Varri i Rrugës Cancari 1 është një nga 13 vendvarrimet që u gjetën përgjatë rrugës mes qytetit të Zvornikut dhe fshatit Kamenica në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore.
Vendvarrimi u zbulua fillimisht në 1998 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ) dhe krye-arkeologu i saj, Profesor Richard Wright. Mirëpo, mbetjet mortore u zhvarrosën vetëm dhjetë vjet më vonë nga Instituti i Bosnjës për Personat e Zhdukur. Zhvarrimi i kryer në korrik 2009 rezultoi me trupat e 53 personave. Instituti për Personat e Zhdukur gjithashtu riemërtoi vendvarrimin me Kamenica 14.
Varri masiv është i pashënuar, në anën e djathtë të rrugës ndërmjet një livadhi dhe një lumi.
Shumica e viktimave mbetjet mortore të të cilave u gjetën u vranë pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995. Vendvarrimi i Rrugës Cancari 1, si të gjitha lokacionet e tjera përreth fshatit Kamenica, është një varr masiv dytësor.
Hetimi i kryer nga GJPNJ-ja përcaktoi se personat e gjetur në lokacionin Rruga Cancari 1 u vranë në korrik 1995 në qytezën Kozluk që gjendet në afërsi, u varrosën atje dhe më vonë u rivarrosën në Kamenica.
Pas ekzekutimeve, viktimat e vrara në Kozluk u mbuluan me dhe, në vend se të varroseshin në gropa. Ata u gjetën të veshur me rroba civile. Mijëra shishe qelqi me ngjyrë të gjelbër të thyera ishin hedhur përpara se të ndodhte ekzekutimi, si dhe etiketa nga fabrika për mbushjen e ujit dhe pijeve freskuese Vitinka, dhe ky ishte një nga faktorët që ndihmoi për të lidhur varrin masiv parësor në Kozluk me varret masive dytësore në Rrugën Cancari 1, Rrugën Cancari 2, Rrugën Cancari 3, Rrugën Cancari 7 dhe Rrugën Cancari 13, si dhe analiza e ADN-së, analiza e dheut dhe numri i madh i trupave me sy dhe duar të lidhura.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.