Lazete 1 (i njohur edhe si Orahovac 1) është një varr masiv primar i cili ndodhet 12 kilometra në veriperëndim të qytetit të Zvornikut, afër fshatit Orahovac. Varri Lazete 1 u hetua për herë të parë në vitin 1998 si pjesë e rasteve të Srebrenicës dhe u zhvarros nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, midis 13 korrikut dhe 3 gushtit 2000.
Fotografitë ajrore tregojnë se toka në Orahovac ishte trazuar midis 5 dhe 27 korrikut 1995 dhe përsëri midis 7 dhe 27 shtatorit 1995. Një tjetër varr masiv primar u gjet gjithashtu në zonë, i cili u emërtua Lazete 2 nga hetuesit e GJPNJ-së.
Hetimet mjeko-ligjore treguan se vend i varrit ishte trazuar, trupat ishin gërmuar dhe ishin zhvendosur në vende të tjera në një përpjekje për të fshehur krimin. Është vlerësuar se në fillim në varr ishin një total prej 195 trupash dhe afërsisht 68 ishin hequr. Rripa materiali të lidhura rreth kokës ose të vendosura mbi fytyrë u gjetën nga 89 mbetje njerëzore dhe ndoshta u përdorën për t’u lidhur sytë viktimave. Analizat mjeko-ligjore të mostrave të tokës/polenit, të fashave me të cilat iu lidhën sytë, ligaturave, gëzhojave dhe pamjet ajrore të datave të krijimit/trazimit të vendit zbuluan më tej se trupat nga varret Lazete 1 dhe Lazete 2 u hoqën dhe u rivarrosën në varret dytësorë të quajtur Hodzici Road 3, 4 dhe 5 rreth dhjetë kilometra më larg.
Lokacioni Lazete 1 tani është një fushë e zakonshme, e pashënuar, me një shtëpi të shkatërruar në mes të fushës. Rruga kryesore është në anën e djathtë dhe në të majtë ka një rrugë që të çon në nënkalim dhe në Lazete 2. Aty ku takohen të dy rrugët, ka një burim uji. Një nga dëshmitarët e krimit, një ushtar dhe operator makinerie për Brigadën Inxhinierike Zvornik të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, kujton se pa disa trupa të pajetë ndërsa shkonte për të marrë ujë midis pushimeve që bënte ndërsa gërmonte varrin masiv.
Ata që ishin varrosur në Lazete 1 kishin qenë pjesë e një grupi më të madh boshnjakësh që u ndaluan brenda natës në qytetin Bratunac u dërguan me një autokolonë prej 30 autobusësh në shkollën Grbavci në Orahovac herët më mëngjesin e datës 14 korrik 1995. Kur arritën, palestra e shkollës ishte tashmë gjysmë e mbushur me të burgosur që ishin futur aty që në mëngjes herët. Dëshmia e GJPNJ-së sugjeron se në shkollë mund të ketë qenë rreth 1,000 njerëz, ndërsa të mbijetuarit vlerësuan se aty ishin rreth 2,000 të tillë. Disa nga të burgosurit u nxorën jashtë dhe u vranë. Një dëshmitar tha se Ratko Mlladiç arriti ditën në të cilën jashtë shkollës pati ekzekutime.
GJPNJ-ja zbuloi se në mbrëmjen e 13 korrikut 1995 dhe gjatë ditës më 14 korrik, Drago Nikoliç dhe Milorad Trbiç, duke punuar së bashku me personelin nga Toga e Policisë Ushtarake e Brigadës së Zvornikut dhe Toga e Policisë Ushtarake e Brigadës së Bratunacit, nën mbikëqyrjen të Vujadin Popoviçit dhe Ljubisa Bearas dhe nën urdhrat e komandës së tyre superiore, përfshirë zv/komandantin e Brigadës së Zvornikut, Dragan Obrenoviç, organizuan dhe lehtësuan transportimin e qindra meshkujve boshnjakë nga brenda dhe përreth Bratunacit në shkollën Grbavci në Orahovac, me dijeninë që ata të burgosur duhej të mblidheshin dhe më pas të ekzekutoheshin bashkërisht.
Herët në pasditen e 14 korrikut 1995, personeli i Brigadës Zvornik nën mbikëqyrjen e Nikoliçit dhe Trbiçit më pas transportoi të burgosurit nga Shkolla Grbavci në Orahovac në vendet e ekzekutimit më pak se një kilometër më larg, ku ata u rreshtuan dhe u qëlluan në shpinë nga personeli, duke përfshirë anëtarët e Batalionit të 4-të të Brigadës së Zvornikut. Ata që i mbijetuan të shtënave fillestare u vranë më pas me një të shtënë shtesë. U përdorën dy livadhe ngjitur; sapo njëri u mbush plot me trupa të pajetë, ekzekutuesit u zhvendosën te tjetri. Ndërsa ekzekutimet ishin në proces, ekskavatorët tashmë po gërmonin varret, thanë të mbijetuarit. Një dëshmitar i mbrojtur i GJPNJ-së, i koduar si Dëshmitari N, i cili i mbijetoi të shtënave duke u hequr si i vdekur, raportoi se Mlladiç erdhi aty me një makinë të kuqe dhe pa disa nga ekzekutimet.
Nikoliç shoqëroi kamionët për në dhe nga fusha e ekzekutimit në disa raste, ndërsa Trbiç personalisht ekzekutoi vetë disa nga viktimat. Afërsisht 1,000 burra boshnjakë u vranë. Më 14 dhe 15 korrik 1995, anëtarët e Togës Inxhinierike të Brigadës së Zvornikut përdorën pajisje të rënda për të varrosur viktimat në varre masive në vendin e ekzekutimit.
Dhoma gjyqësore e GJONJ-së gjeti Radislav Krstiçin, zv/komandantin dhe Shefin e Shtabit të Korpusit Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, fajtor për gjenocid – vendimi i parë i saj përcakton se ndaj boshnjakëve në Srebrenicë u krye gjenocid. Ai u dënua me 46 vjet burg, edhe pse dënimi u reduktua më pas në 35 vjet burg.
GJPNJ-ja gjeti gjithashtu që Ljubisa Beara, shefit të sigurimit të Shtabit Kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, iu kërkua që të organizonte, koordinonte dhe lehtësonte ndalimin, transportimin, ekzekutimin masiv dhe varrosjen e viktimave myslimane të vrara në Orahovac. Beara u ndihmua nga, ndër të tjerë, Vujadin Popoviç, Drago Nikoliç dhe Milorad Trbiç.
Beara, Popoviç, Nikoliç dhe Trbiç u gjet se kishin supervizuar, ndihmuar dhe mbikëqyrur ekzekutimet në Orahovac dhe GJPNJ-ja i dënoi ata për gjenocid. Vidoje Blagojeviç, komandanti i Brigadës Bratunac të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me 15 vjet burg për asistim dhe nxitje të vrasjes dhe persekutimit të boshnjakëve në zonën e Srebrenicës, si dhe asistim dhe nxitje të vrasjes së boshnjakëve në Bratunac. Dragan Jokiç, shefi inxhinierik i Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me nëntë vjet burg për vrasjet e boshnjakëve në Orahovac, në Fermën Ushtarake Branjevo në Pilica dhe në Kozluk dhe për sigurimin e burimeve inxhinierike dhe personelit për të gërmuar varre masive për viktimat e ekzekutuara.
Vendimi përfundimtar në gjyqin e ish-shefit ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiç, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në bazë të një vendimi të shkallës së parë për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, ndër krime të tjera, do të jepet në 2021.