Varri masiv pranë Fermës Ovcara, rreth pesë kilometra nga qyteti i Vukovarit në Kroacinë lindore, u zbulua në 1992. Aty u gjetën eshtrat e 200 personave, nga të cilët 192 janë identifikuar. Të gjithë ata u vranë në një ndërtesë magazinimi në fermë pasi u morën nga spitali i Vukovarit kur qyteti i rrethuar ra në duart e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe paraushtarakëve serbë në nëntor 1991.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara e identifikuan fillimisht varrin masiv të Fermës Ovcara në dhjetor 1992, por nuk u lejuan të hetojnë. Një mision i Kombeve të Bashkuara e vizitoi zonën përsëri në vitin 1993, por autoritetet rebele serbe të Kroacisë, të cilët e patën nën kontroll zonën deri në fund të luftës, përsëri nuk u dhanë atyre leje për të hetuar më tej.
Zhvarrosjet në zonë filluan në gusht 1996 pasi u rrëzua regjimi rebel serb i Kroacisë. Varri është dhjetë metra i gjatë, shtatë metra i gjerë dhe një metër e gjysmë deri në dy metra i thellë.
Para luftës, Ferma Ovcara ishte pjesë e VUPIK, një kompani bujqësore në pronësi të shtetit, e cila u privatizua në 2010. Territori i fermës tani është pjesë e Qendrës Përkujtimore shtetërore të Luftës për Atdhe. Një monument kushtuar viktimave u vendos në dhjetor 1998 në vendin ku u gjet varri masiv. Dyqind shkurre, secila duke simbolizuar një viktimë, u mbollën gjithashtu në atë vend në kujtim të tyre. Ndërtesa e magazinimit në të cilën ndodhën vrasjet masive është tani Qendra Përkujtimore Ovcara, e cila u hap në vitin 2006.
Pas një rrethimi tre-mujor, Vukovar ra më 18 nëntor 1991. Disa nga mbrojtësit e qytetit u fshehën në spitalin e Vukovarit, nga ku forcat serbe kapën rreth 250 persona të nesërmen dhe i çuan në Fermën Ovcara. Në fermë, të burgosurit u rrahën dhe u torturuan në ndërtesën e magazinimit, e cila ruhej nga trupat e Ushtrisë Popullore Jugosllave.
Trupat u tërhoqën më 20 nëntor dhe paraushtarakët serbë morën kontrollin, duke vazhduar rrahjet dhe torturat. Atë mbrëmje, paraushtarakët i morën robërit nga ndërtesa e magazinimit në grupe me nga 20 vetë, i ekzekutuan dhe i varrosën.
Një total prej 12 personash janë dënuar me një total prej 161 vitesh burg për vrasjet në Ovcara. Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë dënoi kolonelin e Ushtrisë Popullore Jugosllave Mile Mrksiç, komandant i Brigadës së Parë të Motorizuar të Gardës dhe të Grupit Operacional Jugu, me 20 vjet burg, dhe majorin e Ushtrisë Popullore Jugosllave Veselin Sljivancanin, oficerin e sigurisë së Brigadës së Parë të Motorizuar dhe të Grupit Operacional Jugu, me dhjetë vjet burg. Gjykatat vendase në Serbi dënuan dhjetë persona, anëtarë të njësisë paraushtarake “Leva Supoderica” dhe luftëtarë të Mbrojtjes Territoriale Serbe nga Vukovari, për pjesëmarrje në krimin në Ovcara.