscani ose në kampet pranë burgjeve Keraterm dhe Omarska, pastaj u ngarkuan në kamionë dhe u hodhën në gropa në vendin në Tomasica, disa prej të cilave arrinin deri në nëntë metra thellësi. Njëzet e nëntë prej trupave të gjetur në Tomasica ishin ata njerëz të vrarë në famëkeqen “Dhoma 3” në kampin Keraterm në 1992.

Varri masiv i Tomasicës është kryesisht një varr masiv primar i cili fillimisht përmbante më shumë se 435 trupa. Gjatë viteve 1990, më shumë se 350 trupa u nxorrën që aty dhe u varrosën përsëri në vende të tjera, duke përfshirë një gropë në Jakarina Kosa, 40 kilometra nga Tomasica, në përpjekjen e dytë për të fshehur krimin.

Para zbulimit kryesor në 2013, pati disa përpjekje të tjera për të gjetur trupa të viktimave të luftës rreth minierës së Tomasicës. Në vitin 2004, u gjetën mbetjet mortore të 24 personave, ndërsa dy vjet më vonë, u zbuluan dhjetë trupa.

Një përpjekje tjetër u bë në korrik 2020 kur autoritetet filluan një zhvarrosje duke vepruar bazuar në informacionet e dhëna nga një serb lokal, por nuk u bënë zbulime të reja.

Prijedori ka qenë zona me numrin më të madh të kriminelëve të luftës të dënuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një total prej 37 serbësh të Bosnjës të shpallur fajtorë për kryerjen e krimeve në zonë janë dënuar me një total prej 617 vitesh burg. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dha Milomir Stakiçit, presidentit të kohës së luftës të Shtabit të Krizave të komunës së kontrolluar nga serbët, dënimin më të lartë për krime në Prijedor – 40 vjet burg.

Rruga Hodzici 2

Rruga Hodzici 2 (e njohur edhe si Snagovo 3) është një varr masiv dytësor, afër fshatit Snagovo, rreth 17 kilometra në veriperëndim të qytetit të Zvornikut. Varri u gjet fillimisht nga trupat nga Forca e Stabilizimit e NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, SFOR, në 1998, ndërsa devijonte një rrugë pas një rrëshqitje toke. Ka shtatë varre masivë të njohur në zonë, të gjithë varre dytësore.  Ai u quajt Rruga Hodzici sepse fshati Hodzici është aty afër. Aty janë zhvarrosur një total prej 160 mbetjesh njerëzore.

Ky varr masiv dytësor, i cili u quajt Snagovo 3 nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur, u hetua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, GJPNJ, në 1998 dhe përgjegjësia për zhvarrosjen iu kalua qeverisë boshnjake në 2001.

Analizat e ADN-së të kryera nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur treguan lidhje midis këtij varri dytësor dhe varreve primare të trazuar Lazete 2 (i njohur gjithashtu si Orahovac 2). Sipas raportit mjeko-ligjor të GJPNJ-së mbi zhvarrosjet e Srebrenicës, kjo do të thotë që eshtrat e një individi u gjetën në të paktën dy varre të ndryshëm. Hetimi gjithashtu tregoi lidhjet e ADN-së midis këtij vendi dhe Rrugës Hodzici 1 (i njohur edhe si Snagovo 4) dhe Rrugës Hodzici 3. Kjo tregon se mbetjet mortore u gërmuan në varrin masiv primar Lazete 2 dhe u transferuan në Rrugën Hodzici, rreth 10 kilometra larg.

Analiza mjeko-ligjore të mostrave të tokës/polenit, provat dhe imazhet ajrore të datave të krijimit/trazimit, zbuluan më tej se trupat nga varret masive primare Lazete 1 dhe Lazete 2 u gërmuan dhe u rivarrosën në varret dytësore në Snagovo.

Varri i Rrugës Hodzici mbetet i pashënuar, në një livadh pranë një rruge malore rurale, i rrethuar nga pyje.

