Carevo Polje

Carevo Polje është një varr masiv kryesor i ndodhur në qytetin e Jajce në Bosnjën dhe Hercegovinën qendrore. Varri masiv u zbulua në varrezat lokale dhe përbëhej nga dy gropa në një distancë të vogël nga njëra-tjetra. Varret përmbanin eshtrat e viktimave të luftës serbe të Bosnjës nga komuna e Donji Vakuf. Në vitin 1998, eshtrat e 81 personave u zhvarrosën nga gropat, duke përfshirë dy fëmijë të moshës shtatë dhe nëntë vjeç. Njëzet e një vjet më vonë, në vitin 2019, eshtrat e të paktën dy personave, që besohet se ishin serbë të vrarë në luftën e viteve 1992-1995, u zhvarrosën nga një varr tjetër i fshehur në Carevo Polje.

Vendi i varrit masiv mbetet i pashënuar. Familjet e të vdekurve dhe shoqatave të viktimave të luftës janë përpjekur ta shënojnë vendin e vrasjes me një pllakë përkujtimore, por leja ende nuk është dhënë nga komuna e Jajces.

Në shtator të vitit 1995, trupat kroate të Bosnjës sulmuan një kolonë refugjatësh serbë nga Donji Vakuf, të cilët po përpiqeshin të arratiseshin drejt veriut të sigurt në qytetin e Banja Lukës, të kontrolluar nga serbët, rreth 100 kilometra larg rrugës. Ndërsa autobusi me të cilin ata udhëtonin po kalonte nëpër fshatin e braktisur Bravnice, afër qytetit të Jajces, ai u sulmua dhe mbetën të vrarë 81 civilë. Nëntë ushtarë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës u vranë gjithashtu, tha policia, dhe një numër njerëzish u plagosën. Civilët që u kapën në pritë u dërguan në ambiente paraburgimi.

Vendimi i Gjykatës së Hagës që liron nga akuzat gjeneralët e Ushtrisë Kroate Ante Gotovina dhe Mladen Markaç tha se nga 8 deri më 15 shtator 1995, Ushtria Kroate dhe Këshilli Kroat i Mbrojtjes, HVO, duke punuar me Ushtrinë Boshnjake, kryen Operacionin Maestral me qëllim marrjen e kontrollit mbi një zonë pranë qyteteve boshnjake Drvar, Sipovo, Jajce, Bosanski Petrovac, Bosanska Krupa dhe Kljuc.

Vendimi thoshte se një nga njësitë pjesëmarrëse në Operacionin Maestral ishte Brigada e 4-të e Gardës së Ushtrisë Kroate, e komanduar nga gjenerali Damir Krsticeviç, i cili më vonë u bë ministër i mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër i Kroacisë nga viti 2016 deri në vitin 2020. Krsticeviç ka mohuar se brigada ishte i përfshirë në pritën e Bravnices, duke këmbëngulur se ishte në selinë e saj në Split kur ndodhi sulmi.

Një e mbijetuar e pritës në Bravnice, Nadezda Jankoviç, këmbënguli se Brigada e 4-të e Gardës ishte e përfshirë në sulm. “Anëtarët e asaj ushtrie ishin në një llogore, nga ku ata sulmuan autobusin dhe e ndaluan atë, ndërsa anëtarët e HVO-s erdhën nga ana tjetër, përtej urës, dhe ata e dënuan sulmin dhe ofruan ndihmë”, tha Jankoviç për BIRN.

Ajo tha se pa ushtarë me uniforma kamuflazhi pas sulmit: “Ata kaluan pranë nesh duke qeshur. Thanë se na kishin therur mirë. Kishte edhe disa ushtarë që erdhën dhe na mbuluan plagët. Ata ushtarë kishin simbole të HVO-së dhe një flamur me kuadrate (kroat) në mëngët e tyre.”

Askush nuk është akuzuar ndonjëherë për vrasjet në Bravnice. Prokuroria shtetërore e Bosnjës ka kryer një hetim.

Ferma Bimeks

Ky varr masiv primar ndodhet në tokën bujqësore në pronësi të fabrikës së mishit Bimeks në qytetin verior të Brckos. Ai u zhvarros në tetor të vitit 1996, kur u gjetën eshtrat e 78 viktimave të luftës. Varri masiv ndodhet në periferi të qytetit, pranë një rruge kryesore, pikërisht përballë varrezave ortodokse serbe. Vendndodhja e tij është e pashënuar.

