Ljiplje 3 është një varr masiv dytësor, që gjendet në fshatin Ljiplje, tetë kilometra në jugperëndim të qytetit të Zvornikut. Lokacioni u zhvarros në periudhën mes majit dhe qershorit 2007 nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur, nën monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. U gjetën mbetjet mortore të 57 personave.
Analiza e ADN-së gjeti lidhjet mes këtij vendvarrimi sekondar dhe një vendvarrimi parësor në Digën e Petkovcit. Një raport mjeko-ligjor nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ) mbi zhvarrimet në Srebrenicë tha se kjo do të thotë që mbetjet mortore të një individi u gjetën në të paktën dy varre të ndryshme. Hetimi gjithashtu gjeti lidhjet e ADN-së mes lokacionit dhe dy vendvarrimeve tjera në të njëjtën zonë. Kjo tregon se mbetjet që u gërmuan dhe u hoqën nga varri masiv parësor në Digën e Petkovcit u transportuan në Liplje, 20 kilometra larg.
Vendvarrimi gjendet në një livadh, ngjitur me rrugën e fshatit. Mbetet e pashënuar.
Më 14 korrik 1995, personeli i ushtrisë dhe policisë serbe të Bosnjës transportoi afërsisht 1,000 burra boshnjakë nga Srebrenica nga qendrat e ndalimit në dhe rreth qytezës Bratunac në një shkollë në Petkovci, dhjetë kilometra nga Zvorniku. Më 14 korrik 1995 dhe në orët e hershme të mëngjesit të 15 korrikut, trupat dhe policia serbe e Bosnjës sulmuan dhe pushkatuan burrat të cilët po mbaheshin në ndalim në shkollë.
Rreth 14 korrikut 1995 dhe në orët e hershme të mëngjesit të 15 korrikut, personeli nga Brigada e Zvornikut e Ushtrisë Serbe të Bosnjës, duke përfshirë shoferët dhe kamionët nga Batalioni i Gjashtë i Këmbësorisë, transportuan burrat boshnjakë të mbijetuar nga shkolla në Petkovci në një zonë poshtë Digës së Petkovcit. Ata më pas u ekzekutuan pa gjyq nga ushtarët dhe policia serbe e Bosnjës me armë automatike. Në mëngjesin e 15 korrikut, personeli nga Kompania e Xhenios e Brigadës së Zvornikut, duke punuar me individë dhe njësi të tjera, përdori ekskavatorë dhe pajisje të tjera të rënda për të varrosur viktimat ndërsa ekzekutimet vazhduan.
Një burrë që u fsheh nën trupat e pajetë për të shmangur ekzekutimin në digë, në gjyqin ndaj ish-gjeneralit të ushtrisë serbe të Bosnjës Ratko Mladic në GJPNJ, tha se kur ai u soll në Petkovci, fusha nën digë ishte “tashmë e mbuluar me trupa”. Dëshmitari, i cili dha dëshminë e tij me emrin e koduar RM-253, tha se ai ra përtokë posa ushtarët hapën zjarr ndaj grupit të tij dhe fshehu kokën nën këmbët e disa të burgosurve që tashmë kishin vdekur, duke shpresuar të mbijetonte.
Ndërsa RM-253 dhe një i mbijetuar tjetër ishin duke u fshehur, ata panë “një kamion i cili po mblidhte trupa dhe po i ngarkonte në një traktor, i cili më pas i transportoi larg nga fusha ku ishin vrarë”.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.