Ky varr masiv dytësor gjendet në fshatin Вljeceva, rreth 11 kilometra nga qyteti i Srebrenicës. Tre varre masive u zbuluan në të njëjtën zonë nga Komisioni Federal i Bosnjës për Personat e Zhdukur; të gjitha janë varre masive dytësore.
Vendvarrimi ishte afërsisht 22 metra i gjatë, 4 metra i gjerë dhe 4 metra i thellë në skajin më të thellë. Nga varri u nxorën mbetjen mortore të 313 individëve dhe afërsisht 80 prej tyre ishin brenda qeseve të zeza për mbetje mortore të përdorura nga Armata Popullore Jugosllave. Të gjitha viktimat kishin veshje civile.
Një hetim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë arriti në përfundimin se Bljeceva 1 është një varr ‘i përzier’, që do të thotë se përmbante viktima të gjenocidit të Srebrenicës dhe persona që u vranë në 1992 në qytezën Bratunac. Dyzet e shtatë nga ata që u identifikuan u vranë në korrik 1995 dhe më shumë se 90 u vranë në 1992, tha GJPNJ-ja.
Mbetjet mortore që u gjetën, mostrat e ADN-së dhe provat e tjera, duke përfshirë mostrat e dheut dhe polenit, si dhe gëzhojat në varret masive dhe nga vendet e ekzekutimit, provuan lidhjen ndërmjet këtij varri masiv dytësor dhe varrit masiv parësor në Glogova dhe varreve dytësore në Zeleni Jadar.
Vendvarrimi është i shënuar me një pllakë përkujtimore dhe emrat e viktimave janë shënuar në një shtëpi që ndodhet pranë lokacionit.
Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur konfirmoi se disa prej mbetjeve mortore të gjetura në varrin masiv Bljeceva ishin viktimat e qëlluara për vdekje në një fermë në Kravica, ku më 13 korrik 1995, ushtarët serbë të Bosnjës ekzekutuan 1,313 burra boshnjakë nga Srebrenica. Armë automatike, bomba dore dhe armë të tjera u përdorën për të vrarë burrat brenda në depo.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet në Srebrenicë.