Varri masiv ndodhet në Varrezat e Reha të Vukovarit, qytet lindor i Kroacisë. Ai u zhvarros në vitin 1998 dhe aty u gjetën mbetjet mortore të 938 trupave, nga të cilët 859 janë identifikuar. Ai është varri masiv më i madh i kohës së luftës në Kroaci.
Trupat e gjetur në këtë varr masiv besohet të jenë ato të personave të vrarë gjatë rrethimit tre-mujor të Vukovarit në 1991 nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë dhe pas rënies së qytetit, por edhe atyre të njerëzve që vdiqën për shkaqe natyrore për shkak të vështirësive për të marrë trajtim mjekësor kur qyteti ishte nën kontrollin e serbëve.
Vendi ku u gjet varri masiv tani është Varreza Përkujtimore e Viktimave të Luftës për Atdhe. Varreza përbëhet nga 938 kryqe të bardhë prej mermeri, një në kujtim të secilës viktimë. Në tetor 2000, në pjesën qendrore të varrezës u vendos një monument bronzi katër metra i lartë.
Varri masiv u gjet në 1998 kur Kroacia rimori kontrollin mbi territorin e saj lindor nga serbët rebelë. Ai u gërmua nga prilli deri në korrik 1998.
Nga 859 individë, eshtrat e të cilëve janë identifikuar, 644 janë kroatë dhe 358 prej tyre janë klasifikuar si civilë. Ky është kryesisht një varr masiv dytësor, pasi mbetjet mortore janë zhvendosur aty kryesisht nga varre të tjera masive, apo edhe nga varreza të rregullta.
Ushtria Popullore Jugosllave dhe njësitë paraushtarake hynë në Vukovar më 18 nëntor 1991 pas një rrethimi 87-ditor që shkatërroi qytetin. Mbi 200 të burgosur u ekzekutuan më pas në Fermën Ovcara aty afër. Shumica e tyre u varrosën në një varr masiv në fermë, por 13 nga viktimat e Ovcaras u gjetën në varrin masiv të Varrezave të Reja.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë nuk dënoi asnjë për krime të kryera gjatë dhe pas rrethimit të Vukovarit, përveç vrasjeve në Ovcara. Presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç dhe kreu i rebelëve serbë të Kroacisë të kohës së luftës Goran Hadziç u paditën për përndjekje, dëbime me forcë, vrasje dhe shkatërrim të pasurisë gjatë dhe pas rrethimit, ndër krime të tjera të pretenduara, por të dy vdiqën para fundit të gjyqeve të tyre.
Gjykatat kroate kanë dënuar gjithsej 20 persona për krime në lidhje me Vukovarin. Ata u dënuan me një total prej 229 vitesh e gjysmë burg. Gjykata e Lartë në Beograd dënoi gjithashtu një person me nëntë vjet burg.