Nga prilli i vitit 1992, forcat serbe të Bosnjës luftuan për të fituar kontrollin mbi Brckon, i cili shtrihet pranë kufirit me Kroacinë. Me ndihmën e autoriteteve lokale serbe, trupat serbe të Bosnjës dëbuan banorët kroatë dhe boshnjakë nga shtëpitë e tyre dhe i mbajtën në qendra paraburgimi ku shumë u vranë, torturuan, rrahën ose keqtrajtuan.

Të kapurit u mbajtën dhe u keqtrajtuan ilegalisht në ndërtesën e policisë së Brckos, spitalin lokal, kampin e burgut të Lukës, ish-ndërtesën sportive të Partizanit dhe kazermën e Ushtrisë Popullore Jugosllave. Krimet u kryen nga anëtarë të forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake. Disa nga ekzekutimet u filmuan nga gazetarë të huaj dhe shkaktuan dënime në mbarë botën. Pas kësaj, filloi operacioni i mbulimit për fshehjen e trupave të viktimave.

Dëshmitarët e gjykatës dëshmuan se trupat e atyre që u vranë u transportuan nga qendrat e paraburgimit në varre masive duke përdorur kamionë nga fabrika lokale e mishit Bimeks. Pranë fabrikës, sipas disa dëshmitarëve, kishte një varr masiv parësor që përdorej për të hedhur kufomat gjatë viteve të para të luftës. Më vonë, ndërsa trupat filluan të grumbulloheshin, ata u gërmuan dhe u rivarrosën në varrin masiv dytësor Gorice. Dëshmitarët thanë gjithashtu se një numër trupash u hodhën në lumin Sava. Cvjetko Igniç, i cili ishte ekspert mjeko-ligjor i policisë dhe dëshmoi në gjyqin e shefave të policisë serbe të Bosnjës të kohës së luftës, Stojan Zupljanin dhe Mico Stanisiç, tha se nga maji deri në korrik 1992, ai identifikoi më shumë se 200 kufoma, të cilat më pas u varrosën në një varr masiv pranë Fermës Bimeks në periferi të Brckos. Igniç tha se u vërtetuan identitetet e 103 nga gjithsej 216 viktima, duke përfshirë nëntë gra. Sipas Igniç, “një përqindje e madhe” ishin civilë dhe vetëm disa kufoma ishin me uniforma kamuflazhi.

Dy luftëtarë serbë të Bosnjës, Goran Jelisiç dhe Ranko Cesiç, u vetëdeklaruan fajtorë për krimet në Brcko në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ.

Jelisiç, i cili e përshkruante veten si “Adolfi serb”, ishte një roje i lartë në kampin e paraburgimit Luka. Ai u dënua me 40 vjet burg dhe vendimi i gjykatës së Hagës e përshkruan sjelljen e tij si “të neveritshme, shtazarake dhe sadiste”. Cesiç, i cili ishte një oficer policie, u dënua me 18 vjet për vrasje dhe përdhunim.

Djordje Ristaniç, kreu i lidershipit serb të kohës së luftës në Brcko, u lirua nga akuza për pjesëmarrje në një sipërmarrje të përbashkët kriminale për të persekutuar boshnjakët dhe kroatët nga gjykata shtetërore e Bosnjës në vitin 2022.

Gjykata e apelit e qarkut të Brckos dënoi Pero Rikanoviçin me pesë vjet e gjysmë burg për krime lufte kundër të burgosurve të luftës dhe civilëve. Rikanoviç mori pjesë në vrasjet e civilëve në kampin e burgut të Lukës, të cilët u varrosën më pas në varrin në Bimeks.

Zaklopaca

Zaklopaca është një fshat i vogël në komunën Milici në Bosnjën verilindore, afër qytetit të Vlasenicës. Instituti Boshnjak i Personave të Zhdukur zbuloi dy varre në fshat në afërsi të njëri-tjetrit. Zhvarrosja e parë u krye në vitin 1998, kur u gjetën eshtrat e tetë personave. Gjithashtu u konstatua se vendi ishte trazuar sërish dhe trupat ishin transferuar në një vend tjetër.

Një zhvarrosje e dytë në vitin 2004 solli zbulimin e një varri të dytë 500 metra larg nga i pari. Ai përmbante eshtrat e 54 viktimave të luftës, duke përfshirë 11 fëmijë të moshës nga katër deri në 12 vjeç. Viktima më e re ishte Naida Hodziç katër vjeçe dhe më e moshuara Fatima Berbiç 62 vjeçare.

