Zeleni Jadar është një zonë rreth 20 kilometra në jug të Srebrenicës në Bosnjën lindore ku u gjetën të paktën shtatë varre klandestine, të gjithë varre masive dytësore të lidhur me përpjekjen për të mbuluar masakrat e vitit 1995 në Srebrenicë.
Varri masiv Zeleni Jadar u zbulua në vitin 2001 dhe aty u zhvarrosën eshtrat e 135 njerëzve.
Nga Srebrenica në kodrat e Zeleni Jadarit rruga zgjat rreth gjysmë ore me makinë, ku varre të pashënuara ndodhen në të dy anët e rrugës, në pyje dhe fusha.
Sipas raportit të përpiluar nga hetuesit nga Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, shumica e viktimave të varrosura në vend ishin meshkuj, të moshës nga tetë deri në 65 vjeç. Gjashtë prej tyre ishin 17 vjeç ose më pak. Veshja ishte ende e pranishme në shumicën e trupave, ndërsa disa kishin shenja djegiesh. Shumica dërrmuese u gjet se kishin vdekur nga plagët e marra me armë zjarri. U gjetën vetëm disa sende personale – ora dhe sende të lidhura me pirjen e duhanit. Varri masiv primar nga i cili u zhvendosën mbetjet mortore në Zeleni Jadar 6 ishte ai në Glogova, afër qytetit të Bratunacit.
Ashtu si në varrin masiv Zeleni Jadar 5, beton, suva dhe materialet e tjera ndërtimi të zbuluara në varr përputheshin me ato nga një depo në një fermë në Kravica, afër qytetit të Bratunacit. Më 13 dhe 14 korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë 1,313 boshnjakë nga Srebrenica në Kravica.
Pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995, më shumë se 7,000 burra boshnjakë u vranë dhe shumica prej tyre u varrosën në korrik në gjashtë varre parësore: Branjevo, Kozlul, Diga Petkovci, Cerska, Ofahovac dhe Glogova. Gjatë shtatorit dhe tetorit 1995, varret primare në këto vende u gërmuan nga forcat serbe të Bosnjës dhe trupat u rivarrosën në varre dytësore në një përpjekje për të mbuluar krimet.
Zhvarrosja dhe transferimi i kufomave nga Glogova në Zeleni Jadar ndodhi natën gjatë periudhës midis 24 gushtit dhe 23 tetorit 1995. Pas udhëzimeve nga komandantët e Ushtrisë Serbe të Bosnjës Vujadin Popoviç dhe Vidoje Blagojeviç, një oficer tjetër i lartë me Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Momir Nikoliç, ndihmoi në zhvarrosjen dhe operacionin e rivarrimit.
Operacioni i rivarrimit u kodua me emrin ‘asanacija’ në serbisht, që do të thotë masa higjienike dhe sanitare. Sipas Nikoliç, ‘asanacija’ normalisht përfshinte heqjen dhe varrosjen e trupave të pajetë nga një fushë beteje, por në këtë rast, termi i referohej zhvendosjes së trupave të varrosur në Glogova në varre më të vegjël dytësorë në zonën përreth Srebrenicës, në veçanti në Zeleni Jadar. Operacioni supozohej të ishte i fshehtë, por u krye hapur dhe kërkoi përfshirjen e një force të madhe punëtore, burimesh, asetesh dhe automjetesh.
Policia Ushtarake e Brigadës së Bratunac siguroi rrugën nga Bratunaci për në Srebrenicë në mënyrë që të lehtësonte lëvizjen e automjeteve nëpër zonat e banuara. Ata gjithashtu siguruan vendet e varreve ndërsa punëtorët nga Stafi Komunal për Mbrojtjen Civile i Bratunacit merrej me gërmimet. U përfshinë gjithashtu oficerë të policisë civile. Një ngarkues dhe një ekskavator u përdorën për gërmimin dhe katër deri në pesë kamionë u përdorën për të transportuar trupat nga Glogova në Zeleni Jadar.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.