Liqeni Perucac është një liqen artificial në lumin Drina, në kufi me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Serbinë, dhe shtrihet midis qytetit të Visegradit në anën e Bosnjës dhe qytetit Bajina Basta nga ana serbe. Vendndodhja u përdor për asgjësimin e kufomave gjatë dy luftërave botërore, si dhe gjatë konflikteve të viteve 1990.
Deri më tani, mbetjet mortore të 238 personave që vdiqën në luftërat e viteve 1990 janë identifikuar në liqenin Perucac, pasi u vranë ose nga Ushtria Serbe e Bosnjës ose nga Ushtria dhe policia Jugosllave. Disa nga viktimat, trupat e të cilëve janë gjetur në liqen, u vranë në Srebrenicë, Zvornik dhe Visegrad gjatë luftës 1992-1995 në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa 84 prej trupave ishin ato të viktimave të luftës 1998-1999 në Kosovë.
Vendndodhja e varrit masiv është e pashënuar dhe Liqeni Perucac është një destinacion popullor turistik me shtëpi verore, restorante, kafene dhe qendra sportesh ujore. Liqeni artificial u krijua në 1966 për t’u shërbyer nevojave të hidrocentralit në Bajina Basta, një qytet rreth 13 kilometra më larg.
Zhvarrosjet e para të trupave në liqen u kryen nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në shtator 2001, kur u gjetën eshtrat e viktimave etnike shqiptare nga Kosova.
Një dekadë më vonë, pasi vendi u ripa pas një kërkese nga Instituti për Personat e Zhdukur i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Grupit të Punës për Personat e Zhdukur në Prishtinë, pati gërmime të tjera, gjatë të cilave u gjetën eshtrat e viktimave kryesisht boshnjake të vrara gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Në vitin 2013, u gjetën edhe më shumë mbetje mortore pasi autoritetet ulën nivelin e ujit në liqen.
Eshtrat e 10 fëmijëve janë gjetur në këtë liqen, nga të cilët më i vogli, një djalë i quajtur Haris Podziç, ishte tre vjeç e gjysmë. Janë gjetur gjithashtu eshtrat e 40 grave, shumica e tyre nga qyteti i Visegradit.
Gjyqtarët në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, i përshkruan mizoritë e kryera në Visegrad gjatë luftës në Bosnjë si një nga “fushatat më famëkeqe për dëbimin e boshnjakëve”. Shumica e trupave u hodhën në lumin Drina, por rryma i çoi ata në liqen.
Trupat e njerëzve të vrarë në luftën e Kosovës u hodhën direkt në liqen. Pasi disa prej kufomave filluan të pluskonin pranë digës së hidrocentralit në liqenin Perucac, Vlastimir Djordjeviç, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme Serbe, tha se “duhet të merren masa për të spastruar terrenin”. Kjo u pasua nga një operacion i fshehtë shtetëror për të zhvendosur kufomat nga uji në një varr masiv në breg.
Operacioni u krye nga operativët e Ministrisë së Brendshme duke përfshirë Djordjeviçin i cili më vonë u dënua me 18 vjet burg nga GJPNJ-ja.
Disa njerëz të tjerë janë ndjekur penalisht nga GJPNJ-ja për krime në lidhje me varrin masiv në liqen. Gjykata dënoi Mitar Vasiljeviçin, një ish-anëtar i grupit paraushtarak “Shqiponjat e Bardha”, me 15 vjet burg për krimet e kryera në zonë. Ajo gjithashtu dënoi Milan dhe Sredoje Lukiç, të dy ish-udhëheqës të të njëjtit grup paraushtarak, përkatësisht me burgim të përjetshëm dhe me 30 vjet burg.