Liplje 1

Liplje 1 është një varr masiv dytësor në fshatin Liplje, tetë kilometra në jugperëndim të qytetit të Zvornikut. Vendi u zhvarros në qershor dhe korrik 2001 nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur. U gjetën mbetjet mortore të 228 personave; 148 u identifikuan.

Analiza e ADN-së gjithashtu tregoi lidhjet midis këtij varri dytësor  dhe një varri parësor të trazuar në Digën Petkovci. Një raport mjeko-ligjor nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, mbi zhvarrosjet e Srebrenicës tha se kjo do të thotë se eshtrat e një individi u gjetën në të paktën dy varre të ndryshëm. Hetimi gjithashtu tregoi lidhjet e ADN-së midis varrit Liplje 1 dhe katër varreve të tjerë në të njëjtën zonë. Kjo tregon se mbetjet mortore që u gërmuan dhe u hoqën nga varri masiv primar në Digën Petkovci u transportuan në Liplje, 20 kilometra larg.

Vendi ndodhet pranë një shkolle e cila u përdor si një kamp paraburgimi për boshnjakët lokalë në 1992. Në rrugën që të çon në shkollë, ka dy pllaka përkujtimore, njëra për boshnjakët e ndaluar në kamp dhe tjetra për ata të vrarë në fshatrat Snagovo, Liplje, Josanica, Sumari, Sultanovici dhe Novo Selo në periudhën nga viti 1992 deri në 1995. Vetë varri mbetet i pashënuar.

Më 14 korrik 1995, personeli i ushtrisë dhe policisë serbe të Bosnjës transportoi afërsisht 1,000 burra boshnjakë nga Srebrenica nga vendet e paraburgimit në dhe rreth Bratunacit në një shkollë në Petkovci, dhjetë kilometra nga Zvorniku. Më 14 korrik 1995 dhe në orët e para të mëngjesit të 15 korrikut, trupat dhe policia serbe e Bosnjës sulmuan dhe pushkatuan burrat që mbaheshin në shkollë.

Rreth 14 korrikut 1995 dhe në orët e para të mëngjesit të 15 korrikut, personeli nga Brigada e Zvornikut e Ushtrisë Serbe të Bosnjës, duke përfshirë shoferë dhe kamionë nga Batalioni i Gjashtë i Këmbësorisë, i transportuan burrat boshnjakë të mbijetuar nga shkolla në Petkovci në një zonë poshtë Digës Petkovci. Ata më pas u ekzekutuan nga ushtarët dhe policia e Ushtrisë Serbe të Bosnjës me armë automatike. Në mëngjesin e 15 korrikut, personeli nga Toga Inxhinierike e Brigadës së Zvornikut, duke punuar me individë dhe njësi të tjera, përdori ekskavatorë dhe pajisje të tjera të rënda për të varrosur viktimat ndërsa ekzekutimet vazhdonin.

Një burrë që u fsheh poshtë trupave të pajetë për të shmangur ekzekutimin në digë tha në gjyqin e ish-gjeneralit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiç në GJPNJ se kur ai u soll në Petkovci, fusha nën digë ishte “tashmë e mbuluar me trupa të pajetë”. Dëshmitari, i cili dëshmoi me emrin e koduar RM-253, tha se ai u rrëzua përtokë që në momentin që ushtarët hapën zjarr mbi grupin e tij dhe e fshehu kokën nën këmbët e disa të burgosurve që tashmë kishin vdekur, duke shpresuar se do të mbijetonte.

Ndërsa RM-253 dhe një i mbijetuar tjetër ishin fshehur, ata panë “një kamion i cili po mblidhte trupat dhe po i ngarkonte ata mbi një traktor, i cili më pas i transportoi ata larg nga fusha e vrasjes”.

Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.

Rruga Hodzici 7

Rruga Hodzici 7 (i njohur edhe si Snagovo 3) është një varr masiv dytësor, afër fshatit Snagovo, rreth 17 kilometra në veriperëndim të qytetit të Zvornikut. Një total prej 230 mbetjesh njerëzore u zhvarrosën nga varri, ndërsa 110 u identifikuan. Një total prej 111 mbetjesh mortore u zhvarrosën nga ky varr. Ka shtatë varre masive të njohur në zonë, të quajtur Rruga Hodzici, që të gjithë varre dytësore.

Rruga Hodzici 7, i cili u quajt Snagovo 2 nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur, u zhvarros në tetor dhe nëntor 2005.  Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur monitoroi procesin dhe analiza e ADN-së të kryera nga ai treguan lidhje midis këtij varri sekondar dhe varrit primar të trazuar të quajtur Lazete 2 (i njohur gjithashtu si Orahovac 2). Një raport mjeko-ligjor nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë mbi zhvarrosjet që kanë lidhje me Srebrenicën tha se kjo nënkuptonte se eshtrat e një individi u gjetën në të paktën dy varre të ndryshëm.

Hetimi gjithashtu tregoi lidhjet e ADN-së midis këtij vendi dhe Rrugës Hodzici 1 (i njohur edhe si Snagovo 4) dhe Rrugës Hodzici 6 (Snagovo 1). Kjo tregon se mbetjet mortore u gërmuan në varrin masiv primar Lazete 2 dhe më pas u transferuan në Rrugën Hodzici, rreth 10 kilometra larg.

Varri mbetet i pashënuar, pranë një rruge fshati, i rrethuar nga pyje.