Varret mbeten të pashënuara, të ndodhura midis një grope gëlqereje të quajtur Zlatanova Kreçana dhe lumit Studeni Jadar.

Më 16 maj 1992, trupat dhe oficerët e policisë serbe të Bosnjës vranë 56 civilë boshnjakë, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Dymbëdhjetë persona që i mbijetuan masakrës dhe ikën në qytetin e Vlasenicës u gjurmuan dhe u vranë në ditët në vijim. Pas masakrës, një skavator nga kompania minerare Boksit u përdor për të hapur gropat në fshatin Zaklopaca ku u hodhën kufomat.

Amor Masoviç, kryetar i Komisionit Federal të Bosnjës për Personat e Zhdukur, tha se në mesin e viktimave në varr ishin 29 persona nga familja Hodziç.

Në mars 2022, gjykata shtetërore e Bosnjës dha një vendim të shkallës së parë që liron nga akuzat dy ish-policë dhe tre ish-ushtarë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës për përfshirje në vrasjet e civilëve boshnjakë në Zaklopaca. Gjykata arriti në përfundimin se nuk ishte provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Radomir Pantiç, Nenad Vukotiç, Branko Joloviç, Milomir Miloseviç dhe Nikola Losiç i kryen vrasjet në vitin 1992.

Sipas Institutit Boshnjak të Personave të Zhdukur, 955 boshnjakë u zhdukën në komunat Vlasenica dhe Milic midis 1992 dhe 1995.

Varri masiv më i madh i gjetur në zonën e Vlasenicës ishte varri masiv Ogradice, nga i cili u zhvarrosën eshtrat e 232 viktimave në vitin 2003. Varri masiv i Zaklopacës ishte më i madhi i gjetur në komunën e Milicit. Tridhjetë e shtatë viktima u zhvarrosën gjithashtu nga varri masiv i Susicës.

Rruga Hodzici 4

Varri masiv Rruga Hodzici 4 është një nga shtatë varret masive që u gjetën përgjatë rrugës afër fshatit Hodzic dhe qytetit të Zvornikut në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore. 

Ai u zbulua në 1998 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ), hetuesit e së cilës përcaktuan se është një varr masiv dytësor që përmban viktima të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.

Deri më tani, janë identifikuar 71 individë mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në këtë lokacion. 

Varri është i pashënuar dhe shtrihet në një livadh mes shtëpive dhe fermave në fshatin Hodzic. 

Të paktën 45 persona, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në varr vdiqën nga plagët e shkaktuara me armë zjarri, dhe 34 i kishin sytë e lidhura. 

Analiza e GJPNJ-së tregoi Rruga Hodzici 4 është një varr masiv dytësor dhe trupat e gjetur atje mund të lidhen me varrin masiv parësor Lazete 2.

Burrat boshnjakë që ishin kapur pas rënies së Srebrenicës u transportuan më 14 korrik 1995 në shkollën Grbavci në fshatin Orahovac, pastaj u vranë dhe u varrosën në fushat e njohura si Lazete. Analiza kriminalistike e mostrave të dheut/polenit, provat dhe imazhet ajrore të datave të krijimit dhe  trazimit, zbuluan më tej se trupat nga varret Lazete 1 dhe Lazete 2 u gërmuan dhe u rivarrosën në varret dytësore përgjatë Rrugës Hodzici.

 

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus pesë dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.

Rruga Hodzici 3

Varri masiv Rruga Hodzici 3 është një nga shtatë që u gjetën përgjatë një rruge afër fshatit Hozdici në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore. Ai u zbulua nga trupat nga Forca e Stabilizimit (SFOR) e NATO-s në maj 1998, ndërsa personeli po bënte riparime në rrugë.

Zhvarrosja e vendvarrimit u krye nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ) dhe si rezultat u identifikuan 40 persona, që të gjithë të vrarë gjatë rënies së qytetit të Srebrenicës në korrik 1995.

Varri masiv Rruga Hodzici 3 është i pashënuar dhe shtrihet në anën e djathtë të një rrugice që lidh fshatin Hodzici me qytetin e Zvornikut.

Ekipi mjeko-ligjor i GJPNJ-së gjeti 16 mjete për lidhjen e syve në këtë vendvarrim. Të paktën 20 persona që ishin varrosur atje vdiqën nga plagët e shkaktuara me armë zjarri. Në lokacion u gjetën vetëm trupa të meshkujve.

