Gropa e Lisacit është një varr masiv kryesor i ndodhur në fshatin Donji Dubovik në komunën Bosanska Krupa, rreth 50 kilometra nga qyteti i Prijedorit. Ajo është një gropë natyrale, në një zonë të pyllëzuar, ku në vitin 2000 u zhvarrosën eshtrat e 54 personave, mes tyre edhe dy gra.
Një dëshmitar në gjyqin e Milomir Stakiç, kreut të kuvendit komunal dhe Komitetit lokal të Krizave të drejtuar nga serbët në komunën e Prijedorit gjatë kohës së luftës, tha se “në fund të korrikut 1992, 44 persona u nxorën nga kampi Omarska dhe u hipën në një autobus. Atyre iu tha se do të shkonin në Bosanska Krupa për shkëmbim të burgosurish. Ata nuk u panë më.”
Varri masiv ndodhet në pyll. Ai nuk është i shënuar, është i lënë pasdore dhe nuk është lehtësisht i identifikueshëm ose i arritshëm.
Në vitin 2022, gjykata shtetërore e Bosnjës dha një vendim të shkallës së parë duke dënuar Dusan Culibrk me 20 vjet burg për pjesëmarrje në vrasjen e 51 civilëve në Bosanska Krupa në vitin 1992.
Culibrk, i cili ishte një polic rezervist në Bosanska Krupa, u shpall fajtor për pjesëmarrjen në rrëmbimin dhe vrasjen e 44 të burgosurve boshnjakë dhe kroatë nga kampi i paraburgimit Omarska, mes tyre kishte edhe gra, të cilat u sollën me minibus në Donji Dubovik, të lidhura me tel dhe u qëllua për vdekje pranë gropës së Lisacit në korrik 1992. Ai u shpall gjithashtu fajtor për pjesëmarrje në vrasjen e shtatë civilëve të tjerë boshnjakë pranë gropës së Lisacit në gusht 1992.
Një tjetër i dyshuar, Milorad Kotur, i cili u akuzua së bashku me Culibrk, është në kërkim.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e dënoi Milomir Stakiç me 40 vjet burg për krime të shfarosjes, vrasjes dhe persekutimit në zonën e Prijedorit. Krimet e renditura në aktakuzë përfshinin vrasjen e njerëzve trupat e të cilëve u gjetën në gropën e Lisacit. Miroslav Kvocka, Dragoljub Prcaç, Mladjo Radiç, Zoran Zigiç dhe Milojica Kos u dënuan gjithashtu nga GJPNJ-ja për krime në lidhje me vrasjen e njerëzve trupat e të cilëve u gjetën në gropën e Lisacit.