Rruga Hodzici 6 (e njohur edhe si Snagovo 1) është një nga shtatë varret masive dytësore të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë që gjendet në fshatin Hodzici, rreth 17 kilometra në veriperëndim të qytetit të Zvornikut. Atje u zhvarrosën mbetjet mortore të gjithsej 70 individëve.
Lokacioni Rruga Hodzici 6 u zhvarros në 2004 nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur, nën monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Vendvarrimi mbetet i pashënuar, në një livadh prapa shtëpive të fshatit dhe pranë një vargu pishash.
Analiza e ADN-së e kryer nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur gjeti lidhje mes këtij vendvarrimi dytësor dhe vendvarrimit parësor Lazete 2 (i njohur gjithashtu si Orahovac 2). Sipas raportit mjeko-ligjor të GJPNJ-së mbi zhvarrimet në Srebrenicë, kjo do të thotë që mbetjet mortore të një individi u gjetën në të paktën dy varre të ndryshme. Hetimi gjeti 12 raste të lidhjes së ADN-së mes Lazete 2 dhe Rrugës Hodzici 6. Kjo tregon se mbetjet mortore u gërmuan nga varri masiv parësor Lazete 2 dhe u transferuan në Rrugën Hodzici, rreth 10 kilometra larg.
Analiza kriminalistike e mostrave të dheut/polenit, provat dhe imazhet ajrore të datave të krijimit/trazimit, zbuluan më tej se trupat nga varret masive parësore Lazete 1 dhe Lazete 2 u gërmuan dhe u rivarrosën në varret dytësore në Hodzici.
Aktgjykimet e GJPNJ-së gjetën se burrat boshnjakë të robëruar në Srebrenicë u transportuan më 14 korrik 1995 në një shkollë në fshatin Orahovac. Në pasditen e hershme, personeli i Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës nën mbikëqyrjen e Drago Nikolic, oficer i sigurisë në Brigadën e Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe Milorad Trbic, ndihmës komandant i sigurisë në Brigadën e Zvornikut, më pas transportuan robërit në një fushë afër , ku personeli, duke përfshirë pjesëtarët e Batalionit të 4-të të Brigadës së Zvornikut, i ekzekutoi ata me armë automatike.
Në aktgjykimet e ndërlidhura, GJPNJ-ja gjeti Radislav Krstic-in, zëvendës komandant dhe shef i Shtabit të Korpusit të Drinës të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, fajtor për gjenocid ndaj Boshnjakëve nga Srebrenica – vendim ky i parë i GJPNJ-së që përcakton se masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid. Krstic u dënua me 46 vjet burg, megjithëse dënimi u shkurtua më pas në 35 vjet.
GJPNJ-ja gjeti gjithashtu që Ljubisa Beara-s, shef i sigurisë i Shtabit Kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i ishte thënë të organizonte, të koordinonte dhe të lehtësonte ndalimin, transportimin, ekzekutimin pa gjykim dhe varrimin e viktimave boshnjake të vrara në Orahovac. Beara u ndihmua nga, ndër të tjerë, Vujadin Popovic, shef i sigurisë i Korpusit të Drinës të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, si dhe nga Nikolic dhe Trbic.
U gjet se Beara, Popovic, Nikolic dhe Trbic kishin kontrolluar, lehtësuar dhe mbikëqyrur ekzekutimet në Orahovac dhe GJPNJ-ja i dënoi ata për gjenocid. Vidoje Blagojevic, komandant i Brigadës së Bratunacit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me 15 vjet burg për ndihmën dhe lejimin e vrasjes dhe persekutimit të boshnjakëve në zonën e Srebrenicës, si dhe për ndihmën dhe lejimin e vrasjes së boshnjakëve në Bratunac. Dragan Jokic, shefi i xhenios së Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me nëntë vjet burg për vrasjet e boshnjakëve në Orahovac, në Fermën Ushtarake të Branjevës në Pilica dhe në Kozluk dhe për ofrimin e burimeve të xhenios dhe personelit për gërmimin e varreve masive për viktimat e ekzekutuara.
Sipas Institutit Federal për Personat e Zhdukur në Bosnjë dhe Hercegovinë, mbetjet mortore të 818 boshnjakëve nga Srebrenica u zbuluan në shtatë vendvarrime dytësore në Rrugën Hodzici.