Rruga Hodzici 1 është një varr masiv dytësor, që gjendet në fshatin Snagovo, rreth 17 kilometra në veriperëndim të qytetit të Zvornikut në Bosnjë. Varri u gjet fillimisht nga trupat e NATO-s nga Forca e Stabilizimit (SFOR) në Bosnjë dhe Herzegovinë në 1998, ndërsa po devijonin rrugën rreth një rrëshqitjeje të tokës. Në këtë zonë gjenden gjithsej shtatë varre masive të ditura, që të gjitha lokacione dytësore.
Vendvarrimi u emërtua Rruga Hodzici 1 sepse është gjithashtu afër fshatit Hodzici.
Vendvarrimi mbetet i pashënuar dhe shtrihet pranë rrugës që të çon në Hodzici.
Megjithëse u zbulua fillimisht nga SFOR-i dhe hetuesit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, zhvarrimi u krye në 2006 nga Instituti i Bosnjës për Personat e Zhdukur. Lokacioni njihet gjithashtu si Snagovo 4.
Zhvarrimi në nëntor 2006 rezultoi me identifikimin e mbetjeve mortore të 90 personave. Të gjitha viktimat besohet të kenë qenë boshnjakë të vrarë nga forcat serbe të Bosnjës pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995.
Analiza e ADN-së e kryer nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur gjeti lidhje mes këtij vendvarrimi dytësor dhe vendvarrimit parësor Lazete 2. Sipas raportit mjeko-ligjor të GJPNJ-së mbi zhvarrimet në Srebrenicë, kjo do të thotë që mbetjet mortore të një individi u gjetën në të paktën dy varre të ndryshme. Raporti thotë se mbetjet mortore u gërmuan nga varri masiv parësor Lazete 2 dhe pastaj u transferuan në Rrugën Hodzici, rreth 10 kilometra larg.
Burrat boshnjakë që ishin kapur u transportuan më 14 korrik 1995 në shkollën Grbavci në fshatin Orahovac, pastaj u vranë dhe u varrosën në fushat e njohura si Lazete. Analiza kriminalistike e mostrave të dheut/polenit, provat dhe imazhet ajrore të datave të krijimit dhe trazimit, zbuluan më tej se trupat nga varret Lazete 1 dhe Lazete 2 u gërmuan dhe u rivarrosën në varret dytësore përgjatë Rrugës Hodzici.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus pesë dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.