Fshati Kurtalici ndodhet në brigjet e lumit Drina, tetë kilometra nga qyteti i Visegradit në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore. Një varr masiv parësor u gjet në Kurtalici në vitin 2000 pasi niveli i ujit në lumin Drina, afër kufirit boshnjako-serb, kishte rënë me disa metra dhe ishte tërhequr për 20 metra përgjatë të dy brigjeve. Aty u zbuluan eshtrat e 62 civilëve boshnjakë.
Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, procesi i identifikimit ka qenë i vështirë pasi trupat ishin grumbulluar mbi njëri-tjetrin, mbetjet mortore ishin përzierë dhe ishte e pamundur të dallohej se cila pjesë e skeletit i përkiste cilës viktimë. Rreth varrezës u gjetën një numër i madh gëzhojash, gjë që tregon se viktimat janë vrarë në vendngjarje.
Vendi, i cili shtrihet në bregun e djathtë të lumit Drina dhe liqenit Perucac, mbetet i pashënuar.
Që nga përfundimi i luftës, një përkujtimore për viktimat e luftës nga Visegradi është mbajtur të shtunën e fundit të majit në Urën Mehmed Pasa Sokolovic në qytet. Në lumin Drina hidhen trëndafila në përkujtim të viktimave.
Visegradi u sulmua dhe u pushtua në prill 1992 nga Ushtria Popullore Jugosllave, e cila instaloi një administratë të kontrolluar nga serbët. Pas largimit të Ushtrisë Popullore Jugosllave, Ushtria Serbe e Bosnjës dhe policia e kontrolluar nga serbët nisën një fushatë sistematike dhe të përhapur kundër boshnjakëve, duke përfshirë arrestime, ndalime në kampe, tortura, përdhunime dhe vrasje, si dhe shkatërrimin e shtëpive dhe ndërtesave fetare.
Sipas dokumenteve nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GJPNJ), rreth 1,600 njerëz u vranë në dhe rreth Visegradit, mes tyre 600 gra dhe 119 fëmijë, në atë që gjykata tha se ishte një nga fushatat më të gjera dhe të pamëshirshme të spastrimit etnik gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.