Varri masiv Rruga Cancari 13 gjendet në fshatin Kamenica në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore, afër qytetit të Zvornikut.
Rruga është bërë e njohur si Lugina e Vdekjes, pasi përgjatë kësaj rruge janë gjetur 13 varre masive nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ) dhe Instituti i Bosnjës për Personat e Zhdukur.
Ky vendvarrim shtrihet pranë shtëpive të fshatit dhe është i shënuar me një pllakë përkujtimore.
Zhvarrimi i kryer nga Instituti i Bosnjës për Personat e Zhdukur në tetor 2002 zbuloi mbetjet mortore të 61 personave, që të gjithë të vrarë pasi qyteti i Srebrenicës ra në duart e Ushtrisë Serbe të Bosnjës në korrik 1995.
Trupat u rivarrosën në varrin masiv Rruga Cancari 13 në vjeshtën e 1995, pasi ishin gërmuar në një përpjekje për të mbuluar vrasjet. Ata ishin varrosur fillimisht pranë vendeve të ekzekutimit në Srebrenica, Pilica, Kozluk, Bratunac dhe Zvornik, në ditët pas 15 korrikut 1995. Dy muaj më vonë, forcat serbe të Bosnjës u urdhëruan të heqin trupat dhe t’i rivarrosin në vende më të largëta dhe më të vështira për t’u gjetur.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus pesë dënime me burgim të përjetshëm, për krimet dhe operacionet e mbulimit të krimeve në Srebrenicë.