Vendimet e GJPNJ-së zbuluan se burrat boshnjakë të kapur në Srebrenicë u transportuan më 14 korrik 1995 në një shkollë në fshatin Orahovac. Pasditen e asaj dite, personeli i Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës nën mbikëqyrjen e Drago Nikoliç, një oficer sigurie me Brigadën e Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, dhe Milorad Trbiç, Ndihmës Komandant për Sigurinë me Brigadën e Zvornikut, më pas i transportuan robërit në një fushë aty afër , ku personeli, përfshirë anëtarët e Batalionit të 4-të të Brigadës së Zvornikut, i ekzekutoi ata me armë automatike.

Në vendimet në lidhje me këtë çështje, dhoma gjyqësore e GJPNJ-së gjeti Radislav Krstiçin, zv/komandant dhe shef i shtabit i Korpusit Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, fajtor për gjenocid ndaj boshnjakëve nga Srebrenica – vendimi i saj i parë që përcakton se masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid. Krstiç u dënua me 46 vjet burg, edhe pse dënimi më pas iu reduktua në 35 vjet burg.

GJPNJ-ja gjeti gjithashtu që Ljubisa Bearas, shefit të sigurimit i Shtabit Kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, iu kërkua të organizonte, koordinonte dhe lehtësonte ndalimin, transportimin, ekzekutimin përmbledhës dhe varrosjen e viktimave boshnjake të vrara në Orahovac. Beara u ndihmua nga, ndër të tjera, komandanti Vujadin Popoviç, Shefi i Sigurimit i Korpusit të Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, si dhe Nikoliç dhe Trbiç.

Beara, Popoviç, Nikoliç dhe Trbiç u gjet se kishin mbikëqyrur dhe ndihmuar ekzekutimet në Orahovac dhe GJPNJ-ja i dënoi ata për gjenocid. Vidoje Blagojeviç, komandant i Brigadës së Bratunacit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me 15 vjet burg për asistim dhe ndihmë në vrasjen dhe persekutimin e boshnjakëve në zonën e Srebrenicës, si dhe asistim dhe mbështetje të vrasjes së boshnjakëve në Bratunac. Dragan Jokiç, shefi inxhinierik i Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me nëntë vjet burg për vrasjet e boshnjakëve në Orahovac, në Fermën Ushtarake Branjevo në Pilica dhe në Kozluk, dhe për sigurimin e burimeve inxhinierike dhe personelit të nevojshëm për gërmimin e varreve masive për viktimat e ekzekutuara.

Sipas Institutit Federal për Personat e Zhdukur në Bosnjë dhe Hercegovinë, eshtrat e 818 boshnjakëve nga Srebrenica u zbuluan në shtatë varre dytësore në zonën e Snagovos.

Glogova 1

Varri masiv Glogova 1 u zhvarros në vitin 2000, një vit pasi përfundoi zhvarrosja në varrin masiv Glogova 2, të dy në komunën e Bratunacit në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore. Pasi Shtetet e Bashkuara ofruan pamje ajrore që tregonin se toka në atë vend ishte trazuar, hetuesit e GJPNJ-së gjetën mbetjet mortore të më shumë se 200 personave, shumica e të cilëve të vrarë gjatë rënies së Srebrenicës në korrik 1995.

Shumica e viktimave ishin meshkuj, të moshës 12 deri 75 vjeç, ndërsa të paktën 26 prej tyre ishin të moshës nën 24 vjeçare. Njëmbëdhjetë prej tyre ishin nën 17 vjeç.

Kur u zbulua varri, u gjetën rroba të njohura, asnjëra prej tyre ushtarake. Shumica e trupave kishin plagë me armë zjarri dhe një e katërta e tyre kishin shenja të djegiesh.

Varri masiv ndodhej në rrugën nga Bratunaci për në Konjevic Polje, në fusha të hapura, të rrethuar nga disa shtëpi. Ai vazhdon të mbetet i pashënuar.

Ekipet mjeko-ligjore të GJPNJ-së gjithashtu gjetën copa muri dhe dyersh në sitin Glogova 1 të cilat mund të kishin ardhur nga një depo në Kravica, ku më 13 korrik 1995, ushtarët serbë të Bosnjës ekzekutuan 1,313 burra boshnjakë. Armë automatike, bomba dore dhe armë të tjera u përdorën për të vrarë burrat brenda në depo. Midis 14 dhe 16 korrikut 1995, aty mbërritën pajisje të rënda dhe i çuan trupat e viktimave në dy varre të mëdha masive në fshatrat Glogova dhe Ravnice aty pranë.

Glogova 1 dhe Glogova 2 janë varre masive primare dhe fillimisht përmbanin shumë mbetje të tjera mortore, por në një operacion pasues për fshehje të krimit nga ana e forcave serbe të Bosnjës në vjeshtën e vitit 1995, trupat u zhvendosën që atje në të paktën 16 vende rivarrimit që janë zbuluar deri më tani, sipas Institutit Boshnjak për Personat e Zhdukur.

Vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore kanë zbuluar se Njësia Inxhinierike e Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës mori pjesë në varrosjen e trupave në varret masive primare në korrik 1995.

Operacioni pasues për fshehjen e krimit u zhvillua midis gushtit dhe nëntorit 1995 dhe u përshkrua nga GJPJ-ja si “një përpjekje e organizuar dhe gjithëpërfshirëse … për të fshehur ekzekutimet duke zhvarrosur trupat nga varret masive primare dhe duke i rivarrosur në varre dytësore”.

Deri më tani, GJPJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.