Zeleni Jadar është një zonë rreth 20 kilometra në jug të Srebrenicës në Bosnjën lindore ku janë gjetur të paktën shtatë vendvarrime klandestine, që të gjithë varre masive dytësore. Lokacioni i quajtur Zeleni Jadar 4 (i njohur edhe si Zeleni Jadar 8) u ekzaminua për herë të parë në 1998 nga një ekip nga Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ). Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur e riemërtoi vendvarrimin me Zeleni Jadar 8 dhe e zhvarrosi atë mes shtatorit dhe tetorit 2007. U zbuluan mbetjet mortore të 64 individëve.
Zona mbetet e pashënuar. Vendvarrimet klandestine ishin të shpërndara përgjatë të dy anëve të një rruge, disa prej tyre më thellë në një pyll dhe disa në fusha.
Shumë nga pjesët e trupit të gjetura në varret në Zeleni Jadar u përputhën me mbetjet mortore të gjetura në vendvarrimet Glogova 1 dhe 2. Në të gjitha varret e Zeleni Jadar – Zeleni Jadar 1A, 1B, 2, 3, 4, 5 dhe 6 – lidhjet me varrin parësor Glogova 1 u vërtetuan përmes identifikimit të pjesëve të trupit që u përkisnin të njëjtëve individë të gjetur edhe në varrin Glogova 1 edhe në një nga varret dytësore.
Në fillim të gërmimit, ekipet mjeko-ligjore nga GJPNJ-ja vunë në dukje se shumica e trupave të gjetur ishin jo të plotë, shumica kishin veshje, por relativisht pak kishin sende personale si orë, stoli, artikuj që lidhen me pirjen e duhanit dhe dokumente të tjera.
Sipas raportit mjeko-ligjor të GJPNJ-së, shumica e viktimave kishin plagë të shkaktuara me armë zjarri, ndërsa disa kishin lëndime nga shpërthimet dhe pajisjet shpërthyese.
Në Zeleni Jadar, shtatë vendvarrime mund të lidhen me ekzekutimet në një depo në një fermë në Kravica, afër qytezës Bratunac. Më 13 dhe 14 korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë 1,313 boshnjakë në atë fermë.
Në Zeleni Jadar u gjetën edhe mbetjet mortore të viktimave të rasti të veçantë të vrasjes masive në një hangar prapa shkollës Vuk Karadzic në qytezën Bratunac, ku ishin ndaluar 400 boshnjakë më 13 korrik 1995.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.