Zeleni Jadar është një zonë rreth 20 km në jug të Srebrenicës në Bosnjen lindore, ku u gjetën të paktën shtatë varre klandestine, të gjithë varre masive dytësore. Në varrin e parë të zbuluar në vitin 1998, i njohur si Zeleni Jadar 5, u gjetën eshtra njerëzish të vrarë gjatë gjenocidit të Srebrenicës në korrik 1995.
Zona mbetet e pashënuar – vendet e varreve klandestine ishin të shpërndarë përgjatë të dy anëve të rrugës, disa prej tyre më thellë në pjesën e poshtme, disa në fusha, disa afër lumit që mban të njëjtin emër si zona, Jadar.
Shumë nga pjesët e trupit të gjetura në varret në Zeleni Jadar përputheshin me mbetjet mortore të gjetura në varret Glogova 1 dhe 2. Në të gjithë varret e Zeleni Jadarit – Zeleni Jadar 1A, 1B, 2, 3, 4, 5 dhe 6 – lidhjet me varrin primar Glogova 1 u krijuan përmes identifikimit të pjesëve të trupit që u përkisnin të njëjtëve individë të gjetur në varrin Glogova 1 dhe në një nga varret dytësore.
Në fillim të gërmimit, ekipet mjeko-ligjore nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, vunë re se shumica e trupave të gjetur ishin jo të plotë, ndërsa veshja ishte e pranishme në shumicën e trupave dhe relativisht pak kishin sende personale si orë, bizhuteri, sende dhe letra për pirjen e duhanit.
Mosha e viktimave të gjetura varionte nga tetë deri në 65 vjeç. Një nga viktimat më të reja të gjetura ishte një 14-vjeçar, Senad Beganoviç, pjesët e trupit të të cilit u gjetën në katër varre masive, përfshirë në Zeleni Jadar 5.
Sipas raportit mjeko-ligjor të GJPNJ-së, shumica e viktimave kishin plagë me armë zjarri, ndërsa disa kishin lëndime nga shpërthime dhe pajisje shpërthyese.
Në Zeleni Jadar, shtatë vende varresh mund të lidhen me ekzekutimet në një depo në një fermë në Kravica, afër qytetit të Bratunacit. Më 13 dhe 14 korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë 1,313 boshnjakë në Kravica.
Mbetjet mortore të viktimave të një vrasje masive me armë zjarri në një hangar prapa shkollës “Vuk Karadzic” në Bratunac, ku 400 boshnjakë u ndaluan më 13 korrik 1995, u gjetën gjithashtu në Zeleni Jadar.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.