Varri masiv Rruga Hodzici 3 është një nga shtatë që u gjetën përgjatë një rruge afër fshatit Hozdici në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore. Ai u zbulua nga trupat nga Forca e Stabilizimit (SFOR) e NATO-s në maj 1998, ndërsa personeli po bënte riparime në rrugë.
Zhvarrosja e vendvarrimit u krye nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ) dhe si rezultat u identifikuan 40 persona, që të gjithë të vrarë gjatë rënies së qytetit të Srebrenicës në korrik 1995.
Varri masiv Rruga Hodzici 3 është i pashënuar dhe shtrihet në anën e djathtë të një rrugice që lidh fshatin Hodzici me qytetin e Zvornikut.
Ekipi mjeko-ligjor i GJPNJ-së gjeti 16 mjete për lidhjen e syve në këtë vendvarrim. Të paktën 20 persona që ishin varrosur atje vdiqën nga plagët e shkaktuara me armë zjarri. Në lokacion u gjetën vetëm trupa të meshkujve.
Analiza e GJPNJ-së tregoi gjithashtu se Rruga Hodzici 3 është një varr masiv dytësor dhe trupat e gjetur atje mund të lidhen me varrin masiv parësor Lazete 2.
Burrat boshnjakë që ishin kapur pas rënies së Srebrenicës u transportuan më 14 korrik 1995 në shkollën Grbavci në fshatin Orahovac, pastaj u vranë dhe u varrosën në fushat e njohura si Lazete. Analiza kriminalistike e mostrave të dheut/polenit, provat dhe imazhet ajrore të datave të krijimit dhe trazimit, zbuluan më tej se trupat nga varret Lazete 1 dhe Lazete 2 u gërmuan dhe u rivarrosën në varret dytësore përgjatë Rrugës Hodzici.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus pesë dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.