Varri masiv Budak 1 gjendet në fshatin Potocari, gjashtë kilometra në veriperëndim të qytetit të Srebrenicës në Bosnjën lindore. Varri u zhvarros në korrik 2005 nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur, nën monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
Ky varr masiv dytësor gjendet brenda një varreze ekzistuese myslimane në Potocari. Zhvarrimi rezultoi me mbetjet mortore të 54 personave, shumica prej tyre të vrarë gjatë gjenocidit të Srebrenicës në korrik 1995.
Mbetjet mortore që u gjetën, mostrat e ADN-së dhe provat e tjera, duke përfshirë mostrat e dheut dhe polenit, si dhe gëzhojat në varret masive dhe nga vendet e ekzekutimit, provuan lidhjen ndërmjet këtij varri masiv dytësor dhe varrit masiv parësor Glogova 1.
Glogova 1 fillimisht përmbante shumë mbetje mortore të tjera, por në një operacion pasues të mbulimit të krimit nga forcat serbe të Bosnjës në vjeshtën e vitit 1995, trupat u transportuan nga atje në vendet e tjera të varrimit, duke përfshirë lokacionin Budak 1, sipas Institutit Boshnjak për Personat e Zhdukur. Operacioni për të fshehur krimet u përshkrua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ) si “një përpjekje e organizuar dhe gjithëpërfshirëse…për të fshehur ekzekutimet duke zhvarrosur trupat nga varret masive parësore dhe duke i rivarrosur në varre dytësore”.
Bazuar në lidhjet e ADN-së, GJPNJ-ja vendosi që varret masive dytësore në zonën e fshatit Potocari jo vetëm që janë të lidhura me varret masive parësore, por gjithashtu janë të ndërlidhura në nivele të ndryshme. Në rastin e vendvarrimit Budak 1, mbetjet mortore të disa individëve të gjetur atje, u gjetën gjithashtu në varre të tjera përveç lokacionit kryesor në Glogova 1: Budak 2, Zeleni Jadar 4, Zeleni Jadar 5 dhe Zeleni Jadar 6.
Ekipet mjeko-ligjore të GJPNJ-së gjithashtu vërtetuan se disa prej mbetjeve mortore të gjetura në varrin masiv Budak 1 ishin viktimat që ishin qëlluar për vdekje në një fermë në Kravica, ku më 13 korrik 1995, ushtarët serbë të Bosnjës ekzekutuan 1,313 burra boshnjakë nga Srebrenica. Armë automatike, bomba dore dhe armë të tjera u përdorën për të vrarë burrat brenda në depo.
Sot, ende ekziston një varrezë myslimane në lokacionin Budak 1, si dhe një pllakë përkujtimore për nder të viktimave të gjetura në varrin masiv. Në vitin 2011, disa duzina metra larg vendvarrimeve Budak 1 dhe Budak 2, serbët vendas filluan ndërtimin e një kishe ortodokse. Kjo krijoi tensione me popullsinë vendase boshnjake, por kisha u ndërtua dhe u shenjtërua tre vjet më vonë.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.