Analiza e GJPNJ-së tregoi gjithashtu se Rruga Hodzici 3 është një varr masiv dytësor dhe trupat e gjetur atje mund të lidhen me varrin masiv parësor Lazete 2.

Burrat boshnjakë që ishin kapur pas rënies së Srebrenicës u transportuan më 14 korrik 1995 në shkollën Grbavci në fshatin Orahovac, pastaj u vranë dhe u varrosën në fushat e njohura si Lazete. Analiza kriminalistike e mostrave të dheut/polenit, provat dhe imazhet ajrore të datave të krijimit dhe  trazimit, zbuluan më tej se trupat nga varret Lazete 1 dhe Lazete 2 u gërmuan dhe u rivarrosën në varret dytësore përgjatë Rrugës Hodzici.

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus pesë dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.

Budak 1

Varri masiv Budak 1 gjendet në fshatin Potocari, gjashtë kilometra në veriperëndim të qytetit të Srebrenicës në Bosnjën lindore. Varri u zhvarros në korrik 2005 nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur, nën monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Ky varr masiv dytësor gjendet brenda një varreze ekzistuese myslimane në Potocari. Zhvarrimi rezultoi me mbetjet mortore të 54 personave, shumica prej tyre të vrarë gjatë gjenocidit të Srebrenicës në korrik 1995.

Mbetjet mortore që u gjetën, mostrat e ADN-së dhe provat e tjera, duke përfshirë mostrat e dheut dhe polenit, si dhe gëzhojat në varret masive dhe nga vendet e ekzekutimit, provuan lidhjen ndërmjet këtij varri masiv dytësor dhe varrit masiv parësor Glogova 1.

Glogova 1 fillimisht përmbante shumë mbetje mortore të tjera, por në një operacion pasues të mbulimit të krimit nga forcat serbe të Bosnjës në vjeshtën e vitit 1995, trupat u transportuan nga atje në vendet e tjera të varrimit, duke përfshirë lokacionin Budak 1, sipas Institutit Boshnjak për Personat e Zhdukur. Operacioni për të fshehur krimet u përshkrua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ) si “një përpjekje e organizuar dhe gjithëpërfshirëse…për të fshehur ekzekutimet duke zhvarrosur trupat nga varret masive parësore dhe duke i rivarrosur në varre dytësore”.

Bazuar në lidhjet e ADN-së, GJPNJ-ja vendosi që varret masive dytësore në zonën e fshatit Potocari jo vetëm që janë të lidhura me varret masive parësore, por gjithashtu janë të ndërlidhura në nivele të ndryshme. Në rastin e vendvarrimit Budak 1, mbetjet mortore të disa individëve të gjetur atje, u gjetën gjithashtu në varre të tjera përveç lokacionit kryesor në Glogova 1: Budak 2, Zeleni Jadar 4, Zeleni Jadar 5 dhe Zeleni Jadar 6.

Ekipet mjeko-ligjore të GJPNJ-së gjithashtu vërtetuan se disa prej mbetjeve mortore të gjetura në varrin masiv Budak 1 ishin viktimat që ishin qëlluar për vdekje në një fermë në Kravica, ku më 13 korrik 1995, ushtarët serbë të Bosnjës ekzekutuan 1,313 burra boshnjakë nga Srebrenica. Armë automatike, bomba dore dhe armë të tjera u përdorën për të vrarë burrat brenda në depo.

Sot, ende ekziston një varrezë myslimane në lokacionin Budak 1, si dhe një pllakë përkujtimore për nder të viktimave të gjetura në varrin masiv. Në vitin 2011, disa duzina metra larg vendvarrimeve Budak 1 dhe Budak 2, serbët vendas filluan ndërtimin e një kishe ortodokse. Kjo krijoi tensione me popullsinë vendase boshnjake, por kisha u ndërtua dhe u shenjtërua tre vjet më vonë.

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.

Rruga Hodzici 1 (Snagovo 4)

Rruga Hodzici 1 është një varr masiv dytësor, që gjendet në fshatin Snagovo, rreth 17 kilometra në veriperëndim të qytetit të Zvornikut në Bosnjë. Varri u gjet fillimisht nga trupat e NATO-s nga Forca e Stabilizimit (SFOR) në Bosnjë dhe Herzegovinë në 1998, ndërsa po devijonin rrugën rreth një rrëshqitjeje të tokës. Në këtë zonë gjenden gjithsej shtatë varre masive të ditura, që të gjitha lokacione dytësore.

