Grupi i varreve të njohura si Rruga Cancari në fshatin boshnjak të Kamenicës u zbuluan të gjithë në 1998 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ.
Varri Rruga Cancari 4 u zhvarros nga Instituti Boshnjak për Personat e Zhdukur nga gushti deri në shtator 2008 dhe që aty u nxorën mbetjet mortore të 362 personave, kryesisht viktima të gjenocidit nga Srebrenica.
Varri ndodhet në të djathtë të lumit Kamenica, pranë një rruge dhe është i shënuar me një pllakë të zezë që mban emrin e varrit masiv dhe një varg nga Kurani: “Mos i mendoni si të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahu. Jo, ata janë gjallë, duke gjetur mbështetjen e tyre në prani të Zotit të tyre; ata gëzohen me mirësinë e dhuruar nga Allahu.”
Kur u zbulua, varri ishte 15 metra i gjatë, tre metra i gjerë dhe 1,6 deri në 2,5 metra i thellë, i vendosur në një pjerrësi të lehtë në një zonë me bar.
Sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, eshtrat e gjetura ishin kryesisht ato të meshkujve dhe varri përmbante viktima të rinj dhe të moshuar. Gjithashtu u gjetën edhe kuti duhani, orë elektronike, gëzhoja dhe fishekë.
Rruga Cancari 4 është një varr dytësor masiv – viktimat u hoqën nga varret masive primare në Kozluk dhe Branjevo dhe u transportuan këtu nga forcat serbe të Bosnjës në vjeshtën e 1995 si një përpjekje për të mbuluar masakrat e boshnjakëve nga Srebrenica.
Hetuesit nga GJPNJ-ja vërtetuan se të paktën një person, eshtrat e të cilit u gjetën në varrin Rruga Cancari 4, ishte vrarë në Qendrën Kulturore Pilica në korrik 1995. Të paktën 500 njerëz u ndaluan në qendrën kulturore dhe më pas u ekzekutuan në sallën kryesore nga forcat serbe të Bosnjës. Nuk pati të mbijetuar.
Trupat e tyre u zhvendosën më pas në Fermën Branjevo aty pranë dhe disa muaj më pas në vende të tjera nëpër Bosnjë, përfshirë Rrugën Cancari. Qendra Kulturore Pilica tani është e braktisur dhe ka ende gjurmë të dukshme të masakrës, përfshirë vrima plumbash.
Deri më tani, GJPNJ-ja dhe gjykatat vendore në Ballkan kanë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për krimet e Srebrenicës.