Batajnica

Një varr masiv u zbulua më 13 maj të vitit 2001 në qendrën stërvitore të policisë në Batajnica, periferi i Beogradit, rreth 20 kilometra nga qendra e kryeqytetit serb.

Zbulimi u bë një vit pas rrëzimit të regjimit autoritar të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç, i cili kishte sunduar gjatë gjithë kohës së luftërave të viteve 1990 dhe u pa si një shenjë e parë nga qeveria e re demokratike që ajo ishte e gatshme të përballej me rolin e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë, e cila pa 13,000 njerëz të vrarë dhe një milion të dëbuar, shumica prej tyre shqiptarë të Kosovës.

Eshtrat e 744 njerëzve u gjetën në Batajnica, të gjithë shqiptarë të Kosovës që u vranë në pranverën e vitit 1999 në Kosovë nga Ushtria Jugosllave, policia dhe paraushtarakët serbë. Shumica e viktimave ishin civilë dhe përfshinin burra, gra, fëmijë dhe të moshuar. Krahas eshtrave të tyre, ekipet mjeko-ligjore gjetën gjithashtu bizhuteri, stilolapsa, kuti cigaresh, zare fëmijësh, makina llogaritëse, bileta të ndryshme dhe një detyrë shtëpie në lëndën e historisë.

Disa prej trupave ishin transferuar në Beograd nga varre kryesore dhe disa nga vendet e vrasjeve në Kosovë. Transporti ishte kryer me kamionë gjatë tre muajve në prill, maj dhe qershor 1999. Operacioni i fshehjes së krimeve ishte një operacion i përbashkët nga lidershipi serb, policia, ushtria dhe shërbimet publike.

Ndërsa bombardimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë po vazhdonin në të njëjtën kohë me fshehjen e krimit, qendra e policisë në Batajnica ishte braktisur sepse ekzistonte frika se ajo do të sulmohej nga aleanca ushtarake perëndimore. Ata që ishin të përfshirë në operacionin e fshehjes së krimit shpresonin që varri masiv të mbetej i fshehtë, por u gjetën gjurmë toke të trazuar dhe gjurmët e gomave të kamionëve.

Personeli i përfshirë në operacionin e fshehjes së krimeve një pakt fshehtësie, por pasi regjimi i Millosheviçit u rrëzua, shumë vendosën të flasin sepse druheshin nga ndjekja penale nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, GJPNJ. Në atë kohë, GJPNJ-ja tashmë e kishte paditur Millosheviçin për krime lufte në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë dhe akuzat përfshinin operacionet për fshehjen e krimeve të luftës në të gjithë ish-Jugosllavinë. Millosheviçi vdiq para se të merrej një vendim në gjyqin e tij.

Dy gjykime të GJPNJ-së gjetën disa zyrtarë të shtetit dhe të ushtrisë fajtorë për fshehjen e krimeve  duke transportuar trupat e viktimave të luftës nga Kosova në Serbi. Ata përfshinin oficerët e Ushtrisë Jugosllave Nebojsa Pavkoviç, Dragoljub Ojdaniç dhe Sreten Lukiç, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme Serbe Sreten Lukiç dhe Vlastimir Djordjeviç dhe zv/kryeministrin e Jugosllavisë, Nikola Sainoviç.

Varri masiv është ende brenda mjediseve të qendrës policore dhe nuk është i arritshëm nga publiku. Të gjitha vizitat duhet të miratohen nga policia dhe rrallë jepet leje. Pranë varrit masiv, është ndërtuar një kishë e re ortodokse serbe, e cila nga disa njerëz u pa si një fyerje ndaj viktimave etnike shqiptare. Ka pasur thirrje për ta bërë Batajnicën një qendër përkujtimore, por kjo nuk ka ndodhur.