Vendimet e GJPNJ-së zbuluan se burrat boshnjakë të kapur në Srebrenicë u transportuan më 14 korrik 1995 në një shkollë në fshatin Orahovac. Pasditen e asaj dite, personeli i Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës nën mbikëqyrjen e Drago Nikoliç, një oficer sigurie me Brigadën e Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, dhe Milorad Trbiç, Ndihmës Komandant për Sigurinë me Brigadën e Zvornikut, më pas i transportuan robërit në një fushë aty afër , ku personeli, përfshirë anëtarët e Batalionit të 4-të të Brigadës së Zvornikut, i ekzekutoi ata me armë automatike.

Në vendimet në lidhje me këtë çështje, dhoma gjyqësore e GJPNJ-së gjeti Radislav Krstiçin, zv/komandant dhe shef i shtabit i Korpusit Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, fajtor për gjenocid ndaj boshnjakëve nga Srebrenica – vendimi i saj i parë që përcakton se masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid. Krstiç u dënua me 46 vjet burg, edhe pse dënimi më pas iu reduktua në 35 vjet burg.

GJPNJ-ja gjeti gjithashtu që Ljubisa Bearas, shefit të sigurimit i Shtabit Kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, iu kërkua të organizonte, koordinonte dhe lehtësonte ndalimin, transportimin, ekzekutimin përmbledhës dhe varrosjen e viktimave boshnjake të vrara në Orahovac. Beara u ndihmua nga, ndër të tjera, komandanti Vujadin Popoviç, Shefi i Sigurimit i Korpusit të Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, si dhe Nikoliç dhe Trbiç.

Beara, Popoviç, Nikoliç dhe Trbiç u gjet se kishin mbikëqyrur dhe ndihmuar ekzekutimet në Orahovac dhe GJPNJ-ja i dënoi ata për gjenocid. Vidoje Blagojeviç, komandant i Brigadës së Bratunacit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me 15 vjet burg për asistim dhe ndihmë në vrasjen dhe persekutimin e boshnjakëve në zonën e Srebrenicës, si dhe asistim dhe mbështetje të vrasjes së boshnjakëve në Bratunac. Dragan Jokiç, shefi inxhinierik i Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me nëntë vjet burg për vrasjet e boshnjakëve në Orahovac, në Fermën Ushtarake Branjevo në Pilica dhe në Kozluk, dhe për sigurimin e burimeve inxhinierike dhe personelit të nevojshëm për gërmimin e varreve masive për viktimat e ekzekutuara.

Sipas Institutit Federal për Personat e Zhdukur në Bosnjë dhe Hercegovinë, eshtrat e 818 boshnjakëve nga Srebrenica u zbuluan në shtatë varre dytësore në zonën e Snagovos.

Ravnice

Ravnice është një varr masiv primar, i vendosur 20 kilometra në veriperëndim të qytetit të Srebrenicës. Ai është gjashtë kilometra nga një magazinë bujqësore në Kravica ku më shumë se 1,300 boshnjakë nga Srebrenica u ekzekutuan nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995. Sipas Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, nuk kishte asnjë shenjë që tregoni se varri ishte trazuar ose që trupat ishin zhvendosur me qëllim.

Në gusht 2000, ekipi i zhvarrosjes i GJPNJ-së fillimisht zbuloi 34 trupa në vendin e quajtur Ravnice 1. Pjesa tjetër e procesit të zhvarrosjes vazhdoi nga korriku dhe gushti 2001, ku u zhvarrosën 172 trupa të tjerë. Kjo pjesë e zhvarrosjes u krye nga Komisioni Boshnjak për Personat e Zhdukur, ndërsa GJPNJ-ja monitoroi procesin. Zhvarrosja e dytë në të njëjtin vend u emërtua Ravnice 2. Megjithatë, Ravnice 1 dhe 2 konsiderohen si një varr masiv, nga të cilët u zhvarrosën një total prej 258 mbetjesh mortore.

Shumica e mbetjeve mortore u zbuluan në sipërfaqen e tokës së pjerrët në vend dhe trupat ishin kthyer në skelete pasi ishin ekspozuar për më shumë se pesë vjet në kushte të ndryshme atmosferike dhe kafshëve. Disa trupa ishin të mbuluar me dhe, ndërsa të tjerë jo dhe ishin rrokullisur nëpër shpat derisa kishin ndaluar nëpër pemë dhe gardhe.

