Bljeceva 3 është një varr masiv dytësor dhe një nga tre vendvarrimet e zbuluara në fshatin Вljeceva, rreth 11 kilometra nga qyteti i Srebrenicës. Lokacioni u zhvarros në 2004 nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur, me ç’rast u gjetën mbetjet mortore të 65 personave. Një hetim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ) arriti në përfundimin se mbetjet mortore u përkisnin boshnjakëve nga Srebrenica të cilët u vranë në korrik 1995.
Vendvarrimi gjendet mes rrugës kryesore të fshatit dhe një rrugice të vogël malore. Është pak metra larg varreve masive të Bljeceva 1 dhe 2. Vendvarrimi mbetet i pashënuar, me emrat e viktimave të shënuara në një shtëpi pranë varreve masive të Bljeceva 1 dhe 2.
Një ekzaminim i dheut dhe gjendja e mbetjeve mortore, të cilat ishin pothuajse tërësisht një përzierje e pjesëve të trupit dhe elementeve skeletore, treguan se ky ishte një varr masiv dytësor.
Hetimi nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë përcaktoi që lokacioni Bljeceva 3 ishte një varr masiv dytësor i lidhur me varret masive parësore në Glogova dhe se mbetjet mortore u përkisnin kryesisht viktimave të një masakre ndaj boshnjakëve që ishte kryer në një depo ferme në Kravica.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.