Ky varr masiv në Nova Kasaba njihet si Nova Kasaba 99, si referim për vitin 1999, kur vendvarrimi u zbulua nga hetuesit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ).
Varri u gërmua nga të njëjtët individë të cilët gjithashtu gërmuan një varr tjetër në afërsi që u gjet në 1996 dhe njihet si Nova Kasaba 96.
Nova Kasaba 99 është një varr masiv parësor. Gjithsej 53 trupa që u gjetën atje janë identifikuar, të gjithë të lidhur me vrasjet e boshnjakëve nga Srebrenica në korrik 1995.
Varri nuk është i shënuar dhe shtrihet ngjitur me rrugën në fshatin Nova Kasaba.
Varri masiv përbëhet nga katër pjesë, por hetuesit vlerësuan se ishte një varr i vetëm, sepse gropat janë aq afër njëra-tjetrës.
Në asnjë nga pjesët e varrit nuk u gjetën shenja të mbylljes së syve ose lidhjes së duarve. Pothuajse 80 për qind e atyre që u gjetën kishin vdekur nga plagë të shumta të shkaktuara me armë zjarri. Mosha e viktimave shkon nga 13 deri në 85 vjeç.
Lokacionet e varreve masive në këtë zonë morën vëmendjen në të gjithë botën kur ambasadorja amerikane Madeleine Albright tregoi tetë fotografi të tyre në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këto fotografi satelitore dhe ajrore amerikane të bëra rreth datës 13-14 korrik 1995 shihej një fushë futbolli e mbushur plot e përplot me njerëz në zonën e qytezës Nova Kasaba. Disa ditë më vonë, në fotografitë e bëra nga avionët U2 shihej stadiumi i zbrazët, me katër ngastra toke të sapo gërmuara dhe gjurmë kamionësh në një fushë në afërsi.
“Arsyet [pse SHBA-ja dyshon se ka varre masive] janë të pesëfishta. Së pari, toka e trazuar rishtazi, aty ku dihej se ndodheshin refugjatët. Gjurmët e automjeteve të rënda ishin atje më parë. Nuk ka asnjë arsye të dukshme ushtarake, industriale ose bujqësore për gjurmët ose tokën e trazuar. Ka shumë tregime konfirmuese nga refugjatët. Dhe nuk ka bimësi në këtë lokacion,” tha John Shattuck, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe punën. Një vit më vonë, në 1996, u gjet i ashtuquajturi varr Nova Kasaba 96.
Trupat e gjetur në Nova Kasaba ishin kryesisht të burrave boshnjakë nga Srebrenica që u vranë në fushën e futbollit dhe në një shkollë aty afër në korrik 1995.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.