Varri masiv i Rrugës Cancari 8 shtrihet në një luginë në fshatin Kamenica, rreth dhjetë kilometra në veri të qytetit të Zvornikut në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore. Është një nga 13 varret masive dytësore të gjetura përgjatë rrugës së fshatit, të gjitha të lidhura me vrasjet e boshnjakëve pas rënies së Srebrenicës në 1995.
Vendvarrimi qëndron i pashënuar, pranë rrugës së fshatit dhe një përroi të vogël.
Rruga Cancari 8 u zbulua fillimisht në 1998 nga hetuesit dhe antropologët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, por u zhvarros vetëm dhjetë vjet më vonë nga Instituti i Bosnjës për Personat e Zhdukur.
Zhvarrimi u krye në tetor dhe nëntor 2008 dhe u identifikuan mbetjet mortore të 51 personave.
Analiza e ADN-së e mbetjeve mortore zbuloi se disa pjesë të trupit i përkisnin Esad Bektic, mbetjet e pjesshme të të cilit u gjetën gjithashtu në një varr masiv në Branjevo. Besohet se shumë viktima të Srebrenicës u vranë fillimisht në Branjevo në korrik 1995, u varrosën atje dhe më pas u gërmuan përsëri në vjeshtë dhe u rivarrosën përgjatë Rrugës Cancari.
Pas rënies së Srebrenicës në duart e forcave serbe të Bosnjës, boshnjakët e kapur u sollën me autobusë në Fermën Ushtarake në Branjevo për ekzekutim. Të mbijetuarit përshkruan se u çuan në grupe në një livadh plot me kufoma dhe iu tha të kthejnë shpinën. Më 16 korrik 1995, ushtarët në Fermën Ushtarake në Branjevo u urdhëruan të shkonin rreth pesë kilometra në lindje në Qendrën Kulturore në Pilica për të vrarë rreth 500 boshnjakë që po mbaheshin në ndalim atje. Qitje me armë zjarri dhe shpërthime gjithashtu mund të dëgjoheshin atë pasdite në vetë Pilica, e që vinin nga drejtimi i Qendrës Kulturore. Askush nuk i mbijetoi ekzekutimit. Brenda Qendrës Kulturore në Pilica u përshkrua se kishte kufoma “të grumbulluara njëra mbi tjetrën, që qëndronin aty të shpërndara në të gjithë hapësirën”. Trupat – dy prej të cilëve ishin të femrave – u varrosën më pas në Fermën Ushtarake në Branjevo. Të gjitha viktimat ishin veshur me rroba civile.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus pesë dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.