Vendvarrimi u emërtua Rruga Hodzici 1 sepse është gjithashtu afër fshatit Hodzici. 

Vendvarrimi mbetet i pashënuar dhe shtrihet pranë rrugës që të çon në Hodzici.

Megjithëse u zbulua fillimisht nga SFOR-i dhe hetuesit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, zhvarrimi u krye në 2006 nga Instituti i Bosnjës për Personat e Zhdukur. Lokacioni njihet gjithashtu si Snagovo 4.

Zhvarrimi në nëntor 2006 rezultoi me identifikimin e mbetjeve mortore të 90 personave. Të gjitha viktimat besohet të kenë qenë boshnjakë të vrarë nga forcat serbe të Bosnjës pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995.

Analiza e ADN-së e kryer nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur gjeti lidhje mes këtij vendvarrimi dytësor dhe vendvarrimit parësor Lazete 2. Sipas raportit mjeko-ligjor të GJPNJ-së mbi zhvarrimet në Srebrenicë, kjo do të thotë që mbetjet mortore të një individi u gjetën në të paktën dy varre të ndryshme. Raporti thotë se mbetjet mortore u gërmuan nga varri masiv parësor Lazete 2 dhe pastaj u transferuan në Rrugën Hodzici, rreth 10 kilometra larg.

Burrat boshnjakë që ishin kapur u transportuan më 14 korrik 1995 në shkollën Grbavci në fshatin Orahovac, pastaj u vranë dhe u varrosën në fushat e njohura si Lazete. Analiza kriminalistike e mostrave të dheut/polenit, provat dhe imazhet ajrore të datave të krijimit dhe  trazimit, zbuluan më tej se trupat nga varret Lazete 1 dhe Lazete 2 u gërmuan dhe u rivarrosën në varret dytësore përgjatë Rrugës Hodzici.

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus pesë dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.

Rruga Cancari 13

Varri masiv Rruga Cancari 13 gjendet në fshatin Kamenica në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore, afër qytetit të Zvornikut.

Rruga është bërë e njohur si Lugina e Vdekjes, pasi përgjatë kësaj rruge janë gjetur 13 varre masive nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ) dhe Instituti i Bosnjës për Personat e Zhdukur.

Ky vendvarrim shtrihet pranë shtëpive të fshatit dhe është i shënuar me një pllakë përkujtimore.

Zhvarrimi i kryer nga Instituti i Bosnjës për Personat e Zhdukur në tetor 2002 zbuloi mbetjet mortore të 61 personave, që të gjithë të vrarë pasi qyteti i Srebrenicës ra në duart e Ushtrisë Serbe të Bosnjës në korrik 1995.

Trupat u rivarrosën në varrin masiv Rruga Cancari 13 në vjeshtën e 1995, pasi ishin gërmuar në një përpjekje për të mbuluar vrasjet. Ata ishin varrosur fillimisht pranë vendeve të ekzekutimit në Srebrenica, Pilica, Kozluk, Bratunac dhe Zvornik, në ditët pas 15 korrikut 1995. Dy muaj më vonë, forcat serbe të Bosnjës u urdhëruan të heqin trupat dhe t’i rivarrosin në vende më të largëta dhe më të vështira për t’u gjetur.

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus pesë dënime me burgim të përjetshëm, për krimet dhe operacionet e mbulimit të krimeve në Srebrenicë.

Rruga Cancari 8

Varri masiv i Rrugës Cancari 8 shtrihet në një luginë në fshatin Kamenica, rreth dhjetë kilometra në veri të qytetit të Zvornikut në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore. Është një nga 13 varret masive dytësore të gjetura përgjatë rrugës së fshatit, të gjitha të lidhura me vrasjet e boshnjakëve pas rënies së Srebrenicës në 1995.

Vendvarrimi qëndron i pashënuar, pranë rrugës së fshatit dhe një përroi të vogël.

Rruga Cancari 8 u zbulua fillimisht në 1998 nga hetuesit dhe antropologët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, por u zhvarros vetëm dhjetë vjet më vonë nga Instituti i Bosnjës për Personat e Zhdukur.

Zhvarrimi u krye në tetor dhe nëntor 2008 dhe u identifikuan mbetjet mortore të 51 personave.

