Ka të paktën 13 varre masivë të njohur në zonën e përcaktuar si Rruga Cancari në komunën boshnjake të Zvornikut, afër kufirit me Serbinë. Varret nga Rruga Cancari 1 deri në Rruga Cancari 12 u gërmuan në vitin 1998 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, GJPNJ, dhe në secilin prej tyre u gjetën mbetje të shumta mortore. Varri i fundit masiv, i përcaktuar si Rruga Cancari 13, u gjet nga Instituti Boshnjak për Personat e Zhdukur. Midis vendasve, zona njihet si “Lugina e Varreve”.
Zhvarrosja në Rrugën Cancari 2, kryer në gusht 2002 nga Instituti Boshnjak për Personat e Zhdukur dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, gjeti eshtrat e 224 personave, kryesisht viktima të gjenocidit të Srebrenicës.
Varri ndodhet në fillim të rrugës që të çon në fshatin Kamenica nga qyteti i Zvornikut, pikërisht pranë një ure të vogël mbi lumin Kamenica. Ai është gjithashtu afër disa shtëpive – kryesisht ato të boshnjakëve që u kthyen në shtëpitë e tyre pas luftës.
Shumica e varreve masive përgjatë Rrugës Cancari u zbuluan nga fshatarët të cilët merren kryesisht me bujqësi dhe gjetën eshtra ndërsa punonin arat dhe oborret e tyre.
Varri Rruga Cancari 2, si të gjithë varret e tjerë të Rrugës Cancari, është një varr masiv dytësor. Viktimat e luftës u rivarrosën këtu në vjeshtën e vitit 1995 në një përpjekje për të mbuluar vrasjet e burrave dhe djemve boshnjakë në gjenocidin e Srebrenicës. Trupat e viktimave të gjenocidit fillimisht u varrosën pranë vendeve të ekzekutimit në Srebrenicë, Pilica, Kozluk, Bratunac dhe Zvornik në ditët pas 15 korrikut 1995. Dy muaj më vonë, forcat serbe të Bosnjës u urdhëruan largimin e trupave që aty dhe rivarrosjen e tyre në vende më të largeta dhe më të vështira për t’u gjetur.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.