Gjatë zhvarrosjes së Ravnice 1 dhe 2, materiale të tilla si beton, suva dhe materiale të tjera ndërtimi u gjetën brenda varrit. Këto u konsideruan të padallueshme nga materialet e gjetura në vendin e ekzekutimit në magazinën në Kravica dhe varret masive Glogova 1 dhe Glogova 2, si dhe varret masive dytësore në Zeleni Jadar 5 dhe 6. Me interes të veçantë ishte një copë polistireni e ngjyrosur e gjetur në Ravnice 2. Kjo pjesë shkume deti ishte identike me tabelën me shkronja që ndodhej në anën veriore të magazinës në Кravica, mbi derën e hyrjes.

Moshat e viktimave në Ravnice potencialisht varionin nga tetë deri në 90 vjeç në kohën e vdekjes së tyre. Të gjithë ishin qëlluar me armë, shpesh shumë herë. Kishte prova se ishin qëlluar të paktën 700 plumba.

Të gjitha trupat ishin meshkuj dhe kishin veshje civile. Katërmbëdhjetë prej tyre ishin 17 vjeç ose më të rinj.

Varri në Ravnice mbetet i pashënuar në një shpat të pjerrët, ngjitur me rrugën në pyll. Që atëherë, magazina në Kravica ka ndryshuar pak, megjithëse hyrja në të nuk lejohet pasi tani është në pronësi private.

Nga 12 deri më 13 korrik 1995, rreth 5,000 burra boshnjakë nga Srebrenica u kapën nga Ushtria Serbe e Bosnjës. Më 13 korrik, më shumë se 1,300 boshnjakë u transportuan në magazinën në Kravica, ku u ekzekutuan me pushkë automatike dhe bomba dore. Midis 14 dhe 16 korrikut, aty mbërritën automjete të rënda dhe i çuan viktimat në dy varre masive në fshatrat Glogova dhe Ravnice.

Nedeljko Milidragoviç, Aleksa Golijanin, Milivoje Batinica, Aleksandar Daceviç, Bora Miletiç, Jovan Petroviç, Dragomir Paroviç dhe Vidosav Vasiç akuzohen për organizimin dhe pjesëmarrjen në pushkatimin e më shumë se 1,300 civilëve në magazinë. Prokuroria serbe i akuzoi ata në 2015 dhe gjyqi u hap në shkurt 2017, por procedimet janë shoqëruar nga vonesa të shumta.

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.

Liqeni Perucac

Liqeni Perucac është një liqen artificial në lumin Drina, në kufi me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Serbinë, dhe shtrihet midis qytetit të Visegradit në anën e Bosnjës dhe qytetit Bajina Basta nga ana serbe. Vendndodhja u përdor për asgjësimin e kufomave gjatë dy luftërave botërore, si dhe gjatë konflikteve të viteve 1990.

Deri më tani, mbetjet mortore të 238 personave që vdiqën në luftërat e viteve 1990 janë identifikuar në liqenin Perucac, pasi u vranë ose nga Ushtria Serbe e Bosnjës ose nga Ushtria dhe policia Jugosllave. Disa nga viktimat, trupat e të cilëve janë gjetur në liqen, u vranë në Srebrenicë, Zvornik dhe Visegrad gjatë luftës 1992-1995 në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa 84 prej trupave ishin ato të viktimave të luftës 1998-1999 në Kosovë.

Vendndodhja e varrit masiv është e pashënuar dhe Liqeni Perucac është një destinacion popullor turistik me shtëpi verore, restorante, kafene dhe qendra sportesh ujore. Liqeni artificial u krijua në 1966 për t’u shërbyer nevojave të hidrocentralit në Bajina Basta, një qytet rreth 13 kilometra më larg.

Zhvarrosjet e para të trupave në liqen u kryen nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në shtator 2001, kur u gjetën eshtrat e viktimave etnike shqiptare nga Kosova.