Analiza e ADN-së e mbetjeve mortore zbuloi se disa pjesë të trupit i përkisnin Esad Bektic, mbetjet e pjesshme të të cilit u gjetën gjithashtu në një varr masiv në Branjevo. Besohet se shumë viktima të Srebrenicës u vranë fillimisht në Branjevo në korrik 1995, u varrosën atje dhe më pas u gërmuan përsëri në vjeshtë dhe u rivarrosën përgjatë Rrugës Cancari.

Pas rënies së Srebrenicës në duart e forcave serbe të Bosnjës, boshnjakët e kapur u sollën me autobusë në Fermën Ushtarake në Branjevo për ekzekutim. Të mbijetuarit përshkruan se u çuan në grupe në një livadh plot me kufoma dhe iu tha të kthejnë shpinën. Më 16 korrik 1995, ushtarët në Fermën Ushtarake në Branjevo u urdhëruan të shkonin rreth pesë kilometra në lindje në Qendrën Kulturore në Pilica për të vrarë rreth 500 boshnjakë që po mbaheshin në ndalim atje. Qitje me armë zjarri dhe shpërthime gjithashtu mund të dëgjoheshin atë pasdite në vetë Pilica, e që vinin nga drejtimi i Qendrës Kulturore. Askush nuk i mbijetoi ekzekutimit. Brenda Qendrës Kulturore në Pilica u përshkrua se kishte kufoma “të grumbulluara njëra mbi tjetrën, që qëndronin aty të shpërndara në të gjithë hapësirën”. Trupat – dy prej të cilëve ishin të femrave – u varrosën më pas në Fermën Ushtarake në Branjevo. Të gjitha viktimat ishin veshur me rroba civile.

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus pesë dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.

Nova Kasaba 99

Ky varr masiv në Nova Kasaba njihet si Nova Kasaba 99, si referim për vitin 1999, kur vendvarrimi u zbulua nga hetuesit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ).

Varri u gërmua nga të njëjtët individë të cilët gjithashtu gërmuan një varr tjetër në afërsi që u gjet në 1996 dhe njihet si Nova Kasaba 96.

Nova Kasaba 99 është një varr masiv parësor. Gjithsej 53 trupa që u gjetën atje janë identifikuar, të gjithë të lidhur me vrasjet e boshnjakëve nga Srebrenica në korrik 1995.

Varri nuk është i shënuar dhe shtrihet ngjitur me rrugën në fshatin Nova Kasaba.

Varri masiv përbëhet nga katër pjesë, por hetuesit vlerësuan se ishte një varr i vetëm, sepse gropat janë aq afër njëra-tjetrës.

Në asnjë nga pjesët e varrit nuk u gjetën shenja të mbylljes së syve ose lidhjes së duarve. Pothuajse 80 për qind e atyre që u gjetën kishin vdekur nga plagë të shumta të shkaktuara me armë zjarri. Mosha e viktimave shkon nga 13 deri në 85 vjeç.

Lokacionet e varreve masive në këtë zonë morën vëmendjen në të gjithë botën kur ambasadorja amerikane Madeleine Albright tregoi tetë fotografi të tyre në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këto fotografi satelitore dhe ajrore amerikane të bëra rreth datës 13-14 korrik 1995 shihej një fushë futbolli e mbushur plot e përplot me njerëz në zonën e qytezës Nova Kasaba. Disa ditë më vonë, në fotografitë e bëra nga avionët U2 shihej stadiumi i zbrazët, me katër ngastra toke të sapo gërmuara dhe gjurmë kamionësh në një fushë në afërsi.

“Arsyet [pse SHBA-ja dyshon se ka varre masive] janë të pesëfishta. Së pari, toka e trazuar rishtazi, aty ku dihej se ndodheshin refugjatët. Gjurmët e automjeteve të rënda ishin atje më parë. Nuk ka asnjë arsye të dukshme ushtarake, industriale ose bujqësore për gjurmët ose tokën e trazuar. Ka shumë tregime konfirmuese nga refugjatët. Dhe nuk ka bimësi në këtë lokacion,” tha John Shattuck, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe punën. Një vit më vonë, në 1996, u gjet i ashtuquajturi varr Nova Kasaba 96.

Trupat e gjetur në Nova Kasaba ishin kryesisht të burrave boshnjakë nga Srebrenica që u vranë në fushën e futbollit dhe në një shkollë aty afër në korrik 1995.

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.