Varri masiv Glogova 1 u zhvarros në vitin 2000, një vit pasi përfundoi zhvarrosja në varrin masiv Glogova 2, të dy në komunën e Bratunacit në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore. Pasi Shtetet e Bashkuara ofruan pamje ajrore që tregonin se toka në atë vend ishte trazuar, hetuesit e GJPNJ-së gjetën mbetjet mortore të më shumë se 200 personave, shumica e të cilëve të vrarë gjatë rënies së Srebrenicës në korrik 1995.
Shumica e viktimave ishin meshkuj, të moshës 12 deri 75 vjeç, ndërsa të paktën 26 prej tyre ishin të moshës nën 24 vjeçare. Njëmbëdhjetë prej tyre ishin nën 17 vjeç.
Kur u zbulua varri, u gjetën rroba të njohura, asnjëra prej tyre ushtarake. Shumica e trupave kishin plagë me armë zjarri dhe një e katërta e tyre kishin shenja të djegiesh.
Varri masiv ndodhej në rrugën nga Bratunaci për në Konjevic Polje, në fusha të hapura, të rrethuar nga disa shtëpi. Ai vazhdon të mbetet i pashënuar.
Ekipet mjeko-ligjore të GJPNJ-së gjithashtu gjetën copa muri dhe dyersh në sitin Glogova 1 të cilat mund të kishin ardhur nga një depo në Kravica, ku më 13 korrik 1995, ushtarët serbë të Bosnjës ekzekutuan 1,313 burra boshnjakë. Armë automatike, bomba dore dhe armë të tjera u përdorën për të vrarë burrat brenda në depo. Midis 14 dhe 16 korrikut 1995, aty mbërritën pajisje të rënda dhe i çuan trupat e viktimave në dy varre të mëdha masive në fshatrat Glogova dhe Ravnice aty pranë.
Glogova 1 dhe Glogova 2 janë varre masive primare dhe fillimisht përmbanin shumë mbetje të tjera mortore, por në një operacion pasues për fshehje të krimit nga ana e forcave serbe të Bosnjës në vjeshtën e vitit 1995, trupat u zhvendosën që atje në të paktën 16 vende rivarrimit që janë zbuluar deri më tani, sipas Institutit Boshnjak për Personat e Zhdukur.
Vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore kanë zbuluar se Njësia Inxhinierike e Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës mori pjesë në varrosjen e trupave në varret masive primare në korrik 1995.
Operacioni pasues për fshehjen e krimit u zhvillua midis gushtit dhe nëntorit 1995 dhe u përshkrua nga GJPJ-ja si “një përpjekje e organizuar dhe gjithëpërfshirëse … për të fshehur ekzekutimet duke zhvarrosur trupat nga varret masive primare dhe duke i rivarrosur në varre dytësore”.
Deri më tani, GJPJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.