Një dekadë më vonë, pasi vendi u ripa pas një kërkese nga Instituti për Personat e Zhdukur i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Grupit të Punës për Personat e Zhdukur në Prishtinë, pati gërmime të tjera, gjatë të cilave u gjetën eshtrat e viktimave kryesisht boshnjake të vrara gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në vitin 2013, u gjetën edhe më shumë mbetje mortore pasi autoritetet ulën nivelin e ujit në liqen.

Eshtrat e 10 fëmijëve janë gjetur në këtë liqen, nga të cilët më i vogli, një djalë i quajtur Haris Podziç, ishte tre vjeç e gjysmë. Janë gjetur gjithashtu eshtrat e 40 grave, shumica e tyre nga qyteti i Visegradit.

Gjyqtarët në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, i përshkruan mizoritë e kryera në Visegrad gjatë luftës në Bosnjë si një nga “fushatat më famëkeqe për dëbimin e boshnjakëve”. Shumica e trupave u hodhën në lumin Drina, por rryma i çoi ata në liqen.

Trupat e njerëzve të vrarë në luftën e Kosovës u hodhën direkt në liqen. Pasi disa prej kufomave filluan të pluskonin pranë digës së hidrocentralit në liqenin Perucac, Vlastimir Djordjeviç, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme Serbe, tha se “duhet të merren masa për të spastruar terrenin”. Kjo u pasua nga një operacion i fshehtë shtetëror për të zhvendosur kufomat nga uji në një varr masiv në breg.

Operacioni u krye nga operativët e Ministrisë së Brendshme duke përfshirë Djordjeviçin i cili më vonë u dënua me 18 vjet burg nga GJPNJ-ja.

Disa njerëz të tjerë janë ndjekur penalisht nga GJPNJ-ja për krime në lidhje me varrin masiv në liqen. Gjykata dënoi Mitar Vasiljeviçin, një ish-anëtar i grupit paraushtarak “Shqiponjat e Bardha”, me 15 vjet burg për krimet e kryera në zonë. Ajo gjithashtu dënoi Milan dhe Sredoje Lukiç, të dy ish-udhëheqës të të njëjtit grup paraushtarak, përkatësisht me burgim të përjetshëm dhe me 30 vjet burg.

Zeleni Jadar 6

Zeleni Jadar është një zonë rreth 20 kilometra në jug të Srebrenicës në Bosnjën lindore ku u gjetën të paktën shtatë varre klandestine, të gjithë varre masive dytësore të lidhur me përpjekjen për të mbuluar masakrat e vitit 1995 në Srebrenicë.

Varri masiv Zeleni Jadar u zbulua në vitin 2001 dhe aty u zhvarrosën eshtrat e 135 njerëzve.

Nga Srebrenica në kodrat e Zeleni Jadarit rruga zgjat rreth gjysmë ore me makinë, ku varre të pashënuara ndodhen në të dy anët e rrugës, në pyje dhe fusha.

Sipas raportit të përpiluar nga hetuesit nga Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, shumica e viktimave të varrosura në vend ishin meshkuj, të moshës nga tetë deri në 65 vjeç. Gjashtë prej tyre ishin 17 vjeç ose më pak. Veshja ishte ende e pranishme në shumicën e trupave, ndërsa disa kishin shenja djegiesh. Shumica dërrmuese u gjet se kishin vdekur nga plagët e marra me armë zjarri. U gjetën vetëm disa sende personale – ora dhe sende të lidhura me pirjen e duhanit. Varri masiv primar nga i cili u zhvendosën mbetjet mortore në Zeleni Jadar 6 ishte ai në Glogova, afër qytetit të Bratunacit.

Ashtu si në varrin masiv Zeleni Jadar 5, beton, suva dhe materialet e tjera ndërtimi të zbuluara në varr përputheshin me ato nga një depo në një fermë në Kravica, afër qytetit të Bratunacit. Më 13 dhe 14 korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë 1,313 boshnjakë nga Srebrenica në Kravica.

Pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995, më shumë se 7,000 burra boshnjakë u vranë dhe shumica prej tyre u varrosën në korrik në gjashtë varre parësore: Branjevo, Kozlul, Diga Petkovci, Cerska, Ofahovac dhe Glogova. Gjatë shtatorit dhe tetorit 1995, varret primare në këto vende u gërmuan nga forcat serbe të Bosnjës dhe trupat u rivarrosën në varre dytësore në një përpjekje për të mbuluar krimet.

Zhvarrosja dhe transferimi i kufomave nga Glogova në Zeleni Jadar ndodhi natën gjatë periudhës midis 24 gushtit dhe 23 tetorit 1995. Pas udhëzimeve nga komandantët e Ushtrisë Serbe të Bosnjës Vujadin Popoviç dhe Vidoje Blagojeviç, një oficer tjetër i lartë me Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Momir Nikoliç, ndihmoi në zhvarrosjen dhe operacionin e rivarrimit.

Operacioni i rivarrimit u kodua me emrin ‘asanacija’ në serbisht, që do të thotë masa higjienike dhe sanitare. Sipas Nikoliç, ‘asanacija’ normalisht përfshinte heqjen dhe varrosjen e trupave të pajetë nga një fushë beteje, por në këtë rast, termi i referohej zhvendosjes së trupave të varrosur në Glogova në varre më të vegjël dytësorë në zonën përreth Srebrenicës, në veçanti në Zeleni Jadar. Operacioni supozohej të ishte i fshehtë, por u krye hapur dhe kërkoi përfshirjen e një force të madhe punëtore, burimesh, asetesh dhe automjetesh.

Policia Ushtarake e Brigadës së Bratunac siguroi rrugën nga Bratunaci për në Srebrenicë në mënyrë që të lehtësonte lëvizjen e automjeteve nëpër zonat e banuara. Ata gjithashtu siguruan vendet e varreve ndërsa punëtorët nga Stafi Komunal për Mbrojtjen Civile i Bratunacit merrej me gërmimet. U përfshinë gjithashtu oficerë të policisë civile. Një ngarkues dhe një ekskavator u përdorën për gërmimin dhe katër deri në pesë kamionë u përdorën për të transportuar trupat nga Glogova në Zeleni Jadar.

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.

Zeleni Jadar 5

Zeleni Jadar është një zonë rreth 20 km në jug të Srebrenicës në Bosnjen lindore, ku u gjetën të paktën shtatë varre klandestine, të gjithë varre masive dytësore. Në varrin e parë të zbuluar në vitin 1998, i njohur si Zeleni Jadar 5, u gjetën eshtra njerëzish të vrarë gjatë gjenocidit të Srebrenicës në korrik 1995.

Zona mbetet e pashënuar – vendet e varreve klandestine ishin të shpërndarë përgjatë të dy anëve të rrugës, disa prej tyre më thellë në pjesën e poshtme, disa në fusha, disa afër lumit që mban të njëjtin emër si zona, Jadar.

Shumë nga pjesët e trupit të gjetura në varret në Zeleni Jadar përputheshin me mbetjet mortore të gjetura në varret Glogova 1 dhe 2. Në të gjithë varret e Zeleni Jadarit – Zeleni Jadar 1A, 1B, 2, 3, 4, 5 dhe 6 – lidhjet me varrin primar Glogova 1 u krijuan përmes identifikimit të pjesëve të trupit që u përkisnin të njëjtëve individë të gjetur në varrin Glogova 1 dhe në një nga varret dytësore.

Në fillim të gërmimit, ekipet mjeko-ligjore nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, vunë re se shumica e trupave të gjetur ishin jo të plotë, ndërsa veshja ishte e pranishme në shumicën e trupave dhe relativisht pak kishin sende personale si orë, bizhuteri, sende dhe letra për pirjen e duhanit.

Mosha e viktimave të gjetura varionte nga tetë deri në 65 vjeç. Një nga viktimat më të reja të gjetura ishte një 14-vjeçar, Senad Beganoviç, pjesët e trupit të të cilit u gjetën në katër varre masive, përfshirë në Zeleni Jadar 5.

Sipas raportit mjeko-ligjor të GJPNJ-së, shumica e viktimave kishin plagë me armë zjarri, ndërsa disa kishin lëndime nga shpërthime dhe pajisje shpërthyese.

Në Zeleni Jadar, shtatë vende varresh mund të lidhen me ekzekutimet në një depo në një fermë në Kravica, afër qytetit të Bratunacit. Më 13 dhe 14 korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë 1,313 boshnjakë në Kravica.

Mbetjet mortore të viktimave të një vrasje masive me armë zjarri në një hangar prapa shkollës “Vuk Karadzic” në Bratunac, ku 400 boshnjakë u ndaluan më 13 korrik 1995, u gjetën gjithashtu në Zeleni Jadar.

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.

Branjevo

Varri masiv në Branjevo në Bosnjën dhe Hercegovinën verilindore ishte një nga pesë varret e para masivë që u zbuluan gati një vit pas përfundimit të luftës. Ai u gjet nga hetuesit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rreth 130 metra larg Fermës Ushtarake të Branjevës, ku më shumë se 1,000 boshnjakë nga Srebrenica u ekzekutuan në korrik 1995.

Ai është një varr i thellë, primar në buzë të një fushe të madhe të mbjellë afër fshatit Pilica në anën perëndimore të lumit Drina, përtej një ure nga Serbia fqinje.

Zona ku u gjet varri tani është pothuajse e panjohur dhe e vështirë për t’u gjetur pasi shtrihet në mes të një fshati të ndërtuar kohët e fundit, i përhapur në mes të shtëpive private, fushave bujqësore dhe një pylli të vogël.

Ndërtesa e Fermës Ushtarake Branjevo u shkatërrua gjithashtu pas luftës dhe autoritetet serbe të Bosnjës ndërtuan një lagje të re në vend me një kishë, shtëpi private, dyqane dhe ndërtesa të tjera. Toka fillimisht i përkiste ndërmarrjes Agroprom, por në 1994 ajo u kërkua nga Brigada e Zvornikut e Ushtrisë Serbe të Bosnjës për të prodhuar ushqim për ushtarët.

Një zbulim paraprak i zonës u krye në prill 1996, ndërsa ekzaminimet e autopsisë së viktimave u kryen në tetor të atij viti.

U zbulua se viktimat u vranë larg varrit dhe më pas u vendosën në të. Kyçet e 77 prej tyre ishin të lidhur. Sipas një raporti mjeko-ligjor të përpiluar nga Mjekët për të Drejtat e Njeriut, të gjithë individët e gjetur në varrin masiv ishin të veshur me rroba civile, me përjashtim të një personi që kishte veshur pantallona ushtarake.

Raportet mjeko-ligjore dhe dëshmitë e dëshmitarëve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, përfshirë dëshmitë nga njerëzit që ishin pjesë e skuadrave vrasëse, konfirmuan se shumica e viktimave të gjetura në varrin në Branjevo u vranë në Qendrën Kulturore Pilica nga forcat serbe të Bosnjës në mes të korrikut 1995.

Pas rënies së Srebrenicës në duart e forcave serbe të Bosnjës, boshnjakët e kapur u sollën me autobusë në Fermën Ushtarake Branjevo për t’u ekzekutuar. Të mbijetuarit përshkruan se u çuan në grupe në një livadh të mbushur me kufoma dhe iu kërkua të ktheheshin me shpinë. Më 16 korrik 1995, ushtarët në Fermën Ushtarake Branjevo u urdhëruan të shkonin rreth pesë kilometra në lindje të Qendrës Kulturore Pilica për të vrarë rreth 500 boshnjakë që po mbaheshin atje. Atë pasdite në Pilica dëgjoheshin të shtëna, të cilat vinin nga drejtimi i Qendrës Kulturore. Askush nuk i mbijetoi ekzekutimit. Pjesa e brendshme e Qendrës Kulturore Pilica u përshkrua se kishte kufoma “të grumbulluar njëri mbi tjetrin, të shtrirë dhe të shpërndarë ngado” dhe trupat – dy prej të cilëve ishin femra – ishin të gjithë të veshur me rroba civile. Trupat më pas u varrosën në Fermën Ushtarake Branjevo.

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.